1-Cmimi i tolerancës fetare!
Në eventet e 3 ditëve të takimit të 28-të Ndërkombëtar të Paqes padyshim që nuk ndaluan refrenet që tashmë i kemi mësuar dhe në gjumë! Toleranca fetare, shembull për jetesë në harmoni fetare, vlera për bashkëjetesë fetare, të gjitha këto u vunë në dukje nga të gjithë, duke përfshirë dhe ministrin Klosi, sikur kjo është ajo që rrit punësimin, mirëqenien e iu ndihmon klasave të vuajtura të shoqërisë. Në Shqipëri mirëqenia nuk ka arritur në ato nivele të maturitetit, që të kemi luksin e eventeve të padobishme për të krijuar “brand”-in tonë!
MMSR-ja harxhoi plot 83.089.398 lekë pa TVSH, tender ky i fituar nga Studio EGA Sh.p.k, adresa: ROME (RM) VIALE TIZIANO, 19 CAP 00196. Të organizosh “Lutjet e Paqes”, event ky që nuk i sjell asnjë dobi të dukshme Shqipërisë, përvec dukjes në syrin ndërkombëtar ashtu siç e do zakoni i kësaj qeverie. Dhe Klosi shkoi me karvanin, duke vazhduar të njejtin avaz. Këto miliona lekë nuk janë të justifikueshme, taksat tona vazhdojnë të keqpërdoren për “interesa afatëgjatë”, që vetem qeveria i kupton… Të paktën të kishte fituar tenderin ndonjë kompani vendore e të sillte të ardhura në vend!
Skandal i pafalshëm i Z. Veliaj dhe Z.Klosi ishte dhe dalja e Julinda Dhames në publik për prezantimin e eventeve. Gjëma që bëri sjellja e Drejtoreshës së Agjensisë Kombëtare të Turizimit nuk i shkonte për shtat këti eventi dhe përfaqësimit të Bashkisë së Tiranës me të në eventin “Lutjet e Paqes”. Duket sikur Veliaj po i jep ndihmën dhe këshillat e tij Z. Klosi akoma! Si mund të besojnë qytetarët që edhe këto miliona lekë nuk u keqpërdorën nëse Dhame ishte pjesë e organizimit…
2- Klosi ish të dënuarit i bën drejtorë!
Në fillim të muajit shtator deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka denoncuar drejtorin e shkollës së mesme profesionale “Kristo Isak” në Berat, Armelin Cili, të cilin ministri Klosi e emëroi drejtor më datën 1 shtator. Armelin Cili është një i dënuar në vitin 2011, me 12 muaj për korrupsion. Fillimisht, kjo u mendua të jetë një vazhdimësi e goditjeve pa baza të PD-së, por nuk rastisi të ishte kështu! Pas reagimit të MMSR-së, u verifikua dosja e Z.Cili, që rezultoi se në dosjen e tij ai kishte vërtetimin se rezultonte i padënuar. Pas rishikimit të dosjes në gjykatë të Z.Cili, u konkludua se ai nuk kishte deklaruar gjatë konkursit se kishte qenë i dënuar! Pse duhet të besojmë që në një qytet të vogël si Berati njerëzit nuk e dinin që ai me pak se 4 vite më parë ka qenë i dënuar për korrupsion? Pse verifikimi në gjykatë nuk u bë para denoncimit?! Po sikur Z. Boçi të mos e denonconte? Njerëz të korruptuar si Z. Cili kemi gjithandej, mjafton një verifikim amatoresk i veprimtarive të përditshme në zyrat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë e gjithashtu të Qeverive lokale! Ah, se pasi gjithë asaj që ndodhi nuk e thamë gjënë më të rëndësishme! Z.Cilit iu kërkua dorëheqje sepse vepra penale për të cilën ai ishte i dënuar bie ndesh me parimet dhe etikën e MMSR-së…
3- Pak punë për të rinjtë dhe të burgosurit!
MMSR-ja gjatë shtatorit ka vendosur të ndihmojë të sapodiplomuarit e ciklit të parë të studimeve, 2.500 të rinj do t’i bashkohen administratës shtetërore, duke u punësuar për praktika 3-muajshe. Gjithashtu një tjetër aktivitet i rëndësishëm i muajit ishte ndihma për gratë e burgosura, duke iu ofruar atyre kurse e trajnime profesionale. Çertifikatat e ndara për 29 gra që vuajnë dënimin në burgun e Vaqarit i kanë trajnuar ato për: sekretare, kujdestare fëmijësh dhe udhëheqëse të guidave turistike. Ky aktivitet do të vazhdojë dhe më tej, deri sa të arrihet numri i të trajnuarave në 182.
4- Verifkimi i moskontrollit në muajt e kaluara në Bujqësi
MMSR-ja në analizën e numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë ka verifikuar rënie në numrin e të siguruarve. Kjo është si pasojë e të punësuarve informalë në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2015 numri i të punësuarve të rregullt është ulur! Ky rezultat tregon se MMSR-ja gjatë muajve të kaluar nuk ka kontrolluar punën e inspektorëve të sigurimit të të vetëpunësuarve. Z. Klosi kerkon nga drejtorët e drejtorive të shkarkojnë inspektorët që nuk arrijnë objektivat e punës, duke e vënë gjithë barrën e kësaj parregullsie mbi inspektorët. Sikur MMSR-ja të punonte më shumë me Drejtoritë e Drejtorive, sikur rregulloret të zbatoheshin, efekti i mosarritjes së objektivave nuk do të prekte inspektorët… Të gjithë janë në të njejtin “zinxhir”, duke transmetuar parregullsitë tek njëri-tjetri e duke fajësuar “hallkën e fundit të zinxhirit”…
Referencat:
Web Faqja Zyrtare e MMSR. Shtator 2015.
Televizioni KLAN. Shtator 2015.
http://tvklan.al/29-te-denuara-marrin-certifikatat-profesionale/
http://tvklan.al/bujqesia-sektori-me-informal-i-punesimit/
http://tvklan.al/veliaj-emeron-drejtoreshe-te-akuzuaren-per-korrupsion/
Gazeta Mapo. Shtator 2015
http://www.mapo.al/2015/09/akuzat-e-pd-klosi-shkarkon-drejtorin-e-shkolles-profesionale-ne-berat
Portali Balkanweb. Shtator 2015.
http://www.balkanëeb.com/site/lutja-e-paqes-klosi-4000-vizitore-ne-tirane-kemi-marre-masat/
Portali My Media. Shtator 2015.
http://mymedia.al/ministria-e-blendi-klosit-830-mln-leke-tender-per-diten-e-lutjeve/