![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
1- Të gjithë duan të ikin, ministri kërkon që të presin edhe një vit
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për sa i takon lehtësisë të të bërit biznes, Shqipëria ka pësuar ulje në klasifikimin e 189 vendeve, duke u radhitur në vendin e 97, nga vendi i 68-të që ishte një vit më parë, duke humbur kështu në mënyrë të paprecedentë 35 vende. Në këtë përkeqësim ka ndikuar ndjeshëm bllokimi i lejeve të ndërtimit. Megjithatë Ministri Arben Ahmetaj deklaroi lidhur me këtë se ekonomia shqiptare ka hyrë në një rrugë të qëndrueshme reformash agresive që do të ndihmojnë konkurueshmërinë. Sipas ministrit është hartuar një paketë e re ligjore, rezultatet e së cilës do t’i shohim vitin e ardhshëm. Nuk duhet harruar se qeveria vitin e ardhshëm hyn në vitin e parafundit të mandatit dhe rezultatet janë më të ngutshme se kurrë dhe jo të pritshme me qetësi.
Por dëshmi e faktit se situata aspak e bardhë ekonomike nuk ka të bëjë vetëm me biznesin, por shtrihet edhe më gjerës se kaq, është një studim i fondacionit gjerman Friedrich Ebert, me titull Rinia Shiptare 2015 “Ndryshim i ngadaltë, mbështetje tek interneti…dhe besim tek BE!”, ku evidentohet fakti shqetësues se 60% e të rinjve duan të emigrojnë jashtë vendit, duke renditur si faktor kryesor pikërisht arsyet ekonomike, sektor që mbulohen nga ministria e Z. Ahmetaj, i cili ndoshta mendon se gjithë këta të rinj mbase duhet të presin edhe një vit që t’i ndryshojnë pikëpamjet e tyre. Do t’i rikthehemi sërish pas një viti këtij argumenti për të parë se sa ka ndryshuar situata. Duhet thënë se kjo përqindje e të rinjve që duan të largohen, është rritur ndjeshëm në raport me 53% që ishte në studimin e kryer në vitin 2011,në një kohë kur Shqipëria duhet të “Rilindte” dhe këtu nuk po flasim për emigrantë shqiptarë që lënë Greqinë për të shkruar në Gjermani në kërkim të punës, kështu që edhe kjo alibi tashmë e njohur e qeverisë bie.
Një tjetër rezultat shqetësues është rritja e papunësisë tek të rinjtë. Sipas të dhënave të vitit 2014 rreth 22 përqind e të rinjve shqiptarë pohojnë se janë të punësuar (me kohë të plotë ose të pjesshme) në krahasim me 35 përqind që raportonin se ishin të punësuar në 2011. Në raportin e fundit të INSTAT, për tremujorin e dytë të këtij viti, për popullsinë e moshës 15-64 vjeç, raporti tregon se 11,5 % e personave ekonomikisht jo-aktivë të kësaj moshe janë të papunë të dekurajuar, ndryshe mbi 83 mijë persona (83130). Pra persona që nuk kërkojnë më për punë sepse nuk kanë besim te sistemi.
Por qeveria e ka gjetur zgjidhjen edhe për këtë. Në vend që t’i stimulojë, të krijojë vende tërheqëse pune, vetëm e vetëm që ta paraqesë realitetin më të bukur se është, Këshilli Kombëtar i Punës ka miratuar në parim draft-ligjin e përgatitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë “Për punëkërkuesit e papunë”, i cili synon të frenojë fenomenin e dembelizmit, duke i hequr nga listat e të papunëve personat e regjistruar të cilët kanë refuzuar të punësohen në një punë të caktuar.
Ç’të thuash, po ulet papunësia jo duke hapur vende të reja pune, por duke “eliminuar” të papunët. Kjo kleçkë është si propagandimi i qeverisë përpara një viti se tregut i ishin shtuam mbi 100 mijë të punësuar, për të cilën kryeministri u tërhoq më në fund duke e pranuar se janë vetëm punonjës të formalizuar në sistem dhe jo vende të reja pune. Në të gjithë këtë situatë ministria e Ekonomisë ka një rol thuajse inekzistent, për të rigjallëruar ekonominë dhe rikthyer besimin e njerëzve.
2- Letër vërejtjeje nga ministria për “Superdrejtoreshën”
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj, Julinda Dhame, përveçse ka shpërdoruar 92 milionë lekë nga buxheti i shtetit sipas KLSH (mbi 100 mln po t’i shtohen edhe rastet abuzive që janë pasqyruar në raportet e ndryshme të APPA) gjë për të cilën është shpërblyer nga qeveria edhe me një post ekstra përveç atij që mbante, duke u emëruar drejtoreshë të kulturës në Bashkinë e Tiranës, sikurse lajmëronim në raportin e muajit të kaluar, vazhdon t’i mbajë me kokëfortësi të dyfishtë personale dhe qeveritare të dyja postet.
Fundja kush do të hiqte vullnetarisht dorë nga mbi 1 mln lekë të vjetra pagë mujore. Përveç shkeljeve të shumta që kemi evidentuar, drejtoresha ka pasur mangësi të rënda edhe në përmbushjen e detyrimeve që i buronin nga ligji karshi eprorëve të saj. Në fakt, nëpërmjet shkresës nr. 3418, dt. 16.07.2014, që i drejtonte ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, kur kishte në kompetencë edhe Turizmin, me lëndë “Për zbatimin e detyrimeve ligjore institucionale”, me vënien në dijeni të Zv.ministrit Alfred Dalipi dhe Sekretarit të Përgjithshëm Robert Gjini. Drejtoreshës i vihej në dukje se AKT-ja kishte mangësi në:
- Dorëzimin e në ministri të raportit mujor lidhur me ecurinë e veprimtarisë së institucionit dhe aktiviteteve të planifikuara.
- Informimin për detyrat e realizuara nga AKT sipas temave të diskutimit në mbledhjet për Task Focën si dhe çështje të tjera të cilat trajtohen nga drejtoria e Përgjithshme e Turizmit.
- Marrjen e miratimit paraprak nga Ministri përpara fillimit të procedurave për aktivitete me impakt publik dhe mediatik në fushën e veprimtarisë që AKT mbulon.
- Dërgimin për miratim në ministri të planit mujor të AKT brenda datës 29 të çdo muaji.
Kjo shkresë është e një rëndësie të veçantë sepse mund të vërtetojë dy gjëra: ose që drejtoresha vepronte me një plan të sajin personal dhe për këtë nuk i jepte llogari ministrisë, ose që nuk kishte njohuri për ligjet dhe detyrat e saj dhe për këtë neglizhonte në zbatimin e detyrës. Cilado qoftë e vërteta është e rëndë dhe i legjitimon edhe më shumë hijet e skandalit të dosjes që fle në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës pas dërgimit nga KLSH lidhur me veprimtaritë e drejtoreshës në AKT.
Referenca:
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=311732
http://ëëë.zeriamerikes.com/content/article/3025107.html
http://ëëë.mapo.al/2015/10/te-dekurajuarit-e-papune-semundja-e-re-e-europes-ne-shqiperi-jane-83-mije