Nga Rezarta CAUSHAJ
Artikulli i mëposhtëm në thelb është shkruar para disa vitesh në një blog të braktisur në tentativë për të shfryrë frustrimin, kur, e sapokthyer nga një program lidershipi, e gjeta veten si një studente e shkëlqyer e papunë, sic ndodh rëndom. Në atë kohë, e vetëdijshme se asnjë student nuk mund të pretendojë të gjej një punë prestigjoze për shkak të mungesës së eksperiencës, kërkoja një punë modeste dhe prapë nuk e gjeja. Ajo çfarë më bënte përshtypje ishte konsiderata e përgjithshme e përcjellë nga familja, të afërmit, komshinjt, të njohur e të panjohur, që deri dje më kishin mburrur për rezultatet në mësime, se unë duhet t’i futesha politikës në një mënyrë apo një tjetër. Këto konsiderata shpreheshin rëndomë në formën: “Sa keq! Filani/filania ka mbaruar me 5 dhe ka hyrë në X drejtori/Bashki/institucion qeveritar sepse është në Y parti, ti që ke shkuar në Bruksel…Pse kështu ti?! Do bëhesh më e mirë se shoqet ti? Etj.etj.”. M’u desh ta rimerrja këtë artikull duke qënë se situata, jo vetëm nuk ka ndryshuar nga 2012 deri më sot, por është përkeqësuar.
Gjitha problematika është krijuar nga një bindje se, mënyra se si problemet tona do tëzgjidhen është nëpërmjet ndërrimit te klasës që ka zaptuar skenën politike për më shume se 25 vjet. Dhe unë jam dakord! E keqja është se është krijuar ajo bindja tjetër, ndikuar po nga këta politikanë, me qëllim zhvatjen e shërbimeve të angarisë nga militantët e forumeve rinore, se mënyra se si do arrihet ështënë përmjet angazhimit të të rinjve në politikë. (EUUUREEEKAAA!!!). Historia ka treguar të kundërtën.
Alegoria ka shkuar pak a shumë kështu (Ndjesë për sarkazmën!). Ndodh që të dal një i ri që mund të ketë studiuar në Perëndim, ka marrë pjesë në disa programe e projekte, ka themeluar OJQ “ më trendy” të shoqërisë civile, të gjithë i thonë se ka brumë politikani, ka mbledhur disa persona mbrapa vetes (dhe shumë të tjerë mbrapa, që preferojnë ta drejtojnë shfaqjen pas perdes), bën bujë të madhe me gjuhën si shpatë dhe me etiketen “Është koha e të rinjve“energjitikë”!Pas një mesatareje që, sipas mendjes sime, varion nga 7 muaj deri ne 1 vit që “Levizja” e kalon ne periudhë vet –promovimi intensiv dhe gjatë së cilës, i qahet halli cdo shqiptari e madje i gjenden edhe halle që s’i kishte; që betohen se nuk kanë qëllime politike; që çdo përpjekje për interesin publik nuk është e motivuar nga fondet sa buxheti i një ministrie që marrin.
Më në fund “Të zgjedhurit” tonë i vjen revelata hyjnore se Lëvizja duhet të shndërrohet në Parti dhe të marr në dorë fatin e kombit. Revelata të tilla kryesisht bazohen në popullaritetin që Levizja ka fituar në muhabetet e kafeneve, në protestat me fustane nusërie e kostumet “funky” të Halloëeen-it, në blerjen e adoleshentëve me pije falas ne Party dhe faktin se i “Zgjedhuri” ka fituar çmimin e buzëqeshjes në sondazhet e fundvitit në Top Channel.
Kur parties se re i duhet t’i hyjë punës seriozisht, ngec në dhëmballët e forta të atyre “ujqërve të vjetër” të politikës që e kanë p…pë…përcaktuar territorrin me kohë e atëherë “I Zgjedhuri” del e shpall se revelata tjetër kërkon që Partia të kalojë në periudhë zhdëmtimi e për hir të Popullit (Rroftë AI!) do ndërrmarrë detyrën e vështirë të negocimit me “armikun” e djeshëm. Para se Populli (…që Rroftë Ai për jetë e mot!) të kuptojë ndonjë gjë, negociatat janë bërë marrëveshje, marrëveshjet aleanca dhe “qengjat e rinj” janë bërë “ujqërit e rinj”.
Më duhet të bëj një hap pas dhe të sqarojë se nuk ka asnjë gjë të keqe as të merresh me cështje të interesit publik, as të solidarizohesh me problemet e grupeve të ndryshme të interesit, as të protestosh në forma të ndryshme e as të kesh aspirata politike; as të angazhohesh në parti politikë, as të kesh bindje politike;përkundrazi,është një vlerë e madhe qytetare dhe të rinjtë duhet ta ndjejnë për detyrë shërbimin ndaj komunitetit në çfarëdolloj forme. Është e pritshme, madje, që mbrojtësit e kauzave publike, mund të marrin një rol më aktiv në shoqëri. Të gjitha ato që përmenda më sipër nuk janë parimisht të gabuara, ëshhtë mënyra se si janë shtrembëruar gjatë zbatimit në Shqipëri që na ka lënë një shije fortë të keqe, një mosbesim në rritje, një mungesë solidariteti, një apati e pafuqi për të luftuar për të drejtat tona.
Problemi në këtë rast është ai i mungesës së eksperiencës dhe modeleve. Duhet të kuptojmë që në momentin që prindërit mendojnë se fëmija i tyre duhet të bëjë karriere partie për arsye që variojnë që nga më banalet (që të fitojnë prestigj në lagje e t’i mburren fisit) deri tek më të zakonshmet, idea se po i ndihmojnë të sigurojnë të ardhmen. Pastaj janë ata prindërit e gjindshëm që u blejnë poste publike fëmijëve të tyre, mbasi u kanë blerë shkollën, makinat, jetën luksoze dhe presin që këta të kenë ftuar aq maturi sa të përfaqësojnë bashkëqytetarët e tyre. Bashkoji kësaj shfrytëzimin që partitë në vend i bëjnë prirjeve më të këqija të shoqërisë dhe pompimit të ambicieve të reja e të rinjtë bëhen pretë më të lehta të politikaneve të rrahur apo rretheve politike, të cilat i manipulojnë shumë lehtë për interesat e tyre.
Eshte faktike që kur të rinjte kanë hyrë në politik kanë perfunduar duke u rreshtuar e duke bërë kompromise me ato kahe, kundër të cilave e kane bazuar vetë filozofinë e tyre fillestare. Një adoleshent apo student i diplomuar, pa experiencë të mjaftueshme pune në profesinin e vet apo në jetë, ka për ta gjetur veten perballë situatave e skenareve politik mbi të cilat s’ ka asnjë referencë të mëparshme si t’i kalojë. Kjo e bën atë të dobët ndaj ndikimit të “ujqërve”, që e dinë se kur është momenti per t’u hequr si “bariu” e për t’u ofruar drejtim “qengjave” të humbur. Gjërat bëhen edhe më të lehta meqenese të rinjtë aspirant per politikane jane ca “qengja” karrierist e përfitues.
Me premtimin e futjes në jetën plotë përparësi politike, partitë tradicionale i kanë indoktrinuar të rinjtë të angazhohen intensivisht në fushata propagandistike në mbështetje të pakushtëzuar të politikave që nuk i kuptojnë, pa u dhënë atyre asnjëherë një zë në vendimmarrje, pa u dhënë atyre pavarësi në strukturat partiake, pa legjitimuar iniciativa të tyre, pa inkurajuar arritje individuale. Rezultati ka qënë shfrytëzimi i mijëra të rinjëve, promovimi i një pakice pa sistem merite, reduktimi i rolit të të rinjëve në numra votash e deri shndërrimin e tyre në një shaka bajate (Kush e merr seriozisht një të ri militant sot?!). Pasojat nuk i detyrohen faktit se këta të rinj janë egoistë apo kanë natyrë të korruptuar, por thjeshtë e mungesës së modeleve dhe një sistemi edukimi të keq, që nuk u ka krijuar një ndërgjegje shoqërore, që nuk i mëson të kërkojnë të rriten si individ, të konkurrojnë, të jenë këmbëngulës, të bëhen të dobishëm.
