Megi Llubani, MSc
Lufta kundër kultivimit të kanabisit si një tragjedi me shumë akte
Në fund të muajit mars u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 248 për Planin e Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020. Në analizën që i bëhet domosdoshmërisë për adresimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri theksohet se operacioni i suksesshëm në luftën kundër kultivimit të drogës në Lazarat bëri që një pjesë e këtij aktiviteti të përhapej edhe në rajone të tjera të vendit. Është për t’u vlerësuar se në planin e ri të veprimit pranohet mungesa e arritjes së objektivave të vendosura në strategjinë 2012-2016. Prej vitit 2010 deri në vitin 2015 Shqipëria përmendet nga raporti i Kombeve të Bashkuara mbi kultivimin dhe tregun e narkotikëve si një prej dy vendeve kryesore eksportuese, bashkë me Holandën.[1] Saga e luftës kundër narkotikëve në territorin shqiptar duket se vijon si një tragjedi me shumë akte, ku pavarësisht sukseseve, këto të fundit zhbëhen nga përhapja e fenomenit dhe paraqitja e Shqipërisë në mënyrë të vazhdueshme në listën e vendeve prodhuese dhe eksportuese të lëndëve narkotike.
Një risi pozitive e Planit të Veprimit 2017-2020 është zgjerimi i objektivit të strategjisë së luftës kundër narkotikëve duke u fokusuar në elementë që kanë munguar në strategjitë e mëparshme, ose që nuk janë përfshirë sa duhet. Këto përfshijnë dimensione të edukimit dhe ndërgjegjësimit, në mënyrë të tillë që kultivimi i narkotikëve mos të shikohet thjesht si një çështje penale por edhe problem shoqëror i cili prek pa diskriminuar shumë aspekte të shoqërisë. Megjithatë ky plan veprimi përmend vetëm në mënyrë kalimtare ndikimin e korrupsionit ndër strukturat përgjegjëse për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në mos arritjen e objektivave të vendosur vite më parë. E vetmja gjë që përmendet është se “Në përhapjen e fenomenit të kultivimit/trafikimit të kanabisit kanë ndikuar edhe praktikat korruptive të nëpunësve dhe funksionarëve publikë, të cilët me veprimet, ose mosveprimet e tyre, kanë favorizuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Dyshime për raste korruptive janë ngritur edhe në fushën e goditjes së financave dhe të aseteve kriminale që rrjedhin nga ato.”[2] Korrupsioni është ndër fenomenet më të përhapura në punën e administratës publike në Shqipëri, e dëmton një pjesë të mirë të financave publike. Në krahasim me fenomenet e tjera të analizuara në këtë strategji shumë pak vëmendje i kushtohet analizës së impaktit që korrupsioni ka pasur në pengimin e luftës kundër kanabisit dhë dëmin ekonomik që ka sjellë në total. Megjithëse Plani i Veprimit parashtron një sërë masash për garantimin e integritetit të personave përgjegjës për luftën kundër kanabisit është me rëndësi të shtohet në listën e institucioneve përgjegjëse dhe aktorëve të përfshirë
efikasitetin e sistemit të gjyqësorit për marrjen e masave të duhura kundër personave që angazhohen në afera korruptive në luftën kundër kanabisit.
Një prej masave të propozuara në Planin e Veprimit është nxitja e zëvendësimit të mbjelljes së kanabisit me mbjelljen e tokave me bimë të tjera bujqësore. Përmes një pakete lehtësuese për qiramarrjen e pronave publike synohet të dekurajohet mblellja e lëndëve narkotike me lëndë të tjera bujqësore si bimë medicinale e të tjera. Kjo targetohet specifikisht për ato grupe që kanë rrezik më të lartë për t’u ekspozuar ndaj mbjelljes së lëndëve narkotike. Kjo qasje ka dy dobësi kryesore që mund të merren parasysh gjatë implementimit të tyre:
- Së pari, nuk është e qartë nga parashtrimi në Planin e Veprimit nëse është bërë një studim i thelluar se kush janë grupet e rrezikuara më tepër, cili është raporti ndërmjet kultivimit të kanabisit me qëllime kriminale dhe përmes krimit të organizuar dhe atyre që e shohin këtë “biznes” si mënyrë mbijetese. Në mënyrë që të merren vendime mbi informacione të besueshme, statistika dhe analiza qenësore është e rëndësishme të zbulohet nëse kjo strategji do të funksionojë pasi grupi në rrezik i targetuar është mjaftueshëm i madh për të justifikuar shpenzimin e parave, përpjekjeve dhe iniciativave për luftën kundër kultivimit të kanabisit.
- Nga ana tjetër, nuk duket se është bërë një analizë as sipërfaqësore e rezultatit të lehtësimit për përdorimin e pronave publike në inkurajimin e kultivimit të bimëve mjekësore e bujqësore. Një pjesë e konsiderueshme e problemeve në zonat rurale është pamundësia e banorëve të këtyre zonave për të tregtuar mallrat e tyre dhe pamjaftueshmëria e investimeve për kthimin e bujqësisë në një nga sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare. Thjesht ofrimi i një pakete lehtësuese për përdorimin e tokës me të tjera qëllime që nuk kanë lidhje me kanabisin është argument i pamjaftueshëm për vendosjen e kësaj qasjeje në planin e ardhshëm të veprimit.
Lufta kundër kultivimit të kanabisit ka rëndësi të shumëanshme për pastrimin e imazhit të Shqipërisë si vend prodhues dhe eksportues, për ofrimin e mundësive më të mira për të garantuar minimumin jetik në vend që të dekurajojë kalimin në aktivitete të paligjshme e të tjera të ngjashme. Ajo që vihet re nga raportimet e vazhdueshme të institucioneve publike mbi këtë fenomen vit pas viti është se sa më shumë raportohet për intensifikimin e luftës së këtij fenomeni aq më shumë paraqitet ai brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Plani i ri i veprimit ka një qasje të shumëfishtë për adresimin e këtij problemi, por ka ende hapësira për përmirësimin e qasjes së Ministrisë së Brendshme për zhdukjen e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit nga Shqipëria.
[1] UNODC. (2017). Market analysis of plant-based drugs. Online: http://www.unodc.org/ëdr2017/field/Booklet_3_Cannabis_market.pdf
[2] Plani Kombëtar i Veprimit Kundër Kultivimit të Kanabisit 2017-2020. Online: http://www.punetebrendshme.gov.al/files/documents_files/Plani_Kombetar_i_Veprimit_kunder_kultivimit_te_kanabisit_2017_-_2020.pdf