
Megi Llubani
Lënia pas e pushimeve verore solli një valë iniciativash ligjore për ministrinë e Punëve të Brendshme, duke e kthyer shtatorin në një muaj të ngarkuar, por edhe të mbushur me kontradikta për shkak të sulmeve personale ndaj vetë ministrit (veçanërisht nga selia e Partisë Demokratike – duke shënuar rekord).
1- Iniciativat ligjore me VKM
Në fillim të muajit (4 shtator 2015) në Fletoren Zyrtare u botua VKM 702 datë 26.08.2015 Strategjia e Rendit Publik 2015-2020 dhe Plani i Veprimit 2015-2017. Dy nga risitë që bien në sy në hartimin e këtij dokumenti janë:
1- Realizimi i analizës së performancës së jashtme dhe të brendshme rreth punës së Policisë së Shtetit (kryer në bashkëpunim me SIDA dhe IDRA)
2- Fokusi më specifik tek policimi në komunitet krahasuar me Strategjinë Sektoriale të Rendit Publik 2009-2013.
Pavarësisht risive dhe qëllimeve fisnike të asaj, që strategjia synon të arrijë, siç ndodh shpesh në Shqipëri, këto politika, ose nuk materializohen, ose nuk perceptohen si të suksesshme nga ana e shoqërisë, në rastin më të mirë nëse këto iniciativa njihen nga komuniteti. Kështu, në një sondazh të zhvilluar nga IDRA rreth pandëshkueshmërisë, shfaqen një sërë të dhënash interesante se si perceptohet institucioni i Policisë së Shtetit në pikëpamjen e qytetarëve shqiptarë ose bazuar në eksperiencat e tyre. Të pyetur se cili është institucioni më i suksesshëm në hetimin dhe raportimin e shkeljeve të ligjit, një shumicë dërrmuese prej 74% përmendin si të parën median dhe vetëm 9% i referohen Policisë së Shtetit si opsionin e tyre të parë. Një shifër e tillë është alarmuese, pasi një funksion i tillë, që është primar për një institucion si Policia e Shtetit, i atribohet një mediumi që luan rol të rëndësishëm në Shqipëri, por që nuk ka fuqi vendimmarrëse në këtë aspekt.
Nga ana tjetër, krahasuar me institucione të tjera shtetërore, Policia e Shtetit gëzon më tepër besim ndër qytetarët (në një shkallë 51 nga 100), ndërkohë besimin më të ulët e kanë te Gjyqësori (26 nga 100). Të dhëna të tjera, që japin një mesazh të miksuar mbi punën e Policisë së Shtetit janë se shumica dërmuese beson që ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë nga ana e policisë (68%), megjithatë nga fokus grupet e organizuara dhe përgjigjet e dhëna për performancën e policisë vitet e fundit vihet re një prirje përmirësimi në perceptimin e qytetarëve.
Duhet vënë në dukje gjithashtu se në anketimin e organizuar po nga IDRA në lidhje me vlerësimin e jashtëm të performancës së Policisë së Shtetit duket se është rritur dukshëm perceptimi se puna e kësaj të fundit është përmirësuar vitet e fundit (73% në 2014 krahasuar me 36% në 2011). Ky ndryshim gradual në mënyrën se si perceptohet puna e forcave të rendit në Shqipëri është tregues se, pavarësisht rasteve të evidentuara përgjatë raporteve të APPAs dhe atyre në media, ekziston një prirje pozitive për ndryshimin e imazhit të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Kjo duhet inkurajuar edhe më tepër, veçanërisht përmes strategjisë, që porsa është miratuar.
Nëse krahasojmë Strategjinë aktuale dhe atë të mëparshme, vihet re një qasje ndryshe ndaj performancës së Policisë së Shtetit për periudhën pararendëse ndaj strategjisë (në varësi të përkatësisë politike përgjegjëse për periudhën pararendëse). Nëse Strategjia aktuale bën një analizë të zgjeruar të dështimeve të Policisë së Shtetit në vitet e fundit (veçanërisht kur në pushtet ishte opozita), Strategjia 2009-2013 në analizën e situatës dhe performancën e Policisë së Shtetit në periudhën paraardhëse flet kryesisht për arritje dhe përmirësime (duke patur parasysh se po analizon punën e të njëjtës administratë).
