![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/10984949_314752732056499_761909916_n1-295x300.jpg)
Gerion Treska
Ndërkohë që për muajt e kaluar pavarësisht debateve të shumta mbi nevojën e testimit të mësuesve, apo jo, testimi u krye, pak ditë përpara mbarimit të muajit Shkurt, Gjykata Administrative ka pezulluar, më datë 26.02.2015, testimin e Ministrisë së Shëndetësisë për infermierët. Pezullimi i testimit do të bëhet deri në gjykimin e çështjes me themel. Presidenti i Urdhrit të Infermierit është shprehur se Gjykata vendosi pezullimin e urdhrit të ministrit, që do të thotë pezullim i testimit deri në gjykim të thelluar.
Kjo llof fryme e të testuarit si një risi në realitetin shqiptar të sjellë nga kjo qeveri, duket se nuk është një praktikë edhe aq problematike në vetvete duke qenë se si në vendet perëndimore ashtu edhe në ato të rajonit sistemi i kontrollit të njohurive të punonjësve qoftë të arsimit apo shëndetësisë funksionon prej vitesh dhe është akomoduar më së miri edhe në traditën kulturore dhe shoqërore të këtyre vendeve. Ndërsa në Shqipëri ngjall debate të mëdha mbi legjitimitetin apo jo të kësaj praktike, duket sikur çfarë po ndodh është një veprim krejt I jashtëzakonshëm I shkëputur nga sistemi I cili prodhon dhe certifikon mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë. E ofruar në këtë mënyrë nga qeveria, si një akt heroik për mbrojtjen e qytetarëve të saj, kjo iniciativë patjetër që ka ngritur në këmbë të gjithë të përfshirët, individë dhe institucione të cilët kanë shprehur këmbënguljen e tyre, duke nënvizuar kështu faktin se gjithçka deri më sot në sistemin tonë funksionon më së miri.
Në një deduksion logjik të thjeshtë, mund të themi se mësuesit humbën ndërsa infermierët ja arritën të pengojnë një testim që po sipas tyre nuk ishte I nevojshëm, me sa duket këta të fundit mësuan nga gabimet e betejës së humbur të mësuesve.
Në vazhdën e problematikave që shfaqen herë pas here në sistemin arsimor mbetet cilësia e teksteve shkollore. Autorë të ndryshëm, akademikë dhe profesionistë të fushave përkatëse duket se në mjaft raste gabojnë jo vetëm në çështje gramatikore apo drejtshkrimore por edhe në ato koncptuale.
Një ngjarje aktuale e cila ngjalli një reagim jo pozitiv ndodhi në një nga tekstet e sociologjisë mbi konceptin e formimit të fesë Myslimane. Megjithëse një nga bashkautorët u shpreh se është një lapsus duke marrë parasysh afatin kohor mjaft të ngjeshur për të përgatitur tekstin, nga institucionet drejtuese dhe certifikuese arsimore nuk pati asnjë reagim. Kjo e dhënë, e kohës së ngjeshur për të përgatitur tekstin, mund të ketë në prapaskenë shumë skenarë konspirative ose jo të cilat sido që të jenë mbeten gabime. E ndërkohë që nxënësit formësohen me këto gabime, niveli i kontrollit nga prindërit mbetet një enigmë aq sa edhe denoncimi I këtyre rasteve nga mësuesit apo titullarët e lëndëve. Për një gjë është e sigurtë, denoncimet janë shumë më të pakta dhe të pazbuluara krahasuar me numrin e gabimeve në tekstet shkollore.
Mbi këtë çështje duket se Ministria nuk ka reaguar duke nënkuptuar se deri më tani gjithçka në sistemin e hartimit, konkurrimit dhe aprovimit të teksteve shkollore funksionon sipas kërkesave të cilësisë së lartë që ajo kërkon për formimin e brezit të ri.