![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
1- Drejt shoqërisë së vëzhgimit/përgjimit’
Sikurse pritej në tetor u publikua Projektligji për ‘’Masat shtesë të sigurisë publike’’. Risia kryesore, që ka bërë jehonë edhe në media është vendosja e kamerave të sigurisë në subjekte private dhe publike që vlerësohen si të rrezikshme për komunitetin dhe përmbushin për rrjedhojë kushtet për t’u pajisur me kamerat CCTV. Ndërsa në parim jemi dakord mbi arsyetimin që ofrohet në analizën e detajuar të projektligjit, prej neneve të parashikuara prej tij dhe pasojat e mundshme lindin disa dilema praktike, etike dhe politike.
Për të kuptuar më mirë kontekstin, analiza e projektligjit ofron edhe shpjegimin përkatës përse, sipas qeverisë gjithsesi, ka lindur nevoja për të prezantuar këtë politikë. Qëllimi primar dhe logjik i tij është rritja e sigurisë publike, lufta kundër krimit dhe terrorizmit dhe krijimi i hapësirave më të sigurta veçanërisht në ato vende ku sipas analizës së Policisë së Shtetit rrezikshmëria dhe kërcënimi nga krimi janë më të mëdha. Në përshkrimin e vetë projektligjit ‘’Ky projektligj do të angazhojë jo vetëm biznesin por të gjithë komunitetin për një angazhim më serioz në marrjen e masave parandaluese për sigurinë dhe jetën…’’ – Pra komuniteti dhe biznesi të angazhohen më tepër për garantimin e jetës dhe sigurisë, jo Policia e Shtetit!
Me gjithë dëshirën për të besuar në qëllimet pozitive të projektligjit të propozuar skepticizmi është i pashmangshëm, për disa arsye të dukshme. Fillimisht dhe në nivelin më bazik, në renditjen e aktorëve të konsultuar gjatë procesit të hartimit të projektligjit përmenden sigurisht struktura të institucioneve qeveritare dhe atyre ndërkombëtare duke mos përmendur as në mënyrë jo të drejtpërdrejtë aktorë të tjerë të interesuar jo-qeveritarë dhe jo të huaj, pra ata të cilët në fund të fundit do të duhet të jetojnë me këtë ligj dhe do duhet të mbartin pasojat e tij.
Në nivelin më praktik një dimension i skepticizmit na imponohet nga rrethanat e vendit ku jetojmë, që bën të lindë natyrshëm pyetja: Kush përfiton nga ky projektligj? (Lexo: Kush përfiton financiarisht nga kjo faturë e re që do t’i imponohet si qytetarëve ashtu edhe shtetit; A ka ndonjë lidhje të afërt apo të largët mes biznesit të shitjes së këtyre aparateve dhe interesave politike të ndërlidhura?) Ndoshta këto të fundit mund t’i marrin vesh pas hyrjes në fuqi të tij, sikurse po marrim vesh pothuajse çdo ditë detaje mbi afera korruptive me CEZ dhe në sektorë të tjerë. Nga ana tjetër llogaridhënia nuk mund dhe transparenca nuk janë emërtueset më të përshtatshme të qeverisjes në përgjithësi në Shqipëri. Për rrjedhojë, dyshimi se interesi i publikut vendoset mbi interesat personale politike dhe ekonomike është i justifikuar.
Ndërkohë që shpresojmë që interesi të jetë pastërtisht dhe qartësisht i lidhur me sigurinë e komunitetit dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi nuk mund të mos sjellim në vëmendje disa pikëpyetje mbi aspektet operacionale dhe ideimin e këtij ligji.
Së pari, si do të funksionojë ligji në praktikë? Megjithëse duhet të presim nxjerrjen e akteve nënligjore dhe dokumenteve të tjera sqaruese për ta kuptuar këtë një analizë e këtij aspekti që para miratimit të projektligjit përbën domosdoshmëri. Përse është parashikuar pajisja me kamera sigurie edhe e pallateve, duke ngarkuar administratorët si përgjegjës për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tyre. A ka çdo pallat në Shqipëri një administrator? Nëse po kush do t’i mbajë përsipër kostot e blerjes dhe mirëmbajtjes së kamerave? Nëse eksperienca ka treguar që shpesh ka vështirësi në mbledhjen e pagesave minimale për mirëmbajtjen e ambienteve fizike të përbashkëta, si mund të detyrohen tashmë me ligj banorët të blejnë edhe kamerat e sigurisë? Në nenin 17 ku parashikohen sanksionet nuk përmenden masa për këtë kategori.
Ku mbështetet qeveria në sanksionimin me gjobë deri në heqje të licencës së aktivitetit për një biznes të vogël apo të madh (Megjithëse një pjesë e mirë e bizneseve të mëdha janë tashmë të pajisur me kamera sigurie)? Si do të sigurohet transparenca dhe përgjegjshmëria në përdorimin e kamerave të vëzhgimit pa prekur jo vetëm të drejtën e privatësisë por edhe më gjerë të drejtat e njeriut.
