
Brenton Kotorri
1- Lufta kundër informalitetit në ekonomi
Sikurse dëshmuan qytetarët, e sidomos sipërmarrësit biznesmenë, muaji shtator nisi me një fushatë të vrullshme inspektimesh, për të verifikuar dokumentacionin tatimpagues të bizneseve në vend. Në fjalimin e tij të lançimit të këtij operacioni, Kryeministri deklaroi se lufta kundër informalitetit do të jetë edhe tema e 300 ditëve të treta të mandatit qeverisës. Në takimin me Dhomën e Tregtisë e Industrisë, në kuadër të këtij operacioni, Kryeministri, gjatë gjithë fjalës së tij, nuk parashtroi asgjë konkrete për strategjinë me të cilën ky operacion do të marrë jetë, e as foli për rezultate konkrete. Në vend që të parashtronte planet e shtetit për të ardhmen, vijoi të përdorte të njejtën retorikë që e ka shoqëruar gjatë këtyre dy viteve qeverisje: Foli për të shkuarën. Rama shumë herë gjatë fjalimit, bëri diferencimin mes dëshirave që ai ka për Planin e Ri Ekonomik, me realitetin taksambledhës të para dy viteve. Në teoritë e komunikimit, kjo lloj retorike kërkon, që në mënyrë indirekte, ligjëruesi t’i kujtojë popullit, që gjithsesi, sapo e ka marrë mandatin, e sapo ka filluar nga puna. Gjë që do ta ndihmonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Gustave Le Bon, prodhimi i një ligjërate të tillë përpara turmave, bën që kjo e fundit ta justifikojë kohën që ka kaluar që prej ardhjes në pushtet, sikur të ishte thjesht një kohë parapërgatitore. Ndërkohë që, në rastin tonë, kësaj qeverie i ka kaluar gjysma e mandatit tashmë. Dhe në gjysmë të këtij mandati, në një qasje sasiore, nuk janë përmbushur ende 50% e premtimeve qeverisëse.
2- Dekriminalizimi i krimit në parlament
Sezoni politik i paspushimeve të gushtit, nisi me debatet rreth dekriminalizimit. Dekriminalizimi, si term standard, nënkupton që diçka të konsideruar kriminale, të reshtësh së konsideruari ashtu e ta bësh të ligjshme. Në zhargonin politik shqiptar, dekriminalizimi nënkupton nxjerrjen jashtë Parlamentit të personave me precedentë penalë. Me të drejtë, idealja do të ishte, që në Parlament të mos jenë njerëz rastësorë, por më të mirët, më të zotët, e më të moralshmit. Debatet rreth draftit përgatitur për këtë ligj janë fokusuar më së shumti tek funksionarët publikë, sidomos deputetët dhe krerët e bashkive të Partisë Socialiste. Këta eksponentë të PS, Kryeministri nuk i mbron si të pastër, por i justifikon se, sido që të jenë, janë të zgjedhur nga populli. Për argument, mjafton të kujtojmë se me ligjin zgjedhor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, kandidatët në fakt i zgjedh partia, e në rastin tonë kryetari. Kështu, edhe një herë tjetër, kryeministri akuzën e hedhur ndaj tij, e pingpongon tek populli. Si Pons Pilati.
3- Aktet ndërkombëtare
Një prej VKM-ve më të rëndësishme të këtij muaji, ka qenë edhe firmosja nga ana e Kryeministrit e Protokollit Shtesë të Konventës së Këshillit të Europës për Parandalimin e Terrorizmit. Në këtë Fushë, Shqipëria ka qenë përgjatë dekadës së fundit, ndër vendet më të gatshme. Kryesisht në aleancë të vazhdueshme me Sh.B.A-në dhe NATO-n. Gjithashtu edhe firmosja për Miratimin e dokumentit për përcaktimin e Kontributit Kombëtar të Pikësynuar (INDC) për Shqipërinë për arritjen e objektivit global të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, për mbajtjen e temperaturave nën 2°C, duke kufizuar rrezikun e ardhshëm dhe kostot e përshtatjes ndaj ndryshimeve të klimës, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi. Në VKM e 16 shtatorit thuhet se “Ngarkohet Ministria e Mjedisit të dorëzojë, brenda datës 1 tetor 2015, dokumentin që përcakton Kontributin Kombëtar të Pikësynuar (INDC) në Sekretariatin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike”. Në një tjetër vendim, Këshilli i Ministrave ka firmosur miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.6, të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Mirëpo teksti i kësaj marrëveshjeje nuk është publikuar as në Fletoren Zyrtare.
Referenca:
Projektet e ministrive korrik 2014, maj 2015
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me përfaqësues të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë dhe shoqatave të biznesit
Gustave Le Bon, Psikologjia e Popujve dhe Turmave
http://socserv2.socsci.mcmaster.ca/~econ/ugcm/3ll3/lebon/Croëds.pdf
Debatet mbi dekriminalizimin
VKM 16 shtator
Dokumenti i OKB
http://unfccc.int/resource/docs/2015/adp2/eng/4infnot.pdf
VKM për firmosjen e Protokollit shtesë të CoE
Protokollli Shtesë për parandalimin e terrorizmit
http://conventions.coe.int/Treaty/EN/Treaties/Html/ProtTerrorism.htm
VKM 22 shtator