![Gerion Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
1- Protestat oshtijnë në veshët shurdh
Një muaj që nis me protesta mund të duket mjaft premtues por në Shqipëri këto protesta duket se janë pothuajse të papërfillshme për çfarëdo lloj reagimi qeveritar. Viti i ri akademik nisi me një protestë nga Lëvizja për Universitetin që vazhdon të kundërshtojë reformën në arsimin e lartë, megjithëse gjithçka është vendosur tashmë.
Sipas pikëpamjes së protestuesve, Ligji për Reformën e Arsimit të Lartë ndër të tjera hap mundësinë që universitetet private të deklarojnë veten universitete publike dhe si të tillë, të përfitojnë financime shtetërore të cilat do të mund t’i ndahen atyre nga buxheti i shtetit në forma të ndryshme, si p.sh, fonde për kërkim shkencor. Gjithashtu ata shprehën pakënaqësi të theksuara për klasat e mbipopulluara dhe ambientet e vështira në të cilat zhvillohet mësimi. Sipas Nenit 16 Pika 1:
Institucionet e arsimit të lartë janë të organizuara në institucione publike, jopublike dhe publike të pavarura, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Institucionet e arsimit të lartë krijohen, organizohen, financohen, akreditohen dhe vlerësohen në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Ato ofrojnë programe të licencuara të studimeve, për të cilat lëshojnë diploma pas akreditimit të institucionit dhe programit të studimit.
Ndërsa Neni 107 thotë:
Parimet bazë të financimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë nga Buxheti i Shtetit janë:
- a) konkurrenca e lirë midis institucioneve që gëzojnë të njëjtin status sipas përcaktimeve të nenit 16;
- b) mundësitë e barabarta për institucionet e arsimit të lartë, në varësi të statusit që ato kanë;
- c) mbështetja e interesave prioritare e strategjike të vendit;
ç) shpërndarja e fondeve bazuar mbi treguesit e cilësisë së institucioneve, për mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe inovacionin e zhvillimin.
Të dy këto nene janë mjaft sqaruese në mënyrën se si gjithçka do të funksionojë. Madje i tërë ligji duket mjaft ilustrues parë në këtë këndvështrim, ndoshta edhe kjo është një nga arsyet kryesore se përse as Ministria përkatëse e asnjë nga anëtarët e qeverisë nuk po ndjehet i shqetësuar nga këto protesta.
Patjetër që një qeveri duhet të shqetësohet kur ka protesta, sidomos në lidhje me një reformë arsimore e cila prek jo vetëm një por breza dhe aktorë të tërë por me sa duket ka një problem në perceptimin e Universitetit Shtetëror si konkurrent në treg, si një aktor që duhet të luftojë tashmë për të garantuar “klientelën e tij” megjithëse dihet se për shumë prindër shqiptar (duke qenë se në të shumtën e rasteve prindërit vendosin nisur nga kontributi financiar që ata duhet të japin) perceptimi pozitiv anon më shumë në anën e Universitetit Shtetëror se sa atij privat, duke i dhënë kështu një lloj klientele pothuajse të gatshme këtij institucioni në treg.
Së fundmi universitetet private jo domosdoshmërisht do të quhen publike pasi kjo është një çështje statusi dhe balance që secili prej këtyre institucioneve vendos të zgjedhë. Por patjetër që gjithçka mbetet nën mbikëqyrjen e agjencive dhe ministrisë përkatëse e cila sido që të jetë jep një kontribut të veçante për Universitetin Shtetëror ndërkohë ato private “luftojnë” me teknika më të avancuara marketingu të të gjitha llojeve. Pritet të ndërtohet harta kombëtare e nevojave për zhvillim profesional të mësuesve, megjithëse shkolla ka nisur tashmë
Vëmendja tek mësuesit, të dimë se në cilën gjendje jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë, i përmbledhur me pak fjalë ky është mesazhi i Ministres Nikolla në lidhje me instrumentin e ri të identifikimit të nevojave për zhvillimin profesional të mësuesve të lançuar jo në formën e kontrollit por në atë të identifikimit dhe më pas marrjes së masave për përmirësimin e situatës. Forma që do të përdoret është një testim, i cili do të zhvillohet në 6 qendra vlerësimi, që janë pjesë shkollave pilot të klasave inteligjente me tableta si, Partizani, Ismail Qemali, Petro Nini, Sami Frashëri, A.Z.Çajupi, Sinan Tafaj. Testimi do të zhvillohet online, me disa turne, në klasa me maksimumi 20 mësues.
Instrumenti përmban 30 kërkesa me alternativa të cilat fokusohen kryesisht në situata nga konteksti real i shkollës, pavarësisht profilit apo ciklit ku mësuesi jep mësim. Instrumenti zhvillohet për 60 minuta në formë dixhitale. Instrumenti do të vlerësojë 4 fusha siç janë planifikimi, aspekte metodike-pedagogjike, stilin e komunikimit dhe etikës së përdorur nga punonjësit arsimor si edhe përgatitjen shkencore të mësuesve dhe zhvillimin e tyre profesional. Në përfundim të procesit, mësuesi njihet menjëherë me përgjigjet në instrumentin e zhvilluar prej tij. Në varësi të rezultateve të instrumentit, për secilin mësues përcaktohen fushat ku ai ka nevojë për zhvillim profesional. Kjo përkon gjithashtu edhe me ndërtimin e rrjetit telematik ndërkombëtar të financuar nga Qeveria Italiane në shumën 3.6 milion Eurosh.
Por me gjithë vullnetin e mirë për të vlerësuar gjendjen aktuale të cilësisë së mësuesve duket se edhe këtë vit shkollor nuk do të ndryshojë asgjë në cilësi. Mbetet për t’u parë nëse rezultatet e këtij pilotimi do të bëhen transparente dhe se si do të shkojë më tutje në vazhdim trajnimi i mësuesve i cili tashmë është kthyer në një treg më vete mes qendrash të panumërta që e ofrojnë këtë shërbim qoftë fiktiv por edhe të realizueshëm në disa raste. Për sa i përket cilësisë, gjithçka mbetet në letër ende dhe në rastin më të pakët disa ndryshime të vogla do të mund t’i shohim vetëm pas këtij viti shkollor.
Referenca:
Ligji i Ri mbi arsimin e Larte