Megi Llubani, MSc
Trafikimi i qenieve njerëzore, reminishencë e dështimeve të shkuara
Sikurse ndodh shpesh, Shqipëria u targetua edhe njëherë në median ndërkombëtare, kryesisht atë britanike, si vend origjine i trafikimit të qenieve njerëzore. Në një editorial të BBC-së u raportua në shkurt se ka patur rritje në numrin e personave të trafikuar me 40%, me numrin më të madh që vijnë nga Shqipëria, një vend që paraqet shqetësim vecanërisht të madh në lidhje me këtë fenomen.
Statistikat e Mbretërisë së Bashkuar për vitin 2016 tregojnë se numri më I madh I viktimave të trafikimit kanë kombësi shqiptare, ndjekur prej Vietnamit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Nigerisë. Shifrat nxjerrin në pah faktin që shumica dërrmuese e personave të trafikuar nga Shqipëria shfrytëzohen seksualisht. Për shembull, në periudhën prill-qershor 2016, 112 viktima shfrytëzimi seksual vinin nga Shqipëria ndjekur nga 76 prej Mbretërisë së Bashkuar.[1]
Në vitin 2014 u miratua Strategjia e Luftës Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, kohë në të cilën Ministri Tahiri deklaroi se do të ndryshohej qasja ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Në një deklaratë për shtyp ai u shpreh se: “Gjatë këtij viti pune kemi hartuar planin e veprimit, strategjinë si dhe kemi ndërmarrë një sërë masash, duke modernizuar infrastrukturën etj, çka solli në një kohë rekord daljen e vendit tonë nga vendet nën vëzhgim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sa i takon dhe luftës ndaj këtij fenomeni.”[2] Strategjia e miratuar është një document prej 96 faqesh që rendit një gamë të gjerë objektivash që targetojnë trajnimin e forcave policore, bashkërendimin e punës me prokurorinë e përgjithshme dhe sistemin e drejtësisë për të garantuar procese të drejta për trafikuesit dhe personat e prekur nga fenomeni.
Megjithatë, mospërputhja e asaj që duhej bërë me realitetin e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri është e dukshme jo vetëm sepse u bë objekt raportimi në një media të huaj, por edhe prej ngritjes së shqetësimeve për strategjinë e Shqipërisë edhe më herët nga aktorë të ndryshëm, përfshi këtu edhe APPA. Në një raportim të APPAs për vitin 2016 tërhiqej vëmendja për mungesën e theksuar të të gjithë elementëve që përbëjnë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Raporti I Departamentit të Shtetit vë në dukje se Shqipëria ka bërë disa hapa për plotësimin e kushteve minimale për adresimin e trafikimit të qenieve njerëzore por ka ende shumë sfida për të adresuar në mënyrë që të shënojë rezultate thelbësore. Shqipëria ende mbetet burim dhe destinacion I trafikimit të qenieve njerëzore. Pavarësisht strategjive dhe objektivave specifike të publikuara, sikurse edhe vetë Ministri Tahiri e pranon, kjo është një luftë që kërkon reagim të gjithanshëm, bashkëpunim me institucione dhe aktorë të tjerë, e vecanërisht një sistem gjyqësor funksionues që dënon trafikuesit. Të dhënat më të fundit nga Britania e Madhe tregojnë se fronti I përbashkët I luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri ende nuk është krijuar dhe ende nuk po jep rezultate në praktikë.
Literatura mbi fenomenin ofron shpjegime të ndryshme për arsyet thelbësore të “lulëzimit” të trafikimit të qenieve njerëzore. Qendra për Impakt Global ofron 4 shkaqe kryesore që shpjegojnë trafikimin e qenieve njerëzore:
- Varfëria është ndër motivet kryesuese përse vajzat dhe gratë (kryesisht) bien pre e shfrytëzimit dhe bëhen objekt prostitucioni. Duket se ky është motivi kryesor që shpjegon vazhdueshmërinë e “biznesit” të trafikimit në Shqipëri.
- Kushtet politike, në kuptimin e paqëndrueshmërisë, militarizimit dhe dhunës së brendshme.
- Lufta, në kuptimin e influencës së konflikteve të armatosura për të krijuar vakumin e pushtetit dhe ligjshmërisë që nxit dhe lehtëson trafikimin e qenieve njerëzore.
- Praktika shoqërore dhe kulturore, në kuptimin e një shoqërie që e ka në normat e saj abuzimin dhe zhvlerësimin e grave.[3]
Në kontekstin e Shqipërisë varfëria dhe praktikat kulturore që normalizojnë trafikimin e grave dhe vajzave. Trafikimi I qenieve njerëzore është fenomen që nuk mund të adresohet vetëm nga institucionet e sigurisë dhe gjykatat. Është fenomen që kërkon përgjigje të shumanshme e që targeton shkaqet themelore që kanë nxitur përhapjen dhe rritjen e numrit të të trafikuarve. Duhet të krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet luftës kundër dhunës në familje, edukimin e të rinjve dhe rritjen e ndërgjegjësimit vecanërisht në zonat më të prekura për potencialin shkatërrues që ka trafikimi I qenieve njerëzore, jo vetëm për jetën e personit të prekur, por dëmin shoqëror dhe ekonomik prej përhapjes së këtij fenomeni.
[1] http://ëëë.nationalcrimeagency.gov.uk/publications/national-referral-mechanism-statistics/2016-nrm-statistics/765-human-trafficking-national-referral-mechanism-statistics-april-to-june-2016-v2/file
[2] https://ëëë.ata.gov.al/tahiri-se-bashku-kunder-trafikimit-te-qenieve-njerezore/
[3] http://centerforglobalimpact.org/cgi-kids/4-causes-of-human-trafficking/