Tashmë prej disa muajsh vihet re një nismë e madhe dhe mjaft serioze e qeverisë në sektorin e energjetikës. Ministri Gjiknuri pothuajse muaj pas muaji që pas vendosjes përfundimtare të çmimit të ri të energjisë elektrike ka zhvilluar takime me homologë dhe përfaqësues kompanish për investime dhe diversifikimin e sektorit energjetik në Shqipëri.
Marrëveshje të nënshkruara në kuadër të Projektit TAP patjetër që do të sjellin një shumë të ardhurash edhe për vendin tonë, sidomos duke pasur parasysh faktin që për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme janë ftuar të gjitha kompanitë vendase.
Presidenti i Azerbajxhanit ka miratuar memorandumin për masterplanin e gazifikimit të Shqipërisë i cili do të nisë shumë shpejt dhe do të realizohet nga kompania shtetërore e Azerbajxhanit, SOCAR dhe studimi kap vlerën 3-4 milion euro. Gazifikimi i vendit tonë do të ketë kosto për buxhetin e shtetit duke marrë në konsideratë se infrastruktura aktuale është jashtë përdorimit dhe duhet ndërtuar nga e para. Por kompanitë ndërkombëtare lider në sektorin energjetik kanë treguar mjaft interes për kryerjen e investimeve në vendin tonë, duke mos sjellë kosto financiare për buxhetin e shtetit dhe qytetarët shqiptarë, pasi vetë këto kompani deklarojnë se janë të gatshme që të përballojnë të gjitha kostot, mjafton që të jenë pjesë e tregut të brendshëm të gazit.
Marrëveshja e Ministrit Gjiknuri në Mynih me kompaninë gjermane Max Streicher e cila do të ndërtojë linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Itali, do të kushtojë 200 milion Euro. Ky projekt shihet me shumë interes nga Bashkimi Evropian pasi i shërben sigurisë energjetike, dhe integrimin e rajonin e Evropës Juglindore në tregun evropian të energjisë
Të gjitha këto marrëveshje duken mjaft pozitive në rrugën e liberalizimit të tregut energjetik si dhe janë mjaft të përkrahura nga shtetet e Bashkimit Europian, ku jo pak herë ata janë shprehur mjaft entuziast për reformat e ndërmarra në sektorin energjetik. Në mënyrë të veçantë një përkrahëse e madhe ka qenë Banka Botërore e cila ka akorduar 1.1 miliardë dollarë për periudhën 2015-2019 për një bandë prej 15 projektesh ku energjetika është një nga prioritetet.
Por niveli i lartë i humbjeve në sistemin e shpërndarjes, në rreth 40% të energjisë së hedhur në rrjet, si pasojë e vjedhjeve dhe humbjeve teknike, dhe mos ulja e tyre brenda objektivave, nga ana tjetër I ka zhgënjyer ekspertët e Fondit, të cilët kanë ngulur këmbë që qeveria të gjejë rrugë për të ulur barrën e energjisë në buxhet.
Ndërkohë, qeveria ka vendosur të shuajë borxhet e energjisë që institucionet shtetërore kanë ndaj kompanive të sistemit elektroenergjitik, por dhe ato që vetë kompanitë kanë ndaj njëra-tjetrës apo ndaj qeverisë, siç për shembull mund të jetë rasti i KESH ndaj Ministrisë së Financave, me miliona euro për blerje energjie. Sipas këtij vendimi qeverie, miratuar me datë 11 shkurt dhe botuar dje në Fletoren Zyrtare, bëhet fjalë për borxhet e akumuluara deri me datë 31 Dhjetor të vitit 2014. Ndërsa shumat e detyrimeve që falen, në të vërtetë janë kolosale.
Institucionet buxhetore dhe institucionet që financohen nga buxheti, të përcaktuara në aneksin nr.1, të këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij, kanë rakorduar detyrimet e energjisë elektrike, në kolonën “total debi e pranuar”, të krijuara deri më 31.12.2014.
Vendimi i qeverisë thotë se këto detyrime ndaj shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të shuhen deri në vlerën 9 000 000 000 lekë. OSHEE sh.a. në cilësinë e kreditorit, jep pëlqimin për këtë shuarje. Po ashtu, detyrimet e krijuara deri më 31.12.2014, të OSHEE ndaj KESH për energjinë e lëvruar nga KESH për furnizimin e konsumatorëve tariforë, të përfshira në akt-rakordim do të shuhen deri në vlerën 9 000 000 000 lekë. Nëpërmjet këtij vendimi, qeveria lehtëson dhe KESH në borxhet që kjo kompani ka ndaj Ministrisë së Financave. Vendimi përcakton se detyrimet e krijuara deri më 31.12.2014, të KESH ndaj Ministrisë së Financave për huatë e marra nga KESH për të cilat Ministria e Financave ka hyrë në marrëdhënie nënhuazimi, garancie shtetërore apo kredidhënieje, të përfshira në akt-rakordim do të shuhen gjithashtu deri në vlerën 9 000 000 000 lekë.
Pra në përmbyllje duket sikur qeveria ka kursyer një lëvizje të parave nga njëri xhep në tjetrin por ndërkohë ka falur precedencën e saj por jo atë të qytetarëve të cilët mbajnë radhë me ore dhe ditë tëra për të paguar energjinë në këmbim të lirisë dhe sanksioneve të tjera që ndryshojnë nga dita në ditë për mos pagimin e energjisë elektrike.