Rigels XHEMOLLARI, MSC
Epidemia e Shkollave
Nisur nga fakti i urdhrave të njëpasnjëshme të mbylljes të shkollave në fillim të muajit janar gjatë një periudhe dy javore e cila u shoqërua me temperatura të ulëta, u zbulua fakti se në pjesën dërrmuese të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare nuk ka sisteme ngrohje dhe nuk ka kushte minimale higjiene për tu mbrojtur nga epidemitë. Për të qenë të sigurt thjesht e pezulluan mësimin. Nuk pati analizë nga pushteti qendror dhe vendor as para dhe as pas situatës për nivelin dhe zonat e riskut, për mungesat e objekteve arsimore dhe për menaxhimin gjeografik të situatës.
Po te veçojmë rastin e kryeqytetit ku bashkia, bazuar në ligjin e Arsimit parauniversitar Nr. 69/2012 dhe ligjin e qeverisjes vendore Nr. 139/2015, ka në pronësi dhe administrim rreth 54 shkolla 9-vjeçare dhe 15 të mesme publike, pa përfshirë pjesën e territorit të bashkimit me ish-komunat.[1] Nga investigimi i APPA për situatën aktuale vetëm në shkollat e mesme në kryeqytet del në pah përgjigja ndaj pezullimit të mësimit dhe harresa nga ana e qeverisjes lokale dhe qendrore në lidhje me nevojat që ka arsimi i mesëm dhe ai bazë. Nxënësit dhe prindërit nuk duan fasada dhe kopshte të ngjyrosur, por investime serioze në plotësim të nevojave. Sot vetëm 15 gjimnazeve të universitetit i mungojnë 3500 banka, dhe 50% e tyre zhvillojnë mësimin me turne, fakte të cilat ulin automatikisht cilësinë e mësim nxënies. Rreth 50 % e gjimnazeve nuk kanë sistem ngrohje, por edhe pjesa e shkollave që e zotërojnë nuk e kanë funksional. 7 nga 14 shkolla të mesme nuk kanë palestër për të zhvilluar orët e edukimit fizik dhe tre nga këto shkolla nuk kanë mjedis mjekësor dhe biblioteke. Gjithashtu duke pasur parasysh faktin se një punonjës social mbulon tre shkolla, raporti i punonjësit social me numrin e nxënësve që shkon deri ne 6 mijë është jashtë çdo standardi bashkëkohor.
Tabele nr.1 APPA Research
Taksa e infrastrukturës në arsim e rëndon një familje me 1800 lekë të reja na vit dhe, një shoqatë me 5000 lekë të reja në vit një biznes me 20.000 – 40.000 lekë të reja në vit.[2]
Së pari, kjo taksë nuk erdhi si pasojë e një studimi mbi të ardhurat e familjeve, bizneseve dhe shoqatave, për të përcaktuar një shifër racionale. Së dyti padrejtësia qëndron edhe tek ata që e paguajnë shumëfish këtë taksë, dikush që është edhe familjar, ka edhe biznes por ka edhe një shoqatë e paguan tre herë këtë taksë. Së treti si mundet një bashki që të imponojë shoqatat të paguajnë 5000 lekë në vit, kur dihet që këto të fundit nuk janë subjekte me fitim!? Përkundrazi bashkia duhet të ketë programe për ti mbështetur shoqatat jo për ti vënë në vështirësi financiare. Në aspektin politik gjatë vitit 2016 u mblodh kjo taksë në vlerën e 360 milion lekëve sipas bashkisë, por gjatë dhe pas këtij procesi nuk shohim as elementin më të vogël të transparencës së fondeve. Pikëpyetjet që lindin janë, sa para u mblodh nga familjet dhe sa nga biznesi e shoqatat, sa para u investuan në shkolla, ku dhe për çfarë!? Praktikat pozitive dhe evropiane do të ishin një zgjidhje për bashkinë Tiranë, ku çdo muaj të na jepte shifra konkrete për grumbullimin e taksave tona dhe shpenzimin e tyre në një apo 5 produkte në infrastrukturën arsimore.
Premtimi 7-vjeçar për 17 shkolla të reja i bashkisë Tiranë me 6.2 miliard lekët e grumbulluara nga taksa e infrastrukturës arsimore, së pari nuk ka qëndrueshmëri pasi është një projekt që kapërcen mandatin 4-vjeçar të kryetarit të bashkisë dhe nëse nuk ka rizgjedhje ato para mund të përfundojnë të alokuara në një drejtim tjetër.[3] Absurdi tjetër qëndron në faktin se taksa e mbledhur gjatë vitit 2016 nuk do të shkojë për infrastrukturën e shkollave ekzistuese të cilat janë pa ngrohje dhe pa banka, por për shpronësimin e tokave ku do ndërtohen shkollat e reja. Dhe 7-vitet e ardhshme me paratë e mbledhura nga taksa e infrastrukturës arsimore do të shlyejë këstet e privatëve. Pra t’i bëjmë gati PPP-ve tokat e fitimit të tyre se nxënësit presin edhe disa vite pa ngrohje. Aktualisht shkollat ekzistuese, pavarësisht se kanë stafet dhe nxënësit më të mirë në republikë nuk përfitojnë asnjë investim shtesë për nevojat e tyre nga taksat që paguajnë prindërit e tyre çdo vit.
Familjet, strukturat dhe bordet e shkollës, prindërit që paguajnë çdo muaj taksën e arsimit duhet të kuptojnë një gjë shumë të rëndësishme, të cilën bashkia duhet ta kishte bërë publike në momentin e ngarkimit të qytetarëve me këtë detyrim financiar, paratë e kësaj takse nuk do i shërbejnë 75 apo 100 shkollave ekzistuese por do shkojnë në funksion të partneritetit publik – privat dhe ndërtimit të 17 shkollave të reja. Nga kjo nxjerrim si përfundim se 7 vitet e ardhshme nxënësit e çdo shkolle ekzistuese në kryeqytet do të vishen me trashë, do të mësojnë me mungese bankash, laboratorësh dhe bibliotekash dhe do të gëzojnë dy-tre javë pushim gjatë dimrit të ftohtë.
[1] http://www.arsimi.gov.al/files/userfiles/arkiva/dok-0029.pdf
http://www.ceshtjetvendore.gov.al/files/userfiles/LIGJI_139_2015_PER_VETEQEVERISJEN_VENDORE1.pdf
[2]http://www.dpttv.gov.al/DocumentFile/Legjislacioni/Vendim%20Nr.59%20date%2030.12.2015%20Sistemi%20i%20taksave%20dhe%20tarifave%20vendore%20.pdf
[3] http://www.monitor.al/taksat-vendore-bashkia-tirane-nuk-ka-rritje-dhe-ndryshim-taksash-lehtesohen-procedurat-per-regjistrim/