![Ingrid XHAFA, MA](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/I.-Xhafaj-300x300.jpg)
Ingrid XHAFA, MA
1-Arsim profesional përtej fushatave promovuese
Arsimi profesional, si një nga prioritetet kryesore të qeverisë në vitet e fundit, vazhdon të mbetet një politikë e diskutueshme e Ministrisë së Mirqënies Sociale dhe Rinisë. Në kushtet ku pothuajse të gjithë grupet e interesit kanë një kuptim të ngjashëm rreth rëndësisë së arsimit profesional në vend, ngelet për tu analizuar efektshmëria e ministrisë në zgjidhjen e problematikave që lidhen me të. Problemi kryesor, i cili duket se anashkalohet në retorikën politike, lidhet kryesisht me cilësinë e arsimit profesional. Fakti është se diploma e arsimit profesional në Shqipëri nuk njihet në vendet e Bashkimit Europian. Edhe pse Ministri Klosi pretendon se qeveria po punon për njohjen e diplomave profesionale në tregun Europian, cilësia e arsimit profesional (përfshirë këtu laboratorët teknikë, kurrikulën, kapacitetet, etj.) është larg standardeve Europiane. Në vend që qeveria të harxhojë energji dhe fokus në lobim rreth njohjes së diplomës profesionale shqiptare në BE, ajo duhet të kanalizojë gjithë qasjen e vetë në forcimin e arsimit profesional, kryesisht për interesa kombëtare. Rritja e cilësisë së laboratorëve, stafit pedagogjik, kurrikulës do të mundësonte rikualifikim të fuqisë së ardhshme punëtore, duke rritur ndjeshëm shanset e punësimit. Pavarësisht retorikës së vazhdueshme të ministrisë, ka nevoja që marrëveshjet me biznesin të forcohen dhe të rritet roli mbështetës i sipërmarrjeve kundrejt arsimit profesional.
Një tjetër problem me arsimin profesional, lidhet me shpërhapjen e pabarabartë të institucioneve profesionale parauniversitare, duke mos realizuar një nga parimet kryesore të edukimit, atë të shanseve të barabarta për të gjithë. Në seansën dëgjimore në Komisionin e Medias, Ministri Klosi thotë se kërkesat për të ndjekur sistemin parauniversitar profesional janë dy-fishuar vetëm në dy vitet e para, nga 14 në 22 përqind.[1] Në realitet, ka një rritje të kërkesave dhe të orientimit drejt arsimit të mesëm profesional, kryesisht të nxitura nga një treg pune kaotik, papunësi e lartë dhe nga një sistem arsimor universitar i pasigurtë e vazhdimisht i ndryshueshëm[2]. Megjithatë, shumica e shkollave profesionale në vend gjenden nëpër qytete të mëdha si Tirana, Elbasani, Fieri, etj., dhe nuk mbulojnë nevojat e komuniteteve që kanë më shumë nevojë të marrin profesione teknike, që zakonisht gjenden në periferi dhe në zonat më rurale të vendit. Për shembull, një nga arsyet kryesore të zhvillimit të ulët të sektorit bujqësor ndër vite, lidhet me mungesën e dijeve teknike dhe mosinteresimin e të rinjëve për të studiuar mbi bujqësinë[3]. Edhe pse është lehtësisht e kuptueshme që qeveria nuk mund të ndërtojë nga një shkollë profesionale në çdo fshat të vendit, është e domosdoshme të përdoren politika alternative për ti nxitur të rinjtë ti drejtohen arsimit profesional. Përveç fushatës së gjerë, që Ministria ka ndërmarrë për të promovuar arsimin profesional, është e domosdoshme të vlerësohen politika të tilla si ofrimi i bursave për nxënësit më të mirë në ato profesione ku nevojat janë më të larta; ose ofrimi i transportit falas nga njësitë administrative rurale drejt qendrave të qyteteve, ku zakonisht gjendet institucioni arsimor profesional; ose bursa për konvikte të shkollës së mesme profesionale do të mundësonte që shtresat më nevojë të përfitonin nga mundësia; etj.
2- Punësim i denjë i fasonëve
MMSR ka publikuar një listë me statistika ku tregon se askidentet me pasojë vdekje janë ulur deri në 11.5 % të numrit të përgjishëm të aksidenteve në vendin e punës. Për më tepër Ministria deklaron se është në rritje numri i subjekteve që mbulohen me shërbim mjekësor. Për sa i përket sëmundjeve profesionale, ato kanë qenë rreth 3880 raste në vitin 2013 dhe kanë zbritur në vetëm 265 raste të dyshuara për sëmundjet profesionale në punë në 6-mujorin e parë të vitit 2016.[4]. Të gjitha këto statistika të përmirësimit të kushteve të punës, ministri Klosi i ka thënë në një fabrikë fason, në të cilën janë rreth 1000 të punësuar, në ditën botërore të punësimit dinjitoz. Megjithatë, në një studim të realizuar gjatë vitit 2016 nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, u arrit në përfundimin se mjedisi i punës në kompanit fason ka shkelje të rënda të Kodit të Punës dhe të Drejtave të Njeriut[5]. Studimi thotë se “punëtorët e fasonerisë hasen me pagesë nën pagën minimale, penalizohen me ulje të rrogës për shkeljet në punë, nuk u paguhen kontributet shoqërore të detyrueshme, leja vjetore, ditët e festave, nuk zotërojnë një kopje të kontratës, ndëshkohen me heqje nga puna në rast ankesash dhe punojnë në temperatura ekstreme, ajër të ndotur të substancave toksike dhe nuk u ofrohet ujë i pijshëm”. Në llojin e sipërmarrjeve fason, të gjithë faktorët e prodhimit janë të importuar (lënda e parë, makineritë e prodhimit, supervizimi, marketimi, shitja, etj.). E vetmja arsye pse këto kompani operojnë në Shqipëri është për shkak të krahut të lirë të punës dhe mungesës së kontrolleve rigoroze nga Inspektoriati i Punës, mungesës së sindikatave apo formave të tjera të organizimit të punëtorëve, etj., duke i mundësuar kështu atyre të abuzojnë në forma të ndryshme me të drejtat e punëtorëve, për arsye përfitimi.
Këtë muaj, në datë 24 Tetor, 2 javë më vonë mbas ditës botërore të punjës së denjë, shënohet një tjetër viktimë në minierat e Bulqizës. Minatori 28 vjeçar mbulohet nga një masiv dheu, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Minierat janë mjedise me kushte të pasigurta punësimi, ku numri i të punësuarëve të aksidentuar, shpesh herë me pasojë vdekjen është shumë i lartë. Në Gusht të këtij viti, aksidentohet dhe vdes në vendin e punës në landifillin e Sharrës një djalë 17 vjeçar. Ndrërkohë që Inspektoriati i Punës dhe organet e tjera institucionale bëjnë ping-pong përgjegjësish, punëtorëve në Shqipëri i shkelen vazhdimisht të drejtat në punë. Të gjendur në skamje dhe varfëri ekstreme shumë prej tyre heshtin, madje shumë prej tyre ulen në rreshtin e parë dhe duartrokasin, kur Ministri i Mirëqenies Sociale “reciton” statistika të punësimit dinjitoz në Shqipëri.
[1]Arsimi profesional, Klosi seancë dëgjimore në Kuvend, aksesuar për herë të fundit më 28 Shtator, 2016 në:
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=309630
[2] Lexo për më tepër: Pse janë revoltuar maturantët?, aksesuar për herë të fundit më 28 Shtator, 2016 në: http://exit.al/2016/09/07/pse-jane-revoltuar-maturantet-exit-shpjegon/
[3] Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020, fq 8486, aksesuar për herë të fundit më 28 Shtator, 2016 në: http://www.akti.gov.al/dokumenta/VKM_709_%2029_10_2014.pdf
[4] Dita Botërore e Punës së Denjë, aksesuar për herë të fundit më 28 Shtator 2016 në: http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/lajme/dita-boterore-e-punes-se-denje&page=2
[5] Të drejtat e grave në tregun e punës nëpërkëmben nga fasoneritë, aksesuar për herë të fundit më 28 shtator, 2016 në: http://www.reporter.al/te-drejtat-e-grave-ne-tregun-e-punes-neperkemben-nga-fasonerite/