![Adela Danaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Adela-240x300.jpg)
Adela Danaj
Në kuadër të përmirësimit të shërbimit të politikave publike, ku raport ka si qëllim evidentimin e rasteve kryesore problematike që lidhen me aktivitetin e Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, nen drejtimin e Ministrit, Z. Ilir Beqja. Gjatë këtij raporti do të trajtohen dy çështje kryesore që kanë dominuar gjatë muajit Shkurt 2015 dhe që lidhen me fushën që mbulon kjo ministri.
Testimi i mjekëve
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar gjatë këtij muaji fondin e pyetjeve në lidhje me testimin e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri. Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, më datë 28 Shkurt dhe 1 Mars do të zhvillohen testimet për infermierët e Qendrës Spitalore Nënë Tereza dhe pas datës 6 Mars për të gjithë infermierët në rrethe. Menjëherë pas testimit të infermierëve, këtij procesi do t’i duhen t’i nënshtrohen më pas dhe të gjithë mjekët shqiptar.
Në disa prej daljeve apo deklaratave të ministrit, Z. Ilir Beqja konstatohet një mos koherencë e qëndrimeve të tij mbi këtë proces kontrollues.
Sipas Ministrit, Z. Beqja, ky testim është i domosdoshëm:
1- Për të parë gjendjen ku ndodhet aktualisht shëndetësia;
2- Për të identifikuar dhe evidentuar nëse konsistojnë nevojat e mjekëve për Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor (EVM) dhe ndërtimin e programeve në përputhje me to;
3- Për të mos lejuar ushtrimin e profesionit të mjekut apo infermierit, kujtdo që nuk arrin të kapërcejë me sukses procesin e testimit.
Këto janë tre qëndrimet e ministrit, i cili që në hapat e parë të kësaj iniciative është përballur me kundërshtim të plotë nga të gjithë mjekët e vendit. Këto qëndrime kanë bërë të mundur që impakti negativ që kjo nismë ka krijuar mbi aftësitë apo profesionalizmin e mjekësisë në Shqipëri, të rritet akoma më shumë. Sipas mjekëve ky proces, do të ulë akoma më shumë besimin ndaj bluzave të bardha dhe do të thellojë akoma më shumë krisjen që tashmë ekziston në marrëdhëniet mjek-të sëmurë.
Një tjetër çështje qëndron në faktin se ky testim konsiderohet si shkelje flagrante e ligjit në Shqipëri. Profesioni i mjekut radhitet në profesionet e rregulluara edhe ndërkombëtarisht, Urdhrat e Profesionistëve njihen si autoritet vetë-rregullimi profesional dhe konkretisht në Shqipëri është Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë. Ky pohim, mbështetet në Nenin 3, të Ligjit 123/2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, ku UMSH përcaktohet me statusin Entit Publik, profesional i pavarur, i cili mbron interesat e përbashkëta të anëtarëve të Urdhrit dhe rregullon veprimtaritë dhe marrëdhëniet në funksion të publikut. Ndërsa në nenin 4 të këtij Ligji përcaktohet qartë se “Misioni i Urdhrit të Mjekëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesioneve në fushën e Mjekësisë dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga keq ushtrimi i profesionit të mjekut”.
Gjithashtu, Urdhri i Mjekut konstaton se evidentimi i mangësive apo profesionalizmit të mjekut, është detyra primare e drejtorive, stafeve dhe bordeve që udhëheqin burimet njerëzore në institucionet shëndetësore, vartëse të Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj nëse sot konsiderohet se mjekët mund të mos kenë profesionalizmin e kërkuar, përgjegjësinë kryesore e mbajnë këto institucione dhe jo mjekët, të cilët janë testuar disa herë përpara se të gëzojnë statusin e mjekun.
Në kuadër të situatës së krijuar nga kjo kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo e fundit më datë 26 Shkurt mori vendimin për pezullimin e testimit të infermierëve dhe mjekëve. Ky vendim nuk lidhet me ndonjë veprim të Gjykatës Administrative, por është iniciativë e vetë ministrit Beqaj.
Ilaçet e pa certifikuara, në ambientet spitalore Shqiptare.
(Rasti i denoncimit publik nga qytetari Arian Galdini)
Gjatë muajit Shkurt, qytetari Arian Galdini, bëri një denoncim publik, kundër Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. Sipas tij, stafi mjekësor, nuk ka treguar kujdesin dhe profesionalizmin e duhur në përkujdesjen dhe trajtimin e sëmundjes së të afërmit të tij, por ka përdorur dhe një bazë mjekimesh aspak efikase për kurimin e sëmundjes së të afërmit të tij, duke akuzuar personat përgjegjës për vrasje të qëllimshme ndaj të afërmit të tij. Duke qenë se gjendja e të afërmit të tij në vend që të përmirësohej, rëndohej çdo ditë e më shumë, familjarët u kujdesën që ta transportonin drejt Turqisë.
Ka qenë pikërisht stafi I mjekëve të spitalit turk, ata të cilët, sipas Z. Galdini, kanë pohuar se pacienti nuk është trajtuar me medikamentin që pretendohej nga QSUT, se është trajtuar, por me një mjekim tjetër, i pa certifikuar për kurimin e sëmundjes në fjalë.
Kjo situatë shqetësuese u bë pjesë e disa diskutimeve publike në Shqipëri, duke përfshirë dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Qendrës Spitalore, Nënë Tereza. Këto të fundit pohojnë se çështja në fjalë do të marrë drejtimin e duhur vetëm në momentin që qytetari Arian Galdini, do të sjellë pranë zyrave të tyre të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton pretendimin e tij. Deri në momentin që këto dokumente mungojnë, Ministria apo drejtoria e qendrës spitalore, nuk mund të marrë asnjë masë konkrete kundrejt personit të akuzuar drejtpërdrejtë nga Z. Galdini.
Ajo që përbën shqetësim në këtë rast, është fakti se ky qytetar ka gjetur mbështetje nga pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë, duke konfirmuar se kjo situatë është një situatë e njohur dhe e përsëritur disa herë në ambientet spitalore Shqiptare. Në rast se pretendimet e Z. Galdini janë të vërteta, atëherë kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, Neni 79/b, parashikon se Vrasja me Dashje e kryer ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura; dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.