Një tjetër rast flagrant i manipulimit prej partive të mëdha ka qënë ai i imponimit të koncepteve të gabuara në politikë, sic është shtrëmbërimi i sistemit të “meritës” duke përdorur studentët e ashtuquajtur “ekselentë”. Vitet e kaluara të gjitha partitë e mëdha janë përpjekur ta atashojnë anëtarësinë e tyre me këta student. Kjo çoi në jo pak shaka që qarkulluan në rrjetet sociale në momentin që shumë prej studentëve “ekselentë” të sapodiplomuar u nxorën në spote publicitare duke cituar parrulla bosh tërë lavde prë partinë e liderin, pa asnjë lidhje me realitetin ku ata jetojnë apo me problemet e tyre, pa asnjë përmbajtje në vetvete. Nënteksti këtu është i qartë: përderisa partia zgjidhjet e zgjedh të rinj “ekselentë” atëherë ajo është demokratike, ushtron parimin e meritokracise dhe është progresive, duke injoruar faktin se antarësini në një parti është cështje vullneti e jo merite.
Tashmë, me shpalljen e listave zgjedhore, ka parti si LSI të cilat kanë kandiduar masivisht studentë në moshë fare të re, në tentativën për të tërhequr në anëtarësi pikërisht elektoratin po aq të ri në votim. Edhe këtu nënteksti është i qartë: nësë ne vendosim të rinj në Parlament, atëherë, duke iu bashkuar Partisë, herën tjetër kandidat mund të jesh ti. Nuk ka rëndësi se e njëjta parti i anatemon të gjithë studentët si kafexhinj e dembel, që jetojnë si parazit në kurriz të prindërve dhe kërkojnë çdo gjë nga shteti.
Po çfarë pritet t’i ndodh një studenti ekselent me një post të marr me karriere partie (nocion jo gjithmonë i qartë ky!)? Po flasim për një individ, i cili ka në rastin më të mirë njohuri teorike, të patestuara, i papërballur me nivele të ndryshme të profesionit të tij, pa asnjë ide mbi karrierën si punë e vazhdueshme ku ngjitja bëhet hap pas hapi për vite me radhë bazuar në kontributin e dhënë.
Po flasim për një individ, i cili më shumë mundësi nuk ka ndërtuar një familje, si një kriter që në karrierën politikë shihet si i rëndësishëm për shkak se ka një sens përgjegësie dhe maturie të veçantë që mund të fitohet vetëm nga anagazhimi familjar. Në fund të fundit, si mund të presësh që ky i ri të kuptojë se si politikat prekin dhjetra mijra familjar bashkëqytetar në momëntin që ai nuk është një prej tyre? Përfaqësimi në parlamet nuk bëhët me baza kategorish sociale, por në bazë zonash që përmbajnë të gjitha kategoritë shoqërore të mundshme.
Të rinjtë e sapodiplomuar, nuk mund të bëhen politikanë pa ndërtuar një karrirerë, pasi “u ka rënë bretku” duke studiuar fillimisht e më pas në punë. Duhet shumë sforcim, sakrifica, përkushtim shoqëror serioz, ngritje kauzash dhe studim i vazhdueshëm që të jesh i denjë të ngrihesh midis të barabarteve dhe t’i përfaqësosh ata. Natyrisht, nuk propozoj që një person t’i futet politikës domosdoshmërisht në moshë të vjetër, por që të ketë arritur një pjekuri të caktuar si individ e qytetar.
Nëse je i ri dhe kërkon të kesh impakt në shoqëri, atëherë lëri direktivat partiake në këmbim të favoreve apo shpresave për shtysa karrieriste sepse partia jote do jetë shumë më mirë kur ti të mendosh me mendjen tënde e të flasësh lirshëm.Neqoftëse ke një bindje politike, ndiqe atë si qytetar! Nëqoftëse dëshiron të punësohesh, atëhere kërko një punë, pa mik, pa ndërmjetës dhe pa parti!