![Brenton Kotorri](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Brentoni-300x300.jpg)
Brenton Kotorri
1- Kryeministri Botëror
Kryeministri e nisi muajin në OKB. Gjate pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, Rama pati edhe hapësire për fjalimin e tij, që ishte ndër fjalimet e para prej rendit alfabetik. Ai foli për harmoninë fetare, që duhet të pranojmë se po përpiqemi artificialisht ta zmadhojmë, dhe për njohjen e Kosovës. Gjatë vizitës në New York, kryeministri pati edhe një takim me diasporën shqiptare atje. Ai sigurisht nuk e ndjeu të nevojshme që t’u jepte atyre llogari se pse rreth 200 mijë shqiptarë të tjerë kanë vendosur të bëhen “diasporë”, dhe mezi presin të fitojnë lotarinë amerikane, dhe pse rreth 50 mijë të tjerë kanë vendosur të bëhen “diasporë” azilkërkuese rrugëve të Europës.
2- Lajme (jo të mira) nga vendi
Nga ana tjetër e oqeanit të Ramës, ne dt. 3 tetor, do të humbte jetën në detyrë Simon Gjeta, oficer i Policisë së Shtetit. Në çdo vend normal, përveç shpalljes së merituar “Dëshmor”, duhej minimalisht dënuar personi me përgjegjësi direkte për organizimin e operacionit policor, e ndoshta deri tek Drejtori i Përgjithshëm. Veç kësaj, duhet rimenduar një reformë, e cila të parashikojë më shumë ndihmë, mbrojtje dhe mbështetje për familjarët e të rënëve se sa 5 milionë Lekë dhe një rrahje shpatullash.
Lëvdata duhen dhënë për organizimin e shkëmbimit rinor me rastin e ndeshjesh së futbollit Shqipëri – Serbi. E sidoqoftë, a është kjo gjithçka duhet bërë? Është thjesht një udhëzim nga Merkel, e cila gjithsesi në deklaratën për shtyp gjatë vizitës në Tiranë, tha se nuk po shihte asgjë konkrete? Pyetja është çfarë prodhoi politikisht Samiti i Vjenës? Vullnetin për bashkëpunimin rinor?! Dhe kjo do bëhet me nisma qeveritare, diçka e ngjashme me revolucionet kulturore të komunizmit për të forcuar miqësinë me vendet e tjera të ideologjisë së proletariatit? Asnjë angazhim të paktën publikisht për të rithemeluar demokracinë, luftuar korrupsionin, klientelizimin dhe inkriminimin politik. Këto dhe të tjera çështje janë ato që mbajnë peng të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit dhe jo mungesa e shkëmbimeve rinore. Europa nuk jep para për Ballkanin e korruptuar dhe pakti i ndërlidhjes që flet Ministria e Jashtme nuk jep asnjë garanci për një perspektivë europiane të rajonit. Kur Berlini po promovon një politikë të paqes në perspektivë për Ballkanin, në realitet, “liderët” që morën angazhimin për të pajtuar të rinjtë, nxisin tensionet dhe frymën nacionaliste në Ballkan.
Përmbytjet e tetorit në jug-perëndim të vendit e gjetën gjithashtu Ramën të përfaqësuar në vendngjarje nga Proxy i tij Peleshi. A mos vallë nuk e meritonin një angazhim më emergjent familjet e prekura që pësuan dëme ekonomike të vogla për shtetin por totale për ta?
Ndërkohë, në datën 16, Peleshi, mban një deklaratë në konferencën për reformën në fushën e shërbimit veterinar, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi e përcaktoi qëllimin e kësaj reforme madhor, që synon realizimin e kontrollit në të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma deri tek konsumatori, duke eliminuar fragmentarizimin e kontrollit përmes një institucioni të unifikuar.
Ngritja e një institucioni të unifikuar në shkallë vendi, – u shpreh Zëvendëskryeministri, – do të zgjidhte përfundimisht fragmentarizimin dhe mbivendosjen e këtij shërbimi në shumë pika dhe institucione, duke krijuar mundësinë e kryerjes së kontrollit në të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë. Sigurisht që asnjë garanci nuk jepet për këtë reformë, dhe populli mbetet një kavje eksperimentale edhe kur vjen fjala tek ushqimi. E gjitha kjo në një kohë kur “Global Food Security Index” nuk e përfshin fare Shqipërinë (i vetmi vend në rajon i pa përfshire) në raportin e vitit 2015, sepse ky institucion e ka të pamundur ta monitorojë sigurinë ushqimore në vend, ndërkohë që ka arritur të monitorojë pjesën më të madhe të kontinentit afrikan.
