![Brenton Kotorri](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Brentoni-300x300.jpg)
Brenton Kotorri
Për pak drejtësi dhe asgjë tjetër.
Sigurisht që Ministria e Drejtësisë, sikurse e thotë vetë emri, supozohet që të garantojë drejtësinë e sistemit të drejtësisë të shtetit shqiptar. Shumica e vendeve të botës sot, kanë problem, shpesh edhe të pakorrigjueshme, me sistemet e tyre të drejtësisë. Përgjatë gjithë tranzicionit, Shqiptarët po e vuajnë mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë të shtetit të tyre, në tre drejtimet më bazike të të drejtave të njerëzimit: Jeta, Liria dhe Prona. Sa për të parën, të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë, (BE, NATO, OSCE, etj.), theksojnë dukshëm krimin e organizuar dhe pasigurinë e jetës gjatë gjithë çerekshekullit. Liria e individit, edhe pse është rritur në dekadën e fundit, ende nuk respektohet politikisht, duke qenë se ende shteti është në borxhe me ata që dikur burgoseshin politikisht. Ende gazetaria investigative mbetet e pazhvilluar për shkak të kërcënimeve politike. Ende liria e fjalës sigurohet pa u garantuar kurrë mbrojtja nga kërcënimet. Dhe së treti, prona. E drejta më e pagëzuar e shqiptarëve. Më e pagëzuar sot sesa në periudhën komuniste.
Sigurisht që revolucioni në drejtësinë shqiptare nuk do të vinte me ardhjen në pushtet të qeverisë së re. Kjo ishte kaq e dukshme pasi në pazarin politik të 2013-ës, Ministria e Drejtësisë u pronësua prej LSI-së, si një parti e cila dyshohet vazhdimisht në opinionin publik për padrejtësi politike, por jo vetëm. Aq më pak në muajin shkurt të 2015-ës revolucioni nuk mund të vinte, dhe më poshtë do të tregojmë se çfarë, pse, dhe si ka ndodhur.
Muajin shkurt ministri Nasip Naço e nisi me një takim zyrtar në Republikën e Kosovës ku u takua me homologun e tij Hajredin Kuçi. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, ata thanë se kishin folur për të rritur standardin drejt kritereve të BE-së. Praktikisht, cilido lexues mund të kuptojë se ky takim nuk ka shërbyer për asgjë konkrete, por veçse për një bisedë. Dhe kaq. Pyetja që lind është nëse ia vlejnë shpenzimet e realizuara përmes taksave të shqiptarëve për të realizuar të tilla biseda turistike që përmbyllen me deklarata fjalësh që nuk thonë asgjë. Jo thjesht asgjë të re, por në fakt asgjë fare. Shumëkush mund të mendojë që një udhëtim dhe një drekë deri në Prishtinë nuk është ndonjë shpenzim i madh, edhe kur ministri e bën vetëm për të nxjerrë nja dy foto në rrjetet sociale, mirëpo kur këto takime plot nulitet vijojnë turin në vende të tjera të botës, taksat fillojnë e dhembin më shumë.
Kjo për shembull mund të ilustrohet me vizitën zyrtare që ministri zhvilloi në Spanjë me homologun e tij Rafael Catalá. Sërish të njëjtat asgjëra u shkëmbyen mes dy ministrave. Fjalët më të përdorura në këtë takim ishin thellimi i bashkëpunimit (edhe pse nuk përmendet asnjë strategji konkrete, asnjë vizion i përbashkët, asnjë plan veprimi), lufta e mëtejshme kundër korrupsionit (e thënë çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje për 24 vite), lufta kundër narkotrafikut (që në fakt është shumë më tepër kompetencë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme), dhe afrimi i mëtejshëm me standardet e BE-së. Po të mbështetemi në karrige dhe ta shohim pak më me vëmendje këtë pikturë, do të kuptojmë se në fakt është boshe. Duhet përmendur se kjo vizitë u quajt zyrtare, e megjithatë në asnjë cep të sallës së takimit nuk dukej ndonjë simbol i shtetit shqiptar sikurse e kërkon protokolli diplomatik. Kjo edhe pse ministri ynë ishte gjatë gjithë kohës i shoqëruar prej ambasadorit tonë në Spanjë Z. Ridi Kurtezi, i cili duhet theksuar se vetëm 3 muaj më parë mbante postin e drejtorit të zyrës së protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Sidoqoftë, deri më datë 18 shkurt, kur edhe kjo vizitë në Spanjë u realizua, ministri i drejtësisë kishte realizuar takime pa asnjë rezultat praktik. Pra, pa asnjë plan veprimi që do të vinte në zbatim ndonjë copë të vizionit të kësaj ministrie për drejtësinë shqiptare. Me sa duket edhe nga verifikimi i aktivitetit publik të ministrisë, përveç vizitave të tilla të ministrit, nuk ka asnjë iniciativë, apo arritje të publikuar nga pjesa tjetër e administratës. Askush nuk mund të akuzojë administratën e Ministrisë së Drejtësisë se kjo e fundit nuk punon, pasi kjo do të përbënte padrejtësi ndaj taksapaguesve. Mirëpo, sidoqoftë asgjë nuk publikohet tjetër në media, apo kanale të tera zyrtare rreth aktivitetit apo politikave publike të kësaj qeverie përveçse vizitave të ministrit. Në një takim të datës 26 shkurt, me konsullin e nderit të Shqipërisë në Indi, (i cili titullohet si takim miqësor edhe pse zhvillohet në ambiente zyrtare) ministri Naço e informoi atë se “qeveria Shqiptare ka realizuar dhe po ndërmerr një sërë reformash legjislative”… e sidoqoftë askund nuk specifikohet se cilat janë këto reforma, apo se si po realizohen konkretisht. Te njëjtat gjëra të mirë-artikuluara ka përsëritur ministri edhe në takimin e fundmuajit me ambasadorin e Turqisë.
Praktikisht i gjithë muaji shkurt, për gjithë Ministrinë e Drejtësisë ka qenë një pasdite e këndshme çaji me homologë dhe figura të tjera politike. Sigurisht nuk do të marrim në shqyrtim propozimin politik të ministrit Naço për një parlament shqiptar me dy dhoma, pasi askush nuk e mori seriozisht, dhe me të drejtë.