![Gerion Treska](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
1- Presidenti nuk mjafton…
Data 17 Shtator shënon një “rrëzim” të rëndësishëm që afekton arsimin e lartë në Shqipëri. Kuvendi rrëzoi me 71 vota kundër, 18 vota pro dhe 1 abstenim dekretin “Për arsimin e lartë” pasi këtë i fundit Presidenti Nishani e ktheu për rishqyrtim në Parlament sëbashku me ligjin për turizmin.
Është për t’u admiruar se si funksionojnë të gjitha hallkat kur një ligj pëlqehet nga mazhoranca. Në po këtë seancë parlamentare nuk kanë munguar edhe teoritë konspirative, që mbeten në nivele speculative, ku i gjithë ky ligj i ri favorizon një ose dy universitete private, si dhe uljen e ndjeshme të nivelit të autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë. Replikat mbrojtëse të këtij ligji tashmë janë kthyer në një muzikë të regjistruar, e cila nuk heziton të “luhet” sa herë flitet kundër këtij ligji të ri. Megjithatë, ajo çka vlen për t’u përmendur është se ministrja Nikolla ka përkrahur këtë ligj si mbrojtës, madje edhe shtues së autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë. Por theksi menjëherë pas kësaj vihet te thirrja e kaherëshme e ministres për të gjitha palët e interesuara dhe të afektuara në diskutimin dhe formulimin gjithpërfshirës të ligjit. Dy janë mundësitë në përgjigjë të kësaj hipoteze:
- Palët e interesuara nuk kanë treguar serizotetin dhe disponibilitetin e duhur për t’u përfshirë në periudhën më shumë se njëvjeçare të konsultimit,
- Palët e interesuara janë paraqitur me argumentat, por nuk janë dëgjuar mendimet dhe kërkesat, që ata kanë paraqitur në takimet konsultative.
Hipoteza më e dhimbshme është që arsimi në Shqipëri është thellësisht i ndarë në luftën mes privatit dhe publikut, ku fiton ai që lobon më fort, ashtu sikurse paraqet një ndarje me bazë partiake, e cila sjell veç përçarje dhe çoroditje në të gjitha nivelet, nga më i larti tek ai më i ulti. Secila nga mundësitë e mësipërme mund të verifikohet mjaft thjeshtë, pasi për çdo takim ka mjaft materiale që vërtetojnë prezencën e pjesmarrësve, argumentat dhe diskutimet e tyre, ashtu sikurse tregon edhe ftesat e dërguara, të cilat nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Por këtë transparencë i takon ta kryejë ajo “palë” e cila është më e interesuar të fitojë. Deri më tani, asnjë nga palët, as MAS dhe as palët e pakënaqura, nuk përpiqen të zbardhin në detaje të gjithë procesin konsultativ dhe ky është një mister, i cili vjen ose nga mosdija ose nga mosdashja për të sjellë dritë në këtë kaotizëm të pandreqshëm që prodhon protesta për të pakënaqurit dhe indiferencë arrogante për të ecur përpara të politikbërësve, që nuk i përfillin protestat me vezë në dyert e Parlamentit ose edhe Kryeministrisë.
2- Tekstet, thembra tjetër e Akilit!
Tekstet shkollorë të arsimit parauniversitar janë një nga shqetësimet në të cilat kryeministri dhe ministrja Nikolla nuk mund të lëshojnë terren në aspektin e cilësisë. Nuk ka nevojë për shumë komente përsa i përket cilësisë, që le për të dëshiruar, të teksteve të arsimit parauniversitar, pasi mjafton të shohësh në facebook postime me gabime qesharake drejtshkrimore, deri në ato më të frikshmet, parimore dhe konceptuale. Megjithatë, qetësinë e ruajmë dhe nuk ka pse të penalizohet askush, nuk ka nevojë për “kokë turku”, as për vënie para përgjegjësise, por thjesht për një spastrim. Për këtë vit shkollor komisionet e ngritura nga ministria e Arsimit kanë nxjerrë jashtë tregut të librit shkollor 600 tekste, të cilat kanë rezultuar jocilësorë, që nga klasa e parë në atë të gjashtën.
Përveç nxjerrjes jashtë tregut, nuk duket të ketë asnjë masë ndëshkuese apo penalizuese, as për autorët e as për shtëpitë botuese, të cilat patjetër që mund të jenë konkurrente sërish me premtimin dhe vizionin e kryeministrit, që brenda pesë vitesh nuk do të ketë më tekste klienteliste, por cilësore dhe bashkëkohore. Që do të mbërrijmë aty, është e vendosur, por se si, kemi akoma përpara pesë vitet e ardhshme që do të na e tregojnë.
Refernca:
http://top-channel.tv/mobile/artikull.php?id=308140
http://www.reporter.al/studentet-lajmerojne-proteste-te-re-kunder-ligjit-te-arsimit-te-larte/