Kur vjen çështja tek festimi i “Një vit reprezalje ndaj popullit lidhur me energjinë”, Rama shprehet se:
Një kompani e marrë fund me 1 miliardë dollarë borxhe të krijuara në vetëm 6 vjet, nga viti 2007 në vitin 2013. 1 miliardë dollarë borxhe. Një kompani, këtu shumë prej jush janë pjesë e saj dhe kanë kujtesë të mjaftueshme për ta mbajtur mend, që në 2007-n e nisi nga e para me të gjithë librat e llogarive të pastruara. E që vetëm nga janari në gusht të 2013-s periudhë e shembjes fatale të shtetit brenda sektorit, akumuloi 270 milionë dollarë borxhe. Ishte koha kur qeveria vendosi ta sulmojë kompaninë me Policinë e Shtetit. Të përzërë privatizuesit e saj dhe të vendosë në krye të kompanisë një militant politik për qëllimet e zgjedhjeve të qershorit 2013, duke hapur në të katër anët, rrugën e abuzimeve dhe të vjedhjeve me shpresën se nga ato rrugë do të vinin dhe votat që mund ta mbanin në këmbë atë qeveri të rrënimit shumë përmasor të Shqipërisë.
Por Rama nuk përmend skamjen që solli në popull aksioni i menjëhertë dhe jo gradual, aksioni i domosdoshëm, por i pamenduar, aksioni i pamëshirët dhe johuman, aksioni që i mori jetën Qani Zeles në dhjetor 2014 në burgun e Rrogozhinës, Llazar Nasit në shkurt 2015, apo edhe Arif Dodës vetëm pak javë më parë në Qytetin Studenti, Tiranë. Askush nuk i kthen në jetë këta burra, as pot ë kërkohej falje. Çështja është, a e ka çuar ndonjëherë ndërmend Rama që të kërkojë falje. Përkundrazi, ai e feston një vjetorin si arritje. Ai nuk përmend as aferat korruptive e abuzive të lidhura me OSHE-në, CEZ-in, dhe gjithë aksionin e qeverisë. Sigurisht që nuk i përmend, sepse shpreson që Shqiptarët t’i harrojnë, sa më shpejt madje, aq më mirë.
3- Lajme (jo të mira) nga bota
Në Çeki, Kryeministri deklaroi si pa të keq se “Nga janari 2005, Shqipëria ka eksportuar në Çeki, mallra me vlerë 48.9 milionë euro, ndërsa Çekia ka eksportuar në Shqipëri, mallra me vlerë 225 milionë euro.” Sigurisht që po ta elaboronte më shumë këtë të dhënë, do dilte në përfundimin që fajin e ka qeveria e mëparshme dhe asnjë përqindje qeveria aktuale që ka hyrë në vitin e parafundit të mandatit.
Edhe pas vizitës së fund muajit në Hong Kong, Kryeministri u kthye duarbosh, po të mos përmendim një ofertë të kinezëve për të mbledhur TVSH-të e bizneseve tona.
4- Transparenca.al
Me të drejtë, shumë ekspertë vendas të medias e propagandës e kanë konsideruar portalin e ri qeveritar si një mekanizëm tipik me tipare totalitariste. Ky portal, sikurse sqaruar edhe nga Endri Fuga, do të shërbejë, për të thënë “Të vërtetat” e vërteta të akuzave, dhe rreth akuzave të opozitës dhe medias ndaj qeverisë. Ky individ, ka talentin e jashtëzakonshëm për të informuar “siç duhet” dhe siç ne kemi nevojë por s’e kemi kuptuar akoma dhe ai dëshiron të na hapë sytë. (Mbi parimet e informimit lexo edhe “Principet e Dezinformimit” nga reporter.al.
E megjithatë në kuadër të transparencës, Kryeministri do bënte mirë të tregohej transparent, i hapur dhe llogaridhënës për të treguar se pse nuk e mbajti dot premtimin dhe garancinë se 5 prioritetet e vendosura nga KE për Shqipërinë do të plotësoheshin deri në vjeshtë.
Referenca:
Lajmet e Kryeministrisë
http://www.kryeministria.al/al/neësroom/lajme
Deklarata e Merkel gjate vizitës ne Tirane
http://www.tirana.diplo.de/contentblob/4565018/Daten/5634428/150708_PK_MerkelRama.pdf
Analize nga Afrim Krasniqi – Procesi i Berlinit dhe Shqiptaret
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=344899
VKM 7 tetor.
Vizita ne ceki
Transparenca.al
https://www.youtube.com/ëatch?v=Uku4FnE-5HE&feature=youtu.be
Global Food Security Index
http://foodsecurityindex.eiu.com/Country
Siguria Ushqimore
Një vit aksioni i energjisë
http://www.kryeministria.al/al/neësroom/lajme/rezultatet-e-nje-viti-ligjshmerie-ne-energji&page=3
Vetë varja Qani Zela
http://telegraf.al/kronike/rrogozhine-vetevaret-ne-qeli-ne-paraburgim-per-vjedhje-energjie
Lajmi për vetë varjen e Llazar NAsit
Vetvrasja Arif Doda
Akuza ndaj Metes
Rama ne Hong Kong
Principet e Disinformimit
http://www.reporter.al/principet-e-disinformimit/
Rama, 5 prioritetet permbushen ne vjeshte