Nuk ka dyshim se mjedisi është ndër faktorët më kushtëzues të jetës njerëzore. Historia e njerëzimit ka treguar se raporti me natyrën ka qenë vendimtar në zhvillimet e shumë civilizimeve. Por ndryshe nga shekujt e kaluar, tanimë në një epokë të re për sa i përket përparimit dhe konceptimit të Botës si një tërësi e përbashkët për sa i përket natyrës, problemet e mjedisit janë ndër çështjet kryesore që po kërkojnë zgjidhje. Probleme si ndotja, zhdukja e kafshëve apo dhe shpyllëzimi i pyjeve mbeten ndër më kryesoret.
Nëse i mbajmë parasysh këto probleme kaq jetike, logjikisht do të mendonim se institucionet që do të ngarkoheshin për zgjidhjen (ose qoftë dhe vetëm për mbrojtjen e mjedisit), do të ishin ndër më kryesoret dhe ndër më të financuarat në çdo vend, por nuk është kështu. Në vendin tonë për shembull, vetëm 0.42 % e buxhetit1 (afërsisht 2 miliardë lekë) shkon për mbrojtjen e mjedisit. Thënë këtë, mundësitë e vogla për të vepruar bëhen më të justifikueshme. Por justifikimet mbeten të pakuptueshme se përse vazhdohet me kaq pak financim për mjedisin.
Pasi shpjeguam disa aspekte, (mendoj kryesore), i hyjmë temës sonë, analizës së aktiviteteve të Ministrisë së Mjedisit, pra institucionit të ngarkuar për mbrojtjen e mjedisit tonë. Qeveria ka përcaktuar se brenda mandatit 2013 – 2017 misioni i kësaj Ministrie është të hartojë dhe propozojë politika, strategji dhe plane veprimi për mbrojtjen dhe administrimin e mjedisit, pyjeve, ujërave në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të cilësisë së jetës dhe të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Ky mision është konkretizuar edhe në objektivat afatshkurtra që i gjejmë të paraqitura nga Ministria e Mjedisit në website-in e saj. Më poshtë do të analizojmë aktivitetet e muajit shkurt të kësaj ministrie.
Muaji nis me aktivitetin e datës 4 shkurt ku u krijua Agjencia e Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila u tha se duhet të garantojë mbrojtjen e shumëllojshmërisë së botës së gjallë, por që njëkohësisht t’u shërbejë si burim të ardhurash e të mirash materiale për komunitetin. Ky vendim do të japë një impakt pozitiv në krijimin e vendeve të reja të punës. U tha se do të punësohen 224 persona, ku 21 prej tyre do të jenë pjesë e stafit të zyrës qendrore të saj dhe 203 të tjerët pjesë e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura. Objektivi i kësaj agjencie u tha se është menaxhimi, monitorimi dhe inventarizimi i florës dhe faunës në të gjithë rrjetin e zonave të mbrojtura. Ndërkohë që u tha se të ardhurat që do të merren nga shërbimet ndaj të tjerëve si për shembull shërbime turistike, duhet të ri-investohen në po këto zona.
Normalisht ky është një hap tejet pozitiv, sidomos inventarizimi i florës dhe faunës. Zhvillimi pafre që mbolli tranzicioni i tejzgjatur i vendit solli si fenomen gjuetinë dhe prerjen e pemëve apo dhe bimëve të rralla edhe në këto zona, ndaj është e domosdoshme pasqyrimi real i gjendjes që kemi. Nga ana tjetër përpjekja për t’i kthyer këto zona në efiçente, në kuptimin ekonomik, si zona joshëse për turizmin, është gjithashtu për t’u vlerësuar. Duhet theksuar se aktualisht janë vetëm 5 zona të mbrojtura (nga 54 në total) që gjenerojnë të ardhura. Pra treguesit janë shumë të ulët. Në këtë aspekt krijimi i kësaj agjencie duket i domosdoshëm.
Nga ana tjetër në kuadër edhe të nismave për integrimin në Bashkimin Evropian më datë 5 shkurt u prezantua projekti i Shërbimeve Mjedisore. Një projekt që ka si objekt të tijin mbështetjen e praktikave të qëndrueshme për menaxhimin e tokës dhe krijimi i skemave financuese për uljen e degradimit të saj, regjistrimi i sipërfaqeve pyjore dhe kullotave, prezantimi i pagesave për Shërbimet Mjedisore, rritjen e të ardhurave për komunitetet në zonat rurale. Përgatitja e terrenit për fondet që pritet të vijnë nga Unioni Evropian në fushën e bujqësisë dhe mjedisit, kjo përfshin trajnimin e fermerëve për aplikimin në këto projekte. Ky projekt kërkon bashkëpunimin e Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Bujqësisë. Në publikimin nga vetë ministria thuhet se ky projekt ka vlerën prej 23 milionë dollarësh dhe mbështetet nga Banka Botërore, Qeveria Suedeze dhe nga Fondi për Mjedisin Global GEF. Ka shumë paqartësi në lidhje me realizimin e këtij projekti që lidhen që me afatet kohore që janë përcaktuar për realizimin e tij apo përqindjet e financimit që do të ketë secili aktivitet. Një problem për t’u konsideruar është bashkëpunimi midis Ministrisë së Pushteti lokal që po harton ligjin për decentralizimin (në të cilin parashikohet që pyjet të kalojnë në pronësi të komunës) me Ministrinë e Mjedisit dhe Drejtorinë e Pyjeve për regjistrimin e të gjithë pronave dhe të sigurojë pronësinë me anë të një dokumentacioni ku janë të mirë-përcaktuar qartësisht të drejtat dhe përgjegjësitë.
