Megi Llubani
Prokurimet publike si oaz korrupsioni dhe abuzimi
Në qershor të vitit 2015, pothuajse në gjysmë të mandatit të qeverisë aktuale Këshilli i Lartë i Shtetit kallëzoi 12 zyrtarë të ministrisë për shkelje të ndryshme në barazinë e tenderëve. Në përllogaritjet e KLSH dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit ishte në masën 607 000 Euro, ose 2% e buxhetit të vitit 2017. Megjithëse përqindja mund të mos duket e lartë e vendosur në perspektivë përmes faktit që kjo është vetëm një nga shkeljet e konstatuara nga KLSH, që do të thotë se dëmi i shkaktuar është më i lartë.
Më pak se dy vite më pas, Këshilli i Lartë i Shtetit në raportin e auditimit të vitit 2016, publikuar në prill të këtij viti demaskon shkelje të tjera sërish në fushën e prokurimeve publike në Ministrinë e Mbrojtjes, këtë herë në fondin e blerjes së kamerave trupore, një projekt prej 5.7 milion Euro. Sipas gjetjeve të KLSH mbi 78% e procedurave të tenderimit janë kryer në mënyrë të gabuar. Në vetëm një nga këto raste dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit kap shifrën 1.48 milion Euro, shumë herë më e lartë se shkelja e vitit 2015. Dëmet specifike të shkaktuara nga procedurat e parregullta të tenderimit arrijnë vlerën 189 000 000 lek. Çmimet e pranuara nga procedura e tenderit rezultuan të jenë 7 herë më të larta se çmimet e ofruara në tregun ndërkombëtar. Të dy këto raste tregojnë qartë shkallën e korrupsionit dhe abuzimit të detyrës. Ligji, pavarësisht se tejet i qartë, nuk është respektuar dhe procedurat e tenderit janë organizuar në mënyrë të tillë që të përjashtojnë një sërë operatorësh ekonomikë.
Në vijim të gjetjeve, KLSH dorëzoi kallëzimin penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm për 7 punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme me akuzën e shkeljes së barazisë së pjesëmarrjes në tenderë apo ankande publike. Raporti i auditimit vijon më tej me listën e gjatë të shkeljeve të kryera në procedurat e prokurimit publik. Ajo që bie në sy është përdorimi i kategorizimit të materialeve të blerjes si sekret, një procedurë që lehtëson shkeljen e konkurrencës së drejtë ndërmjet operatorëve të ndryshëm ekonomikë. KLSH rekomandon hapjen e këtyre materialeve për aktorët e interesuar në mënyrë që të eliminojë keqpërdorimin e ligjit për të ndjekur procese korruptive në fushën e prokurimeve publike.[1]
Me qindra mijëra dollarë shpenzohen vit pas viti për blerjen e materialeve dhe shërbimeve për ofrimin e të mirave publike qytetarëve të secilit vend. Asnjë fushë tjetër në administrimin publik nuk është aq e prirur drejt korrupsionit sa prokurimet publike. Parregullsitë në procedurat e tenderimit nuk sjellin pasoja negative vetëm për paratë e shpenzuara në mënyrë jo efecientë. Kosto e shërbimeve publike rritet deri në 50% më tepër në rastet e korrupsionit, konkurrenca e lirë dhe e drejtë dëmtohet dhe besimi i qytetarëve tek qeveria për shpërndarjen e shërbimeve publike për të siguruar një standard sa më të lartë jetese.[2]
Ministria e Punëve të Brendshme sikurse përcaktohet në Vendimin 53 të vitit 2009[3] është ngarkuar me pozicionin e Organit Qendror Blerës (OQB). Kjo do të thotë se një pjesë e mirë e materialeve për të cilët organizohet një tender publik menaxhohen nga Ministria e Brendshme në emër të Kryeministrisë, ministrive të linjës dhe institucioneve të varësisë. Këtu përfshihet blerja e materialeve të kancelarisë, automjeteve, karburantit, veshmbathjeve, pajisjeve elektronike duke mbuluar në total 17 kategori.
Ministria e Punëve të Brendshme e ka treguar herë pas herë gatishmërinë e saj për të abuzuar me procedurat e prokurimit publik. Adresimi i korrupsionit në këtë fushë kërkon qasje jashtë institucionit “fajtor” për shkeljet. Në këtë rast Transparency International propozon përgatitjen dhe nënshkrimin e Pakteve të Integritetit ndërmjet firmave që konkurrojnë për projekte publike. Këto pakte synojnë të vendosin një sërë standardesh për respektimin e konkurrencës dhe garantimin e drejtësisë në pjesëmarrjen e tenderimeve publike. Me nënshkrimin e paktit këto firma bien dakord të shpalosin të gjithë pagesat e ndërmarra në një tender të caktuar, për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien. Monitorimi nga aktorë të jashtëm i kontratave që firmosen për shërbime të ndryshme publike duhen shoqëruar me mekanizma kuptimplotë për pjesëmarrjen e shoqërisë civile si aktor i barabartë ose i rëndësishëm në procesin e tenderimit.
[1] Kontrolli i Lartë i Shtetit: http://ëëë.klsh.org.al/
[2] Transparency International http://ëëë.transparency.org/topic/detail/public_procurement
[3] Vendim nr. 53, datë 21.01.2009 Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë.