![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
Premtime premtime…
Ne 17 shkurt[1] ministrja e mbrojtjes deklaroi se qeveria ka kthyer trajtimin me ushqim për Forcat e Armatosura Shqiptare, pasi u hoqën me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2013 (në qeverinë e mëparshme)[2]. Në pamje të parë duket si një hap mjaft pozitiv, ndërmarrë për t’i shërbyer atyre që shërbejnë në Forcat e Armatosura. Në fakt, Ministrja e Mbrojtjes, Znj. Mimi Kodheli, ka përsëritur shpesh rëndësinë e rikthimit të dinjitetit për FA, që në vetvete është më tepër propagandë boshe se sa një premtim real. Megjithatë, duke pasur parasysh dëshirën për rikthimin e identitetit, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet një rikthimi të konsiderueshëm dhe një trajtimi qesharak që nuk do të ndikonte aspak në arritjen e këtij qëllimi. Ministrja flet me krenari për vendimin e Këshillit të Ministrave, por nuk shkon në detaje të këtij vendimi, do me thënë cila shumë do ti akordohet secilit përfaqësues të FA. Për të tepër, të gjitha mediat që raportuan mbi këto deklarata nuk kanë hetuar ose pyetur më tej rreth këtij vendimi të Këshillit të Ministrave.
2- Probleme të vazhdueshme
Një prej shqetësimeve të ngritura në raportin e monitorimit të muajit janar për Ministrinë e Mbrojtjes është një mungesë e theksuar informacioni dhe/ose mungesa e detajeve në seksionin e lajmeve të website. Fatkeqësisht prirja vijon edhe në shkurt ku shumë ngjarje që kanë ndodhur në lidhje me punën e Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë shfaqur në faqen zyrtare. Në mënyrë që të informohesh duhet të ndjekësh me vëmendje të gjitha mediat dhe faqet zyrtare të institucioneve të tjera (si Parlamenti shqiptar). Dy shembuj të kësaj janë si më poshtë:
- Në 17 shkurt Projektligji mbi “medaljet në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë” u diskutua në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të Parlamentit, me pjesën më të madhe të neneve të miratuar pas disa debatesh ndërmjet anëtarëve të komisionit dhe përfaqësues të tjerë të ftuar të raportojnë mbi projektligjin e ri.[3] Pavarësisht rëndësisë së këtij projektligji dhe si do ta ndryshojë ai mënyrën se si jepen titujt dhe medaljet për forcat ushtarake, nuk ka asnjë referencë në atë që Ministria e Mbrojtjes raporton në faqen e saj zyrtare për muajin shkurt. Megjithatë ato raportojnë për vizita dhe takime të suksesshme jashtë Shqipërisë!!!
- Një vendim i Këshillit të Ministrave, nr. 12 i datës 14.01.2015 mbi Rishpërndarjen e numrit të punonjësve ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë për Prokurime Publike, pakëson numrin e stafit të Ministrisë së Mbrojtjes me 5.[4] Megjithëse ky është një vendim që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë punën e ministrisë, nuk jepet ndonjë shpjegim për arsyet e kësaj rishpërndarje dhe se si kjo ka ndikuar tek ministria.[5]
Për më tepër, në seksionin e lajmeve në website, seksioni Ministri në media nuk është përditësuar që nga nëntori i vitit 2014, pavarësisht shfaqjeve të shpeshta që ajo ka bërë këto 3 muajt e fundit.[6] Në mënyrë të ngjashme Deklaratat për shtyp të muajit shkurt nuk gjenden. Duket sikur ky seksion funksionon më tepër si një mekanizëm për raportimin e takimeve dhe shfaqjet e ministres së mbrojtjes se sa për punën e të gjithë ministrisë në shërbim të publikut.
[1] Artikulli i plote dhe video shoqeruese: http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom-2/972-ministrja-e-mbrojtjes-kodheli-takon-efektivet-e-komandes-mbeshtetese
[2] Vendim i Keshillit te Ministrave 668, i dates 21.08.2013.
[3] Raporti i plote i takimit dhe diskutimet janë të aksesueshme në linkun vijues: http://www.parlament.al/web/pub/ksk_17_02_2015_21256_1.pdf
[4] Vendimi i postuar ne faqen e zyres se kryeministrit: http://www.kryeministria.al/al/newsroom/vkm/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-14-janar-2015&page=1 dhe fletoren zyrtare: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/3-2015.pdf f. 34.
[5]Njw tjetwr rast i paraportuar ne faqen e ministrisw wshtw vendimi i Kwshillit tw Ministrave, nr. 137, i dates 18.02.2015 mbi transferimin e pronave nw zotwrim tw Ministrisw sw Mbrojtjes tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtise dhe Sipermarrjes. Ky vendim eshte i aksesueshem ne fletoren zyrtare: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/27-2015.pdf f. 1268.
[6] Per me teper informacione klikoni linkun: http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom/ministri-ne-media