Më 12 shkurt u zhvillua mbledhja e parë për këtë vit e Komitetit Ndërministror për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve. Gjatë kësaj mbledhje u vu në dukje se përparimi më i madh që ishte bërë në këtë aspekt ishte ai në fushën e legjislacionit me aprovimin e vendimeve apo ligjeve të reja që janë në përputhje me kërkesat e konventës së Bazelit. Shihet me rëndësi përcaktimi i qartë i detyrave si për pushtetin qendror dhe për atë vendor, implementimi i skemave të grumbullimit dhe ndarjes së mbetjeve që në burim, edukimi i publikut, rritja e gjobës në kostot e menaxhimit të mbetjeve apo krijimin e landfilleve rajonale. Siç shihet nuk ka asnjë projekt për se kur dhe si do të arrihen këto nisma që ka përmendur zëvendësministrja e Mjedisit Znj. Oljana Ifti. A nuk do ishte më mirë që menaxhimi i mbetjeve të diskutohej njëherë e mirë, me debate publike? Flitet gjithnjë për edukimin e qytetarëve, sidomos për ndarjen e mbeturinave, por ende nuk kemi hapa konkret për fushata të mirëfillta. Nga ana tjetër problem mbetet mungesa e vizionit në aspektin e marrjes së masave kur në një zonë të caktuar konstatohet ndotje. Ministria ka gjobitur shpesh disa komuna për ndotjen e bërë, por asgjë nuk është bërë pas kësaj gjobe. Është i nevojshëm një mekanizëm i duhur që të mundësojë zgjidhjen reale të problemeve mjedisore dhe jo thjeshtëzimin në të tillë mënyrë saqë kur çështjet mjedisore të shkelen atëherë ato të shqyrtohen thjesht si kundërvajtje administrative apo ligjore dhe vetëm kaq. Pra gjobitja paraqitet si masë ndëshkuese, por ajo mbetet aty, gjoba vilet, ndotja nuk zgjidhet.
Ndërkohë një rast që po diskutohet këto ditë në media është veprimtaria e kompanisë Kurum. Ku në zonat e banuara ajo hedh ku të mundet çdo mbetje të saj. Problematike është fusha e grumbullimit të mbeturinave që nuk përmbush asnjë standard dhe mbi të gjitha me rrjedhjet e lëngjeve të saj ndot ujërat e lumit Shkumbin. Këto ujëra të ndotur ndotin tokën, produktet bujqësore dhe blegtorale të të gjithë rajonit. Popullsia është ajo që vuan të gjitha pasojat e veprimtarisë së kësaj kompanie. Leja mjedisore jepet nga Ministria e Mjedisit e cila hesht përpara kësaj katastrofe si mjedisore ashtu edhe sociale. Ky është rasti konkret i çështjes fillestare që përmendëm në hyrje. Në zonat ku operon kjo firmë, mjedisi i ndotur po kushtëzon rëndë jetën e njerëzve dhe institucioni i ngarkuar për mbrojtjen e mjedisit nuk po vepron fare. Por pavarësisht kësaj në një tjetër aktivitet të Ministrisë, më 18 shkurt u nis projekti për trajtimin e procesionares së pishës, sëmundje që prej 20 vitesh ka dëmtuar shumë sipërfaqe pyjore. U tha se tanimë ka nisur trajnimi për koordinatorët rajonal, drejtuesit teknikë dhe supervizorët e projektit, i cili do të përfshijë katër rajone (Elbasan, Korçë, Shkodër, Dibër) që kanë 6335 Ha pyje. Financimi vjen nga programi “Mbrojtja e Mjedisit” (VKM Nr. 104, datë 4.2.2015) miratuar nga Kryeministri për vitin 2015. Ky projekt do të sjellë rritjen e mirëqenies për banorët e këtyre rajoneve pasi janë planifikuar të punësohen mbi 6000 forca pune.
Ndërkohë duhet theksuar se (sipas mungesës së informacioneve në web) asgjë nuk është bërë nga kjo Ministri për përmbytjet që u shkaktuan në jug të vendit në fillim të muajit shkurt. Dëmet në pritat e lumenjve apo dhe në hidrovoret, infrastruktura këto kryesore për mbrojtjen nga përmbytjet, nuk dihet se kur do të llogariten.
Referenca:
- OpenData.al – Buxheti i Shtetit sipas Funksioneve 2015