![Rigels XHEMOLLARI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/R.-Xhemollari-300x300.jpg)
Rigels XHEMOLLARI, MSc
1- Hije korrupsioni dhe mungesë përgjegjësie nga Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH)
Edhe pas kalimit të gjashtë fazave të regjistrimeve të maturantëve, megjithëse vetëm dy u përmendën në udhëzimin e parë të Ministres së Arsimit dhe Sportit, mund të themi se 1/5 e kuotave në universitetet publike mbeti e paplotësuar. Kjo shifër nuk ka qenë në këtë nivel vitet e kaluara, madje as kur kusht për përzgjedhje ishte konkursi. Por mungesa e përgjegjësisë dhe seriozitetit duhet parë që në fillim. MAS ngarkoi Rrjetin Akademik Shqiptar, një projekt i krijuar me Marrëveshje dypalëshe me Shqipërisë dhe Italisë për të bërë klasifikimin online të maturantëve që do të fitonin të drejtën e studimit në universitet. Nuk kuptohet qartë ku e gjeti MAS bazën ligjore për të ngarkuar RASH për të bërë përzgjedhjen e maturantëve kur objekti i këtij projekti është përmirësimin dhe fuqizimin e universiteteve shqiptare në funksionin e tyre si përhapëse të dijeve të një niveli të lartë dhe si zbatuese dhe nxitëse të veprimtarisë kërkimore”, objekt i cili nuk ka lidhje me renditjen e maturantëve.[1] Së dyti gjatë punës së tij me klasifikimin në universitetet publike, RASH shpalli kuotat e zëna dhe të lira për universitetet publike dhe private, por në mes të procesit i hoqi të gjitha kuotat e universiteteve private duke lënë vetëm ato publike, pa njoftim apo sqarim. Nga fotografimi online i stafit të APPA ne vumë re që në kohën kur ishin të shpallura kuotat e universiteteve private, kishte më shumë kuota të lira se kuota totale. Mjaftojnë këto dy fakte për të dyshuar, hetuar dhe menduar se me të drejtën e studentëve po luhet një lojë e errët që ka në thelb mungesën e barazisë mes privatit dhe publikut. Për më tepër kur kryetare e Bordit Drejtues të RASH është Ministrja e Arsimit dhe anëtarë disa vartës të saj, pse duhet ti ngarkohej këtij projekti detyra më e rëndësishme e procesit dhe të mos e bënte vetë MAS në mënyrë që procesi të kishte më shumë përgjegjshmëri dhe besueshmëri.[2] Tashmë edhe pas ngatërresave të njëpasnjëshme të sistemit flet vetëm drejtori i projektit në emër të RASH për kuotat e privatëve dhe publikut, duke i deleguar gjithë rëndësinë e procesit njeriut më të parëndësishëm në hierarkinë e sistemit arsimor.
2- Qeveria “masakron” Arsimin e lartë publik
Nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 679, datë 28.9.2016, qeveria i hoqi 880 milion lekë arsimit të lartë për t’ia kaluar arsimit bazë në formën e rishpërndarjeve të fondeve.[3] Pa marrë parasysh arsyet apo shpjegimet të cilat janë diskutuar në mbledhjen e KM, në këtë situatë ku ndodhet arsimi i lartë me kushte skandaloze, pa bursa, pa biblioteka dhe me tarifa nga më të lartat në Evropë shkurtimi i një shifre të tillë buxheti do të thotë luftë e hapur shtetërore ndaj universitetit publik. Me këto para qeveria mund të kishte mbështetur të paktën 800 studentë për studimet Master, që duhet të paguajnë rreth 150.000 lekë të reja në vit në universitetet publike. Kjo VKM nuk vjen si një veprim i veçuar, por si pjesë e një masakre ndaj arsimit të lartë që ka nisur me tarifat e larta, përfshirjen e universiteteve private në skemën e publikut, dhe së fundi edhe me një akt tjetër të përfshirë po në VKM e radhës nr. 680 ku qeveria i kalon në pronësi ADIS-ës, një agjenci e sapokrijuar qeveritare, godinën e universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej”. Në tre apo katër vitet e fundit fatin e universitetit të Gjirokastrës e kanë pasur edhe Qendra e Studimeve Albanologjike, Fakulteti i Gjeologji Minierave të UPT apo Universiteti i Korçës. Tendenca për të kthyer godinat e universiteteve publike në zyra qeveritare duke mos nxitur investimin e asnjë godine të re universitare tregon më së miri vullnetin që ka qeveria për të lënë në mes të katër rrugëve arsimin e lartë publik. Nga takimi I kryeministrit me pedagogë në Tiranë u përmend rritja e pagave të profesorëve me tituj, por askush nuk guxoi të pohojë se kjo rritje përkon me uljen e rrogës së tij neto për shkak të rritjes së taksës nga 10 në 15 %. Bota akademike nuk ka nevojë vetëm për pagat por edhe për akte ligjore dhe publike, kujtojmë këtu që universitet funksionojnë me një ligj të ri por me aktet e ligjit të vjetër, gjë që nuk ndodh në asnjë shtet të së drejtës. Për shkak të papërgjegjshmërisë politike të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Këshillit të Ministrave sot nuk dalin aktet ligjore kryesore që kanë të bëjnë me shpërndarjen e drejtë të ngarkesës mësimore, ku shefat e departamenteve kanë gllabëruar nga 10 lënde, organet e promovimit akademik, titujt akademike dhe doktoraturat.
[1] https://www.rash.al/wp-content/uploads/2014/10/marreveshja-rrjeti-telematik.pdf
[3] http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/186-2016.pdf