![Gerion TRESKA, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/G.-Treska-300x300.jpg)
Gerion TRESKA, MSc
1- Kredia na duhet për konsum jo investim, kështu po rritet ekonomia!
Lajmi i mirë erdhi, Raporti i fundit i “Doing Business 2017” e rëndit Shqipërinë në venin e 58 nga vendi i 90 ku gjendej në renditjen e vitit 2016. Nuk janë pak por 32 vende më lart në një rankim ndërkombëtar i cili është një nga instrumentet e marketingut pozitiv ose jo të vendeve si dhe të orientimit nga investitorët. Ministrja Ekonomi plot krenari e quajti një rekord historik për vendin tonë[1], duke u kthyer menjëherë tek theksimi i reformave në ekonomi të ndërmarra nga qeveria.
Por nëse shihet në krahasim me vitin paraardhës, kemi fituar 80 pozicione vetëm në rubrikën që lidhet me lejet e ndërtimit. Matematika është e thjeshtë, në një shumatore varjablash njëri ka luhatje të madhe, kjo sjell ndryshimin e rezultatit final. Ky ndryshim ngjan me një “ftesë” si dhe impuls patjetër për investitorët e huaj por vjen pas një periudhe të gjatë të “shtrëngimit” të lejeve të ndërtimit.
Marrja e kredive ende mbetet një indikator në rënie së bashku me nisjen e një biznesi. Nga ana tjetër kemi një rritje në pagimin e taksave që përkthehet në më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Këtë e konfirmon edhe Ministria e Financave[2] e cila pohon se përgjatë periudhës Janar – Shtator 2016 kemi 6.8% më shumë të ardhura të grumbulluara krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Ajo që nuk bën plotësisht sens është se Banka e Shqipërisë[3] ka shifra dhe indikatorë të tjerë sa i takon kredive dhe rritjes ekonomike. Sipas këtij institucioni, qytetarët kanë marrë më shumë kredi për konsum gjatë tre mujorit të tretë të 2016 në nivelin 36% nga 27% që ishte për tre mujorin e dytë. Nëse pranojmë se ekonomia po rritet sepse po rritet konsumi, dhe ky i fundit po rritet sepse po rritet numri i kredive që po merren për konsum, kjo do të thotë që ekonomia po rritet me anë të kredive individuale që po marrin qytetarët. Historiku i shqiptarëve nuk është pozitiv me kreditë, pasi shumë shpesh Banka e Shqipërisë ka ndezur alarmin “kujdes” me kreditë e këqija. Madje Shqipëria kryeson në rajon për huatë e pakthyera në afat që kapin shifrën 21.4% këtë vit krahasuar me 18% të vitit të kaluar. Madje kjo shifër, 18%, vjen si rezultat i “fshirjes së madhe” të vitit të shkuar të humbura nga bilanci i bankave.
Nëse qytetarët detyrohen t’i drejtohen kredive për konsum, a nuk do të thotë kjo se ata po hasin vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre bazuar në të ardhurat që ata kanë? E nëse kjo është e vërtetë a nuk po shkojmë kështu drejt një flluske të re të kredive të konsumit?
Le të mos harrojmë se kemi ende përpara një flluskë të mirë parash që do të vijnë për shkak të zgjedhjeve elektorale në muajt në vijim dhe kryesisht vendi ynë nuk shquhet për fushata të varfra. Në përfundim, ja ku u gjetën edhe dy “arrnime” të reja për të manipuluar shifrat e ekonomisë, kredia e konsumit që do të vijë në rritje, pra jo ajo për investim, si dhe paraja që do të injektohet para dhe gjatë fushatës elektorale. Shenjat e para janë dhënë pasi këtë zëri i investimeve publike për periudhën Janar – Shtator 2016 është realizuar madje edhe pak tejkaluar në vlerën 101%, kjo është hera e parë në gati 3 vjet që investimet publike realizohen sipas planit.
2- Hapet thesi për Morganizimin e Karpenit!
E mbani mend Morganin, ose Karpenin, ose më mirë investimin gjigand sa pothuajse gjysma e PBB-së së vendit tonë? Jo më larg se dy muaj më parë edhe APPA[4] shprehu shqetësimin e saj mbi këtë “kështjellë rëre” e cila urohej që të mos shtyhej më tej asnjë hap.
Në një investigim mjaft serioz, dhe duket sikur vetëm BIRN[5] duket i shqetësuar t’i shkojë deri në një thellësi të rrezikshme kësaj meseleje, ky institucion sjell në dritë se si pronarët e Morgan nuk janë ata që thuhen nga Ministrat shqiptarë e aq më tepër, si një projekt i ofruar nga jashtë, qeveritarët shqiptarë duket se janë të pa informuar. Kjo të paktën është ajo që dëshirojmë të jetë e vërteta sepse nëse ata e dijnë të vërtetën dhe e fshehin ky është një krim ndaj një kombi të tërë.
Një Morganinzim i Karpenit do të ishte një thes me para “investim” për politikanët shqipatrë më shumë se sa për qytetarët e këtij vendi. Në këtë kuadër, Qeveria jonë jo vetëm që është e sigurtë se ky investim është pothuajse perfekt por edhe ka akorduar paratë e duhura për konsulentët që do të ndërmarrin studimin dhe vlerësimin ligjor e financiar për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike[6]. Para taksash të qytetarëve këto.
Pra Morgan po ecën, mes hijesh dyshimi, por po ecën. Për Qeverinë tonë, ky nuk është një reagim ose një qëndrim i ri, ai mos kokçarës ndaj asaj që njerëzit mendojnë, ndja ndjehet mirë dhe e pa cenuar të vazhdojë të lëvrojë fondet e para si për ta “pagëzuar” këtë nismë me një justifikim dhe ogur disa milion lekësh.
Nuk dijmë asgjë pothuajse për këtë çështje ashtu sikurse nuk edhe mund të diskutojmë më shumë për këtë, përveçse të shohim dhe sodisim se si një zonë e tërë turistike do të shkatërrohet. Durrësi rrezikon të mos ketë më cilësinë e një plazhi të aksesueshëm me kushtet normale, por kjo nuk është pjesë e faturës për Qeverinë. Pa përmendur më pas nëse vërtet ka kaq shumë kërkesë nga anijet e mëdha për të patur një port në Shqipëri. I dashur Morgan, kurrë mos u realizofsh, asgjë personale.
[1] Doing Business 2017, pozicionim historik – http://www.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-ekonomi-raporti-doing-business-2017-renditje-historike-per-shqiperine&page=1
[2] Rriten të ardhurat në buxhet – http://acp.al/news/2695/Te-ardhurat-ne-buxhet.-Mblidhen-19-miliarde-me-shume-se-2015
[3] Rritet kredia për konsum – http://www.oranews.tv/ekonomi/kredia-per-konsum-bsh-ne-3-mujorin-e-trete-qytetaret-kane-marre-9-6-me-shume/
[4] Morgan i pakërkuar i Kavajës – https://appa.brentonkotorri.com/raport-korrik-2016-ministria-e-zhvillimit-ekonomik-turizmit-tregtise-dhe-sipermarrjes/
[5] Flluska Morgan – http://www.reporter.al/kompania-guacke-qe-fshihet-pas-projektit-morgan-per-portin-e-karpenit/
[6] Paratë e paraër Morgan – http://acp.al/news/2702/Porti-5-miliard-dollare-ne-Kavaje,-miratohet-fondi-per-projektin/