Dilema e dytë që lind është etike po aq sa edhe filozofike. Pajisja me kamera sigurie si në ambiente publike ashtu edhe në ambiente private lejon hapësira të mëdha për abuzim me të drejtën e privatësisë. Një çështje kjo që është ngritur si shqetësim jo vetëm për kontekstin e Shqipërisë por edhe në shumë vende të tjera ku ligje të ngjashme janë në fuqi. Pavarësisht angazhimit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të drejtën e informimit në respektimin e të drejtës së privatësisë, nuk është as e tepërt as e gabuar të thuash se në Shqipëri ligjet edhe pse shpesh shumë të mirë në letër nuk respektohen dhe shkelen nga vetë autoritetet ligjzbatuese dhe mbrojtëse të ligjit. Kush mund ta sigurojë një qytetar shqiptar se vëzhgimet e tilla nuk do të keqpërdoren në të ardhmen?
Në morinë e praktikave të mira ekzistuese në lidhje me vendosjen e kamerave të sigurisë, Britania e Madhe në vitin 2013 hartoi një Kod Etike për përdorimin e kamerave të vëzhgimit në ambientet publike dhe private. Megjithëse ky projektligj është ende në gjenezën e tij, hapja e një diskutimi mbi miratimin e një ekuivalenti të kodit të etikës do të shërbente për rritjen e moderuar të besimit tek zbatimi me rreptësi i ligjit dhe moslejimi i hapësirave që do të lejonin abuzime me të.
Më specifikisht, kodi i etikës i adoptuar nga Britania e Madhe në lidhje me kamerat e sigurisë bazohet në ‘’parimin se qëllimi i Kodit të Etikës është të sigurohet se individët dhe komuniteti i gjerë ka besimin se kamerat e vëzhgimit janë vendosur për t’i mbrojtur dhe mbështetur ata, jo për t’i spiunuar ata’’. Një tjetër parim i rëndësishëm që sanksionohet nga mënyra e vendosjes dhe funksionimit të kamerave të sigurisë në këtë vend është dhënia e pëlqimit nga ana e komunitetit. Sikurse policimi në komunitet ka në themel të tij pëlqimin e komunitetit dhe marrëdhënien reciproke ndërmjet forcave policore dhe komunitetit që ato duhet t’i shërbejnë në fund të fundit qytetarëve dhe sigurisë së tyre.
Fryma e projektligjit në formën e tij aktuale është detyruese dhe nuk e respekton aspak parimin e pëlqimit nga ana e komunitetit, duke reflektuar edhe njëherë mendësinë e detyrimit të komunitetit për pranimin e ligjeve dhe politikave pa një arsyetim të qartë përse kjo nevojë është kaq urgjente dhe pse po i imponohet qytetarëve (kujtojmë me sanksione) pa marrë fillimisht mendimin e tyre. Kjo mënyrë e përgatitjes së projektligjit konfirmon sërish bindjen e aktorëve qeverisës në vend se ligjet dhe politikat (me miratimin e tyre) nuk janë në përpjesëtim të drejtë me interesin dhe mirëqenien e komunitetit.
Një nga 12 pikat kryesore të propozuara në kodin e etikës është krijimi i mekanizmave efikase të auditimit dhe vlerësimit të sistemit të kamerave të sigurisë në mënyrë që të shmangen të gjitha mundësitë për shkelje dhe abuzime (dy fjalë këto të fundit që janë lajtmotiv i jetesës në Shqipëri).
Së fundi, lind pyetja përse përveç ambienteve publike duhen ‘’detyruar’’ edhe bizneset private të vendosin kamera sigurie dhe madje të ‘’kërcënohen’’ me heqje licence në rast mos zbatimi të urdhrave të rajoneve lokale të policisë. Çfarë ngarkese do të ketë në kurriz të bizneseve dhe çfarë do të ndodhë me ato biznese që nuk kanë një xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë por konsiderohen sipas analizës së Policisë së Shtetit si zona me rrezikshmëri të lartë për sigurinë? Shpresojmë që në muajt në vijim Ministria e Punëve të Brendshme të reflektojë mbi këto pyetje dhe t’i bëjë ato pjesë të analizës së mënyrës së implementimit të ligjit. Edhe njëherë, shpresojmë që kjo mos të jetë veç një përpjekje për të favorizuar ndonjë firmë që merret me tregun e kamerave të sigurisë me kontakte dhe interesa në sferën politike.
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online:
Balkanweb.com. Tetor 2015. Ja ligji i ri për sigurinë publike: Kamera në çdo pallat, biznes dhe mjedis publik. Online: http://www.balkanëeb.com/site/ja-ligji-i-ri-per-sigurine-publike-kamera-ne-cdo-pallat-biznes-dhe-mjedis-publik/
Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë. Tetor 2015. Online: http://www.qbz.gov.al/
Home Office. Surveillance CameraCode of Practice. 2013. Online: