![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1- Operacioni Anti-informalitet
Si masa e fundit që merret në rastin e një “sëmundjeje”, operacioni anti-informalitet nisi në fillim të muaj shtator. Ishte bërë disa herë thirrje për këtë operacion rreth fundit të muajit gusht edhe nga vetë kryeministri (i cili insiston ta quajë këtë një operacion dhe jo aksion), prandaj dhe kjo kishte shënuar rritje në masë të blerjes së kasës fiskale, e cila në versionin e saj më të ri kushton 330 euro.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë së Financave: “Për periudhën 1 korrik-16 shtator 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, është gati 3-fishuar numri i pajisjeve të reja fiskale që raportojnë në sistemin e Tatimeve. Është rritur me rreth 26 milionë (+57 përqind) numri i kuponëve tatimorë të lëshuar prej pajisjeve fiskale, ndërkohë që është shtuar me rreth 33 miliardë lekë (40.4 përqind) sasia e xhiros së deklaruar gjatë kësaj periudhe nga pajisjet fiskale”. Gjatë periudhës 7-18 shtator, grupet e përbashkëta të Drejtorisë së Tatimeve dhe Inspektoriatit të Punës në çdo rreth kanë ushtruar 36.372 kontrolle tek subjektet dhe kanë konstatuar shkelje tek rreth 11% e tyre. Shkeljet më të mëdha konsistojnë në mospasjen e pajisjes fiskale dhe në mospasjen e faturave për mallin e inventarizuar. Punonjës të padeklaruar janë konstatuar në 574 raste.
Puna është kaq intensive, sa punonjësit e angazhuar në këtë operacion punojnë rreth 12 orë në 7 ditë ditë të javës. I gjithë ky angazhim ka ardhur pa një shpërblim shtesë, ashtu siç edhe vetë Kodi i Punës e kërkon, Kod të cilin këta punonjës a kanë për detyrë t’ua kontrollojnë për zbatim subjekteve të inspektuara. Në një takim me këta punonjës, drejtoresha Shehaj u shpreh se është vetëm detyra e tyre, detyrë, të cilën ata nuk e kanë bërë ndër vite, prandaj dhe situata është në këtë gjendje. Por, a është filozofia e shtetit të “ndëshkojë” të mirin, vetëm sepse pakica e “të keqit” ka bërë punën gabim?
Ndjesia e përgjithshme: Të gjithë të frikësuar! Sigurisht që mund të dakordojmë që qëllimi është padyshim i mirë, por mjeti për realizimin e tij a është i tillë? Ditët e para qepenët e shumë dyqave ishin të mbyllura. Me një logjikë të ftohtë mund të themi: ok, le të paguajë taksat si të gjithë dhe më pas të ushtrojë biznesin e tij. Por, një shtet social duhet të analizojë më tej situatën. Shumicës së bizneseve të vogla, për shkak të këtij operacioni, u rrezikohet sekuestrimi i mallit për blerje të tij pa faturë me TVSH, por për këtë në të shumtat e rasteve fajin e ka biznesi i madh, i cili nuk e lëshon një të tillë, edhe nëse e kërkon. Dhe që në çdo situatë ku “i madhi e ha të voglin”, ata madje as nuk preken nga operacioni, sidomos kompanitë që bëjnë shpërndarje malli. Le të denoncojnë, jo vetëm qytetarët, por edhe çdo biznes, i cili blen mall në një biznes tjetër dhe nuk i ofrohet kupon tatimor/faturë me TVSH dhe të urojmë që, sado të mëdhenj, Tatimet do të veprojnë ndaj tyre pa favorizme. Në këtë kuadër, u miratua gjithashtu neni: “Nëse shitësi nuk lëshon kupon, bleresit i lind e drejta të mos e kryejë transaksionin”. Por a nuk bie kjo në kontradiktë me qasjen tjetër: Nëse kapesh me mall pa faturë, të sekuestrohet apo burgosesh?