Sa u përket prioriteteve, në strategjinë aktuale vihet re një përshtatje me kontekstin kohor dhe të sfidave, me të cilat po përballet dhe mund të përballet Shqipëria në vitet në vijim, siç është çështja e emigrimit. Menaxhimi i integruar i kufirit dhe emigracionit përbën me të drejtë një prej prioriteteve të strategjisë, nëse kemi parasysh zhvillimet më të fundit në Shqipëri, në vendet fqinje dhe në vetë vendet anëtare të BE-së me krizën e refugjatëve dhe azilkërkuesve. Në të njejtën kohë, përmbushja e kritereve të Bashkimit Evropian në këtë fushë reflekton hapat që ka bërë Shqipëria, duke e sjellë atë pranë hapjes së negociatave për anëtarësim. Megjithatë, vëmë në dukje se, pavarësisht punës intensive të ministrisë së Punëve të Brendshme veçanërisht muajt e fundit në lidhje me luftën kundër ekstremizmit fetar dhe potencialit që ky i fundit të kthehet për sfidë të konsiderueshme për Shqipërinë, çuditërisht kjo nuk del ndër prioritetet e vendosura nga Strategjia.
Një nga synimet ambicioze të strategjisë është rritja e përfaqësimit të grave, nga 6.5% që është aktualisht, në 19% deri në vitin 2020. Megjithëse është treguar shpesh se rritja sasiore e përfshirjes së grave në fusha të ndryshme të jetës publike nuk garanton përfaqësim cilësor, ky është një hap i rëndësishëm për dhënien e incentivave për gratë që të bëhen pjese e sektorit të sigurisë në Shqipëri. Nëse studiojmë shifrat e përfaqësimit të grave në forcat policore në vende të ndryshme të BE-së, do të shohim se objektivi i vendosur është relativisht ambucioz (në vetë vendet e BE-së mesatarja e grave në forcat policore marrë së bashku është 19% – të dhëna nga 2012). Nga ana tjetër, niveli aktual i pjesëmarrjes së grave në policinë shqiptare është mjaft i ulët krahasuar me vendet e BE-së, ku shifra më e ulët e grave në polici është 10% (në Rumani), ndërkohë që në zona të tjera, si për shembull në vendet nordike dhe balltike ajo arrin deri në 30%. Mbetet për t’u parë me kalimin e kohës nëse ky objektiv ambicioz dhe të tjerë të vendosur në strategji do të arrihen vërtetë, apo do të mbeten si shumicën e rasteve thjesht objektiva në letër, ose ‘’wishful thinking’’.
Pas miratimit të ligjit për Policinë e Shtetit në korrik 2014, parashikohej nxjerrja e akteve nënligjore nga ana e ministrisë dhe Këshillit të Ministrave brenda 6 muajve nga botimi i ligjit në Fletoren Zyrtare. Strategjia aktuale parashikon përfundimin e akteve ligjore në qershor 2015 (6 muaj me vonesë), megjithatë, pavarësisht kërkimeve të APPAs për të gjetur aktet nënligjore, nuk duket se janë të disponueshme online, ose ende nuk janë përgatitur, që do të ishte mospërmbushje e qartë ligjore.
Bie në sy gjithashtu rikthimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me gjithë hedhjen poshtë nga Gjykata Kushtetuese si e papërputhshme me ligjin. Ngritja e një strukture të tillë me sa duket ka filluar që në maj të këtij viti (sipas Planit të Veprimit) puna për organizimin strukturor të BKH-së. E çuditshme është që përgjatë strategjisë nuk përmendet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërkohë që në Planin e Veprimit përmendet ngritja e saj brenda këtij viti? Do të kërkonim më tepër transparencë nga ana e ministrisë, por edhe qeverisë, në lidhje me zhvillimet në këtë temë, veçanërisht pas debatit që shkaktoi propozimi për ngritjen e saj në fillim të këtij viti.
