![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1- Një operacion zhgënjyes?!
Ecuria e operacionit anti-informalitet zuri një pjesë të rëndësishme të bisedave të qytetarëve në përditshmëri dhe media edhe përgjatë muajit Tetor. U duk se puna vazhdoi me të njëjtin intensitet: inspektorët e tatimeve dhe të punës vijuan punën me orare të zgjatura dhe nga ana tjetër bizneset pesëfishuan blerjen e kasës fiskale, prenë gati 2.2 herë më shumë kupona tatimorë dhe deklaruan një vlerë të rritjes së xhiros me 34%, të gjitha këto krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht të sipërpërmendurave (dhe shumë treguesve të tjerë që u rritën ndjeshëm dhe që janë përmendur në raportin e muajit Shtator), e pabesueshme për pritshmërite e të gjithëve (sikundër citohet në artikullin e revistës Monitor), operacioni zhgënjeu!!
Statistikat fiskale të vetë Ministrisë së Financave, për periudhën janar-shtator 2015, tregojnë një rënie në vlerë absolute të të ardhurave në shtator 2015, me 230 milionë lekë më pak se shtator 2014, apo 1% më të ulëta. Duke llogaritur dhe inflacionin (2.2% në shtator) dhe rritjen ekonomike (2.7% të pritshme këtë vit), tkurrja reale e të ardhurave bëhet edhe më e konsiderueshme, 5.9% në shtator.
Sipas këtij bilancit zyrtar të Financave, të ardhurat gjatë muajit shtator qenë edhe gati 4.1 miliardë më pak se sa plani i rishikuar ne Korrik të këtij viti. Efektin kryesor në këtë rënie shpjegohet ta ketë pasur tatim fitimi dhe akciza.
Të ardhurat nga tatim fitimi ishin 1.6 miliardë lekë, duke rënë me 26%, në një reflektim të situatës së vështirë që po kalojnë bizneset. Shtatori ishte dhe muaji i fundit i tremujorit të tretë, nëse kemi parasysh që në bazë të ligjit, tatimi mbi fitimin paguhet një herë në tre muaj. Edhe të ardhurat nga akciza ranë me 19%, në 3.6 miliardë lekë, ku sipas financave arsyeja kryesore lidhet me tkurrjen e importeve të cigareve.
Pra, përveç arrestimit të dy berberëve, një parukiereje disa tregtarëve të deleve etj. , ky operacion nuk arriti qëllimin e tij për muajin Shator, përkundrazi, po shkakton një klimë të pafavorshme për biznesin. Bizneset e vogla (të paktën ato që rihapën qepenat pas mbylljes disa ditore ) kanë filluar të heqin tabelën e reklamimit për të cilën paguhet një shumë vjetore mbi 2 mln lekë. Arsye për këtë shpjegohen të jenë shpenzimet e shumta për të blerë kasën fiskale dhe ulja e xhiros ditore. Më këtë ne nuk duam absolutisht të justifikojmë mos blerjen e kasës fiskale, pasi besojmë të jetë një detyrim për të gjitha subjektet, por do të rekomandonim politika më favorizuese për biznesin e vogël. Edhe presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford, rekomandon per qeverinë një klimë më të ngrohtë për biznesin. Sipas tij nuk duhet krijuar panik me kontrolle të vazhdueshme, madje shoqëruar dhe me forca policore, pasi kjo shkakton ndërprerje në punët e biznesit. Për shembull, masa: “të gjithë tatimpaguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë, të cilët e ribëjnë deklaratën deri në 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe u hiqet ndjekja penale”, të cilën ka prezantuar vetë Ministri Cani, është për t’u përgëzuar.
Në vijimësi të rekomandimeve të mësipërme, e gjykojmë të rëndësishme që drejtoritë e tatimeve, doganave dhe ministria përkatëse të bëj një analizë të detajuar të mosrealizimit të operacionit, dhe në deklaratat e tyre për media të mos prononcohen vetëm për realizimet, justifikimet apo “sakrificat personale”, por edhe për dështimet dhe masat konkrete që do të merren për përmirësimin e tyre, me gjithë përgjegjësinë, që direkt apo indirekt, dikujt i takon. Të gjitha këtyre ju shtohet rëndësia kur marrim në konsideratë vizitën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, gjatë ditëve të fundit të muajit Tetor.
Rikujtojmë se gjatë vizitës së qershorit nuk u arrit të nënshkruhet rishikimi i pestë të marrëveshjes për shkak se, deficiti i krijuar në të ardhurat buxhetore kishte shënuar mbi 11 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit dhe Fondi nuk është bindur me argumentet që qeveria ka dhënë për këtë mosrealizim, për rrjedhojë është bllokuar edhe kësti i radhës prej 26 milionë eurosh. Këtë herë FMN do të njihet me situatën makroekonomike (e cila siç më parë u sqarua nuk duket të jetë përmirësuar) dhe do të diskutohet paketa fiskale për vitin në vijim.
2- Përmirësime në raportimin financiar
Gjatë muajit Tetor, Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Ambasadën Zvicerane, prezantuan një fazë të re të projektit për përmirësimin e rregullave dhe praktikave të raportimit financiar në Shqipëri. Siç bën të ditur Ministria e Financave, faza e re e projektit synon të përmirësojë përgjegjshmërinë dhe transparencën e raportimit financiar të kompanive, duke harmonizuar kuadrin statutor dhe institucional të Shqipërisë me legjislacionin e BE-së. Në veçanti do të forcojë kapacitetet e kontabilistëve dhe auditorëve, do të rrisë disponueshmërinë e informacionit financiar të kompanive, dhe do të përmirësojë kapacitetet monitoruese të rregullatorëve si Ministria e Financës dhe autoritete të tjera me efektin e raportimit më të mirë financiar nga kompanitë. Një pjesë e projektit fokusohet në programin mësimor të Universiteteve me qëllim përgatitjen e studentëve për standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit.
Besojmë që e realizuar me sukses, ky projekt do të favorizojë dhe zgjerimin me degë në Shqipëri të kompanive multinacionale evropiane.
Referenca:
Balkanweb. Tetor2015. Aksioni kunder informalitetit agresiv
http://www.balkanweb.com/site/mark-crowford-per-news-24-aksioni-kunder-informalitetit-agresiv/
Ministria e Financave. Tetor 2015. Ndihme per biznesin e vogel.
Monitor. Tetor 2015. Mberrin FMN-ne ne Tirane.
http://www.monitor.al/fmn-mberrin-javen-tjeter-ne-tirane-buxheti-dhe-paketa-fiskale-2016-ne-fokus/
Monitor. Tetor 2015. Pesefishohet instalimi i kases.
http://www.monitor.al/pesefishohet-instalimi-i-kasave-fiskale-ne-shtator/
Monitor. Tetor 2015. Tatimet e doganat renie reale.
http://www.monitor.al/e-pabesueshme-por-e-vertete-tatimet-e-doganat-ne-shtator-renie-reale-5-9/
Reporter.al. Tetor 2015. Represioni ndaj tatimpaguesve nuk sjell te ardhura ne buxhet
http://www.reporter.al/represioni-ndaj-tatimpaguesve-nuk-sjell-te-ardhura-shtese-ne-buxhet/
Shqiptarja.com. Tetor2015. Zhgenjen aksioni
http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=187160