Pikëpyetje tjetër që lind është: ku shkon malli që sekuestrohet? A magazinohet ai i gjithi me inventar? Mbi të gjitha, ç’do të bëhet me këtë mall, sidomos për atë që ka datë skadencë? Mendojmë që në këtë rast një VKM do të ishte e nevojshme për të amenduar situatën. Ashtu si në rastin e çdo operacioni, ne urojmë “Dalshim shëndoshë e mirë!” dhe u realizoftë qëllimi i vërtetë i këtij operacioni, ai i uljes se taksave, ashtu siç edhe kryeministri ka premtuar, pasi gjithkush të ketë paguar çfarë i takon. Sidomos në një situatë ku të dhënat e publikuara nga ministria e Financave tregojnë se të ardhurat buxhetore për muajin gusht qenë 32.4 miliardë lekë, nga 35.1 miliardë që qenë planifikuar në buxhetin e rishikuar dhe shumë më të ulëta se sa plani fillestar prej 36.4 miliardë lekësh, që qe përcaktuar në fillim të vitit. Të ardhurat tatimore të qeverisë realizuan edhe pjesën më të madhe të këtij deficiti të ri, i cili sugjeron se qeverisë do t’i duhet të rishikojë sërish buxhetin 2015 në ulje dhe të rishikojë mënyrën se si Tatimet duhen menaxhuar.
2- Pagesë për skanimim doganor – a ekziston?
Ministria e Financave bëri të ditur se që nga data data 7 shtator 2015, shoqëria koncesionare Rapiscan Systems ( e cila në prill 2013 fitoi një kontratë 15-vjeçare, e cila për mosmarrëveshje me qeverinë Rama përfundoi në Arbitrazh, ku Shqipëria u përfaqesua nga zyra avokatisë e gruas së Tony Blair, por pa ndonjë sukses) do të fillojë operimin për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe të automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, kundrejt tarifës së skanimit, për të gjithë aktivitetet, importi, eksporti dhe kalimi tranzit. Pagesa për deklaratë do të jetë 22 euro. Për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1.000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro”, sqaron njoftimi i ministrisë së Financave.
Sipas BIRN, kompania koncesionmarrëse, sipas kontratës së vet me qeverinë shqiptare, ka instaluar aktualisht vetëm një skaner në portin e Durrësit, ndërkohë që kompanitë importuese dhe eksportuese duhet sërish të paguajnë tarifën 22 euroshe edhe në të gjitha pikat e tjera doganore, pavarësisht se në këto pika nuk ka shërbim skanimi.
Shqetësimi tjetër i kompanive të biznesit, të cilat po paguajnë koston e skanimit nga dy edhe tri herë, është se atyre po u mbahet një faturë e thjeshtë, lëshuar nga administrata doganore, por që nuk përbën faturë të rregullt tatimore dhe rrjedhimisht ky nuk njihet si shpenzim i zbritshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Për më tepër, në një analizë më të detajuar, ky shpenzim prek më së shumti eksportuesit shqiptarë, të cilët importojnë lëndë të parë dhe më pas eksportojnë mall të përpunuar, duke u detyruar të deklarojnë 2-3 të njëjtën sasi malli dhe të paguajnë këtë tarifë. Për të gjitha këto problematika, gazetarë të BIRN shprehen se Drejtoria e Doganava ka refuzuar të japë shpjegime.
3- 2014 – një vit pa rritje page
Sipas Instititit të Statistikave (INSTAT), viti 2014 shënoi të parën herë që nga prej 15 viteve, që pagat në sektorin publik nuk pësuan asnjë rritje. Paga mesatare bruto e sektorit publik u rrit me 1.7 për qind në terma nominale dhe vetëm 0.1 për qind në terma reale për shkak të inflacionit në masën 1.6 për qind. Paga mesatare bruto në shtet për vitin 2014 qe 53.025 lekë. Qeveria e Shqipërisë ka rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar për mosrritjen e pagave në sektorin publik për disa vite, për shkak të disbalancave, të krijuara që nga koha e krizës së vitit 2008 dhe nuk bëhet e ditur nëse do të ketë ndonjë rritje këtë vit.
Referenca:
Ballkanëeb.com. Shtator 2015. Operacioni kunder informalitetit
Ministria e Financave. Shtator 2015. Të vendosur në luftën kundër informalitetit
Reporter.al. Shtator 2015. Skanimi që nuk ekziston
http://www.reporter.al/bizneset-detyrohen-te-paguajne-edhe-skanimin-qe-nuk-ekziston/
Reporter.al. Shtator 2015. 2014 viti i parë pa rritje page
http://www.reporter.al/2014-viti-i-pare-pa-rritje-page-qe-nga-1999-infografik/
Reporter.al. Shtator 2015. Të ardhurat e qeverisë shënojnë defifit
http://www.reporter.al/te-ardhurat-e-qeverise-shenojne-deficit-edhe-me-planin-e-ri/
Ora Neës. Shtator 2015. Lufta kundër evazionit fiskal
Shekulli.com. Shtator 2015. Lufta kundër evazionit