Meqënëse Strategjia sapo është miratuar, muajt dhe vitet në vijim do të dëshmojnë efikasitetin e saj përtej analizës së detajuar të nevojave të komunitetit për përmirësimin e punës së Policisë së Shtetit dhe arritjen e objektivave të vendosura. Ndërkohë, pjesë të tjera të kësaj strategjie dhe iniciativave të tjera ligjore të ndërmarra këtë muaj do të rimerren në muajin pasardhës, për t’u analizuar. Duam të tërheqim vëmendjen ndërkohë se një strategji kaq e rëndësishme ka zënë shumë më pak vend në media dhe në hapësirën publike krahasuar me akuzat personale ndaj ministrit të Punëve të Brendshme. Tradita e injorimit të politikave publike për hir të sulmeve personale politike vazhdon në shoqërinë shqiptare, ndërkohë që vendime të rëndësishme me impakt të menjëhershëm në sigurinë dhe rendin në vend anashkalohen me një lajm, që thjesht deklaron miratimin e kësaj politike, pa analizuar elementet dhe pasojat e saj.
2- Sërish mbi transparencën dhe të drejtën e informimit
Raporti i muajit gusht u fokusua kryesisht në Programin e Transparencës të nisur nga qeveria aktuale dhe që vlen për çdo ministri të linjës, përfshirë ministrinë e Punëve të Brendshme. Konstatuam se, pavarësisht kornizës ligjore dhe detyrimeve për të zbatuar programin e transparencës përmes Koordinatorit për të Drejtën e Informimit, u kritikua fakti që në faqen zyrtare të ministrisë nuk janë paraqitur një pjesë e mirë e dokumenteve, që parashikon programi i transparencës dhe ligji mbi të drejtën e informimit, të cilat duhet të jenë lehtësisht të aksesueshme dhe pa nevojë për paraqitjen e kërkesës zyrtare pranë ministrisë. Për të mbështetur pretendimet tona mbi fakte, këtë muaj APPA ju drejtua Koordinatorit për të Drejtën e Informimit me një kërkesë zyrtare për informacion lidhur me planet e ministrisë në muajt në vijim në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, si edhe informacion mbi numrin e shqiptarëve që janë larguar nga Shqpëria për t’ju bashkuar luftimeve në Siri dhe në vende të tjera. Megjithëse kërkesa është dërguar në datë 10 shtator (pra kanë kaluar shumë ditë, ndërkohë që afati i përgjigjes është 10 ditë pune) ende nuk kemi marrë informacionin e kërkuar, që duhet të jetë publik. Duhet thënë gjithsesi se ditën që është dërguar kërkesa për informacion kemi marrë përgjigje të menjëhershme nga personi i kontaktit (Koordinatori për të drejtën e informimit) se materiali do të përgatitej sa më shpejt të jetë e mundur. Deri tani duket se është më tepër neglizhencë nga ana e institucionit se sa mungesë gatishmërie për të dhënë informacionin e kërkuar.
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online:
Strategjia Sektoriale e Rendit Publik 2009-2013. Online:
Strategjia e Rendit Publik 2015-2020. Online:
IDRA. 2015. Pandëshkueshmëria: Opinioni publik mbi kuptimin, arsyen dhe rolin e institucioneve. Hulumtim kombëtar. Online:
http://www.idra-al.org/en/pdf/impunity_2014/impunity_final_report.pdf
IDRA. Shtator-Tetor 2014. Anketim mbi nivelin e kënaqësisë me shërbimet policore. Online:
http:/www.cp-project.al.arqilekosta.com/ëp-content/uploads/2014/12/pss_2014_raporti-shqip.pdf
Institute for Public Security of Catalonia. 2012. Women in Police Services in the EU. Online:
www.isp.policja.pl/doënload/12/4840/ëomëinpoliceserviceseu2012.pdf