A.P.P.A
(Albanian Platform for Policy Advocacy)
(Platforma Shqiptare për Advokim Politikash)
Brezi i të rinjve sot, 18 deri 30 vjeçarët, përbërës i shumicës së popullsisë, është i pari brez që e ka jetuar kohën e tij në një sistem mendësie demokratike. E megjithëse nuk ka përjetuar komunizmin, ky brez është shembulli i një rinie tranzicioni, i një rinie së cilës i ka ardhur koha të flasë. Koha ka ardhur që ky brez t’i angazhojë energjitë e veta si një investim me vendosmëri drejt së ardhmes. E ardhmja që ne kërkojmë, sheh një vend të zhvilluar i cili ia del që të menaxhojë pozitivisht asetet e veta, dhe të investojë më shumë potencialet që ka.
Na ka munguar gjatë një grupim kurajoz dhe i pavarur në shoqërinë civile; na ka munguar media investigative profesionale; dhe në përgjithësi, na ka munguar një ekip që do të nxirrte në pah nevojat e vërteta të njerëzve, dhe do të ngrinte zërin edhe për ata që nuk e ngrenë dot. Na mungojnë ata, që sigurohen për mirë-qeverisje.
Prandaj, ne jemi të bindur, se duke advokuar vazhdimisht për transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi sociale, ky brez do ta ndihmojë vendin të hedhë hapat e duhura drejt një sistemi të qëndrueshëm të një demokracie të vërtete.
Qytetaria Aktive
- Kush jemi ne?
A.P.P.A është platforma e profesionistëve të rinj, të cilët monitorojnë dhe vlerësojnë politikat publike dhe aktivitetin e qeverisë duke ofruar gjithashtu zgjidhje alternative.
- Çfarë bëjmë ne?
Ne ofrojmë për publikun një analizë kompetente dhe të pavarur rreth aktivitetit, proceseve dhe politikave që qeveria ndërmerr. Të udhëhequr nga fryma e drejtësisë sociale dhe e dialogut, ne hetojmë aftësinë e institucioneve publike për t’i shërbyer dhe zgjidhur nevojat qytetarëve të vet.
- Si e realizojmë ne këtë, mjetet tona.
Aktiviteti ynë është i strukturuar në formën e një Think Tank-u. Ne monitorojmë qeverinë dhe aktivitetin e institucioneve publike dhe më pas përzgjedhim dhe analizojmë të gjithë informacionin zyrtar që mundemi të grumbullojmë prej burimeve publike dhe të ligjshme.
Ne ia transmetojmë vëzhgimet tona publikut të gjerë. Mjetet tona kryesore të komunikimit janë: televizionet, radio, gazetat, dhe mbi te gjitha mediat sociale dhe website-i ynë zyrtar: appa.al Puna jonë shfaqet gjithashtu përmes veprimeve publike, forumeve, konferencave dhe llojeve të tjera të tubimeve.
Vizioni Ynë
Një qeverisje të drejtë, që të konsolidohet në tri shtylla:
- Shoqëri te zhvilluar dhe solidare
- me demokraci të sundimit të ligjit
- në një mjedis të shëndetshëm dhe të gjelbër.
Objektivat
Objektivat tona mishërojnë vizionin tonë për Qytetari Aktive në Shqipëri.
- Të monitorojmë proceset qeverisëse dhe politikat publike.
- Të publikojmë analiza dhe raporte politike objektive.
- Të ofrojmë si alternativë idetë dhe zgjidhjet tona.
Ekipi
Ekipi ynë është i përbërë nga profesionistë të rinj. Secili anëtar është përgjegjës për një ministri, kjo bazuar tek kompetencat akademike dhe profesionale.
Financat
Theksojmë me krenari se burimet e financimit të punës sonë vijnë vetëm prej palëve jo-partiake dhe të paanshme si përshembull: Organizata
Ndërkombëtare; Fondacione; Sponsorë të pavarur; kontribute vullnetare, etj.