![Flutura Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/1fgh-e1433254384195.jpg)
Flutura Gjana
1- Subjekte që shkatërrojnë mjedisin
Lejet koncesionare janë një nga format, me të cilën pasuria publike është shkatërruar në mënyrë të konsiderueshme. Rasti më tipik janë subjektet që punojnë në industrinë minerare. Aktualisht janë 696 leje minerare aktive. Subjektet që kanë këto leje minerare po shfrytëzojnë pa kriter burimet minerare dhe nuk përmbushin detyrimet ligjore që kanë lidhje me pagesat e garancive financiare të mjedisit. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka deklaruar se mbi 50% e këtyre kompanive veprojnë në mënyrë të paligjshme. Raportohet që edhe subjektet që kanë kontrata hidroenergjitike nuk kanë përmbushur detyrimin e heqjes së fondit pyjor. Edhe pse në tetor të vitit 2014 Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin minerar për të përmirësuar procedurat ligjore dhe cilësinë e menaxhimit në këtë sektor, situata pas pothuajse një viti nuk ka asnjë përmirësim.
Një element i rëndësishëm, që shprehet qartë në ligj, është rehabilitimi progresiv i mjedisit që duhet të realizohet në këto zona ku shfrytëzohen minerare. Detyra vjetore e subjekteve minerare është rehabilitimi i mjedisit, sipas një projekti të detajuar dhe që supozohet të vlerësohet nga strukturat përgjegjëse të ministrisë. Realisht a ndodh kjo? Në qoftë se kjo do të ndodhte, nuk do të gjendeshim në këtë situate katastrofike të mjedisit në zonat ku këto subjekte ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Në 23 shtator, mes Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP) dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi. Qëlllimi i saj është bashkëpunimi dhe mbështetja reciproke ndërmjet strukturave të ISHMP dhe AKBN-së, për zbatimin me korrektësi të legjislacionit rregullator, normave teknike e standardeve në fuqi, që veprojnë në fushën e mjedisit dhe në shfrytëzimin e burimeve natyrore. Marrëveshja detyron çdo subjekt që, përveç taksës prej 500 mijë lekësh në vit, të mbjellë tre fidanë të rinj për çdoë pemë të prerë. Por asnjë nga këto detyrime nuk përmbushet. Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit nuk realizon në mënyrë periodike kontrollet që të verifikojë zbatimin e ligjit dhe kushtet e lejeve mjedisore që kanë këto subjekte për të kryer aktivitetin e tyre.
2- Vazhdon skandali i HEC-eve
Më 10 gusht është botuar në fletoren zyrtare vendimi që i hap rrugë ndërtimit të një hidrocentrali të dytë pas Kalivaçit në lumin Vjosë. Vendim, që bie ndesh me atë që qeveria ka lobuar gjatë periudhës elektorale, që lugina e Vjosës do të kthehej në zonë të mbrojtur. Vjosa konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, lumë që rrjedh natyrshëm që nga burimi i tij në Greqi, e deri në grykëderdhjen në detin Adriatik. Çdo ndërhyrje sado e vogël, do të shkatërronte këtë trashëgimi që na ka lënë natyra, imagjinoni çfarë do të ndodhë pas ndërtimit të hidrocentraleve në shtratin e saj.
Pra ky vendim është miratuar dhe nga ministri ynë i Mjedisit, ministër i një ministrie që ka për mision: ’’të hartojë dhe propozojë politika, strategji dhe plane veprimi për mbrojtjen dhe administrimin e mjedisit, pyjeve, ujërave…’’. Pse nuk po mbron këto të pakta pasuri natyrore që na kanë mbetur? Ndërkohë që ndërtimi i këtij hidrocentrali kundërshtohet nga organizatat mjedisore vendase dhe të huaja, si dhe nga Parlamenti Europian, kryeministri ynë as nuk do tja dijë. Vjosa s’mund të jetë park kombëtar nëse resht së qenuri një lumë i “egër”.
3- Puka pa pyje
Kalimi i Drejtorisë së Pyjeve të Pukës në qytetin e Shkodrës ka pasojat e veta negative. Ndërkohë që ministria e Mjedisit zhvillon dëgjesën me publikun për projektligjin “Për Administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë’’, në Pukë ndodhte prerja e pemëve të reja. Pemët janë prerë, e më pas janë transportuar për t’u shpërndarë drejt qyteteve të tjera. Pavarsisht masakrës që po u bëhet pyjeve të Pukës, asnjë person apo institucion përgjegjës nuk ka reaguar për të dënuar fajtorët dhe për të rehabilituar situatën.
Referenca:
Lista e lejeve minerare
http://www.energjia.gov.al/files/userfiles/Tabela_aktive_2014.pdf
Artikull: Agasi, 50% e lejeve minerare veprojnë në mënyrë ilegale
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=309178
Artikull: Zhvillohet Dëgjesa Publike “Për Administrimin e Fondit Pyjor”
Rama shkel premtimin për hidrocentralet mbi lumin Vjosë http://www.reporter.al/rama-shkel-premtimin-per-hidrocentralet-mbi-lumin-vjose/