![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
Parathënie
Për disa muaj me radhë duket se puna e Ministrisë së Drejtësisë, të paktën ajo pjesë që bëhet publike dhe mediatizohet është e vakët. Madje edhe ecuria e reformës në drejtësi, temë e cila trajtohet shpesh në raportet tona, përfshirë atë të këtij muaji, nuk është realizim apo mosrealizim i drejtpërdrejtë i kësaj Ministrie, pasi ekziston një komision parlamentar i posaçëm.
Roli i Ministrit të Drejtësisë ka vijuar të konsistojë në takime kortezie me delegacion Turk të drejtësisë, me një vizitë në Londër, apo me pjesëmarrje në evente si ceremonia e diplomimit të magjistratëve, të gjitha këto jo të ndonjë vlere të shtuar direkte. Në fakt, ajo çfarë ka tërhequr më shumë vëmendje ka qenë deklarata e Ministrit Naco, në lidhje me ndryshimet në qeveri, që me shumë mundësi do të prekin dhe atë vetë, duke ia lënë këtë post të rëndësishëm në periudhën pos-miratimi të reformës në drejtësi, me shumë gjasa, kolegut Saimir Tahiri.
1- Një projektligj i rëndësishëm
Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve nga një sërë aktesh ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë si: Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues, gjatë muajit Tetor, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar.
Duke qenë një ligj që nuk prek drejtësinë e shumicës së qytetarëve direkt në përditshmërinë e tyre, ndoshta përngjan i parëndësishëm, por në fakt ka një vlerë të shtuar në përmirësimin e kushteve të trajtimit të personave të dënuar, përmes rritjes së garancive ligjore për parandalimin e shkeljeve të të drejtave të këtyre personave. Sigurisht që përforcimi i sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, do të mundësojë parandalimin e lidhjeve të mëtejshëm me botën e krimit për personat që vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë, dhe nga ana tjetër mund të ndihmojë për një proces më të lehtë vuajtje dënimi dhe ri-integrimi në shoqëri të personave të burgosur apo paraburgosur. Në këtë kuadër ky ligj duhet parë me tej sesa përmbushje e detyrimeve që vijnë nga aspiratat e integrimit në BE.
2- Rrugëtimi i reformës në drejtësi
Pas finalizimit të draftit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (vendas dhe ndërkombëtarë) në muajin Shtator, pritet që ai të shqyrtohet në komisionin e posaçëm në Venecia në fund të muajit Tetor. Në lidhje me komentet e këtij komisionit do të raportojmë në fund të vitit, pasi Komisioni do të shprehet mbi to në seancën e Dhjetorit.
Ndërkohë drafti prej 58 nenesh ka ngjallur komente dhe diskutime kryesisht nga Presidenti i Republikës, i cili është shprehur se procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë. Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj. Më tej ai tërheq vëmendje për mos përfshirje të institucionit të Presidentit dhe për kufizime jo të drejta të juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.
Referenca:
Koha jone. Tetor 2015. Reforma ne drejtesi.
Ministria e Drejtesise. Tetor 2015. Lajme
ResPublika. Tetor 2015. Reforma ne Drejtesi
Panoramal.al. Tetor 2015. Drejtesia ka nevoje per impulse
http://www.panorama.com.al/tahiri-te-drejtesia-naco-ka-nevoje-per-impulse-malore-e-fushore/
Shekulli. Tetor 2015. Nishani – reforma ne drejtesi jo transparente