![Rezearta Caushaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/11042072_10152755179952098_1617951722_n-211x300.jpg)
Rezearta Caushaj
1- Programi i Transparencës: gjysmë hapi para
Siç është trajtuar në raportet e mëparshme të APPA-s, implementimi i Programit të Transparencës nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Urban ka qenë i mangët dhe jemi të kënaqur që këtë muaj kemi konstatuar se institucioni në fjalë i ka kushtuar vëmendje kësaj problematike. Në websitin Zyrtar të Ministrisë, ku më përpara gjendej thjeshtë një përmbledhje e Ligjit për të Drejtën e Informimit në terma të përgjithshëm, kemi vënë re se ky seksion është plotësuar më tej me të dhënat e duhura e hapat që duhen ndjekur për të marr informacion në rrugë zyrtare, tashmë i është shtuar seksioni i Koordinatorit të Informimit që më parë mungont e mbasi në muajin gusht është ndërfutur Regjistri i Kërkesave e Përgjigjeve në muajin tetor seksionit i është shtuar edhe Kërkesa e Ankesa, shoqëruar nga formularët përkatës. Një seksion i rëndësishëm që është shtuar është edhe ai i Prokurimeve, ku jepet pasqyra e prokurimeve të parashikuara për këtë vit nga Ministria, ku ajo që bie në sy është që zëri kryesor i shpenzimeve të këtij viti e zë vlerësimi i gjendjes së godinës e më pas ristrukturimi i saj. Përgëzojmë Ministrinë në këtë aspekt për konsideratën që ka treguar për krijimin e kushteve për vendosjen në funksionim të një ligji jetik për qytetarët.
Nga ana tjetër nuk mundëm të mos vinim re se është bërë një përpjekje, pas kritikave të Raportit të Muajit Korrik për mungesën e auditeve të brendshme, ku së fundmi janë publikuar disa të tillë, por nga kontrolli në brendësi të tyre kemi vërtetuar që janë audite kryesisht të vitit 2013 , ku konstatohen shkeljet me rregulloret e brendshme, abuzimet me fondet dhe mungesa e kontrolleve. Nuk është e qartë se çfarë strategjie kërkon të ndjek Ministria duke publikuar raporte jo favorizuese për punën e administratës së mëparshme? Natyrisht është më interes publik që qytetarët të njohin atë punë, por akoma më e rëndësishme të kuptojë nëse me dhënien e votëbesimit një administrate të re, si po e kryen kjo e fundit punën në raport me atë të mëparshmen? Në mënyrë që të vlerësohet puna dhe si ka evoluar ajo, është e nevojshme të publikohen auditet e brendshme të zhvilluara pas 2013 me qëllim përfundimet të jenë të krahasueshme. Shpresojmë që të mos duhet të presim për ndërrimin e qeverise aktuale, për t’u njohur nga afër me punën e Ministrisë së Zhvillimit Urban.
2- Takime konsultative?!
Siç edhe e kemi përmendur më përpara ne faqen Zyrtare të Ministrisë shpeshherë shfaqen lajmërime për takime konsultimi me grupe të ndryshme qytetarësh. Këtë muaj takimi i është zhvilluar për t’u konsultuar mbi Strategjinë e Strehimit 2015-2025 të përgatitur me ndihmën e PNUD. Problemi me informacionin që Ministria vendos në dispozicion të qytetarëve që nuk mund të merrnin pjesë në takim, duket të ketë të bëj në masë të madhe me mospërdorimin e termave të duhur gjatë projektimit të politikave publike. Më konkretisht, Ministria i quan këto takime “konsultime” me grupet e interesit, që në vetvete si term nënkupton një bashkëveprim midis dy palëve dhe shkëmbimin e ideve e eksperiencave mbi një çështje të caktuar që parashtrohet. Në rastin konkret takimet u përngjajnë më tepër prezantimit të strategjisë nga Ministria dhe në asnjë cep të portalit nuk shkruhet se cila ka qenë përgjigja e grupeve pjesëmarrëse, a ka patur rezerva ndaj strategjisë, propozime të caktuara dhe natyrisht se cilët ishin përfaqësuesit e grupeve të interesit të pranishëm, për të cilët duhet të ketë një procesverbal pjesëmarrjeje, nuk dihet. Për hir të zgjerimit të transparencës, do i propozonim Ministrisë që në të ardhmen, të bënte publike se cili është reagimi i grupeve të ndryshme të interesit në takimet konsultative që organizon në lidhje me zbatimin e politikave me interes publik. Duke patur parasysh një studim shumë të mirë të bërë nga ana e PNUD për sa i përket mënyrës së si janë zbatuar dhe cilat kanë qenë problematikat komplekse të politikave gjysmake të strehimit, do na vinte shumë keq që një politikë aq e rëndësishme për vendin tonë, të çalonte për mungesë të diskutimit të opsioneve më të mira të mundshme për implementimin e saj. Për më tepër, duke qenë se pritet që një pjesë e mirë e politikave mbi strehimin presin të kalojnë nga autoritetet vendore, do ishte me interes të diskutohej edhe mbi rolin e kompetencat e organeve vendore dhe si mund të ndikojë koordinimi në nivel vendor-qendror në suksesin apo dështimin e kësaj politike.
Referenca:
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/dokumente/raporte/raport-te-auditimit-te-brendshem-te-mzhu
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/programi-i-transparences/kerkese-per-informacion-publik