
Adela Danaj
1- Tregje të reja për prodhimet bujqësore shqiptare
Muaji Shtator duket se ka qënë një muaj i frytshëm për Ministrinë e Bujqësisë. Drejtuesi i kësaj ministrie, Z. Panariti, ka zhvilluar disa takime, në dukje shumë të rëndësishme, në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë në Shqipëri. Ditët e para të shtatorit, ai zhvilloi një vizitë pune në rajonin e Kharkivit të Ukrainës, ku mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar mbi Nismat Inovative dhe Investuese.
Gjatë kësaj vizite kreu i Bujqësisë zhvilloi një takim zyrtar me Guvernatorin e Kharkivit, Igor Rainin dhe zyrtarë të lartë të administratës qendrore të Ukrainës, ku ndër të tjera shprehu dhe gadishmërinë e tij për përshpejtimin dhe lehtësimin e procedurave tregëtare. Duket se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje midis palës shqiptare dhe asaj ukrainase në lidhje me eksportin e frutave dhe perimeve shqiptare në tregjet e Ukrainës. Ndërkohë, pritet që një grup zyrtarësh dhe biznesesh bujqësore të Ukrainës do të vizitojë Shqipërinë për lidhje të marrëveshjeve në fushën e import-eksporteve bujqësore midis dy vendeve.
Angazhimi i përfshirjes së mallrave bujqësor shqiptarë në tregje të huaja ka vijuar më tej. Ministri Panariti, më datë 10 shtator ka realizuar një tjetër takim, këtë radhë me homologun e tij kosovar, Memli Krasniqi, në lidhje me eleminimin përfundimtar të çdo ngërçi, i cili pengon lëvizjen e lirë të mallrave bujqësore midis dy vendeve. Këto nuk janë takimet e para që kjo ministri ka realizuar brenda këtij viti për promovimin e produkteve bujqësore shqiptare me qëllim gjetjen e tregjeve të reja dhe krijimin e marrëdhënieve midis tyre. Sigurisht që çdo lajm i këtij lloji, i raportuar jo vetëm në faqen zyrtare të ministries, por dhe në median e shkruar, po aq sa dhe në atë vizive, tingëllon mirë dhe shpresëdhëës.
Megjithatë duket se ka diçka që nuk shkon mes gjithë këtij entusiazmi. Ministri Panariti ka pak ditë që drejton vazhdimisht thirrje drejt fermerëve shqiptare, ku kërkon prej tyre formalizimin e tregëtimit të mallrave bujqësorë. Kjo do të thotë se ministria përgjegjëse për mbarëvajtjen e bujqësisë ende nuk është në dijeni të sasisë së mallrave që prodhohen realisht nga fermerët shqiptarë. Në krahun tjetër, zhvillon takime për hapjen e tregjeve për këto mallra, për të cilat as që e ka idenë se çfarë sasie dhe vlere kapin. Në këtë pozitë, aspak të favorshme, ndoshta do të ishte më mirë që fillimisht të përfundonte aksionin e formalizimit të tregëtimit të mallrave bujqësor shqiptare, për të parë se çfarë prodhohet më shumë e çfarë kërkohet më pak, e më pas të “vrapojë drejt dyerve të botës” për të krijuar ura bashkëpunimi. APPA uron që marrëdhëniet e bashkëpunimit të realizohen sa më shpejt, po ashtu sikurse uron që të kemi se çfarë të ofrojmë për tregëti në këto tregje.
Referenca:
Ministria e Bujqësisë, Shtator 2015, Ministri Panariti viziton Ukrainën, Tregje të reja për prodhimet bujqësore shqiptare:
ATSH, Shtator 2015. Shqipëri -Ukrainë/ Panariti: Së shpejti nënshkruajmë marrëveshjen për eksportet bujqësore: http://www.ata.gov.al/shqiperi-ukraine-panariti-se-shpejti-nenshkruajme-marreveshjen-per-eksportet-bujqesore-307541.html
ATSH. Shtator 2015. Panariti-Krasniqi: Hapa konkretë për lehtësimin e procedurave për lëvizjen e mallrave bujqësore: http://www.ata.gov.al/panariti-krasniqi-hapa-konkrete-per-lehtesimin-e-procedurave-per-levizjen-e-mallrave-bujqesore-309940.html
Ministria e Bujqësisë, Shtator 2015. Përfitimi i subvencioneve, Panariti: Fermerët të formalizojnë prodhimet e tyre: http://www.bujqesia.gov.al/al/lajme/njoftime-per-shtyp/perfitimi-i-subvencioneve-panariti-fermeret-te-formalizojne-prodhimet-e-tyre&page=1