Reforma territoriale, rebuset e shumta
Një ndër prioritetet e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore është reforma territoriale dhe administrative. Edhe pas miratimit të ligjit të ri që solli ndryshime të mëdha në ndarjen e territorit, mbetet që gjithçka të testohet në realitet pas zgjedhjeve vendore (lokale) të qershorit. Në vija të përgjithshme reforma territoriale parashikon një ulje të njësive vendore në rang vendi, dhe për rrjedhojë krijimin e disa qendrave me shtrirje më të madhe gjeografike dhe administrative. Një gjë e tillë do të përkthehet konkretisht, në shkrirjen e ish-komunave në brendësi të Bashkive, apo edhe në shkrirjen e bashkive të vogla në bashki më të mëdha. Një gjë e tillë eliminon konceptin ligjor të komunës, si dhe redukton numrin total të bashkive. Komunat do të jenë thjesht shtrirje dhe zyra administrative të bashkive. Pra godinat e ish-komunave do të vazhdojnë të funksionojnë, por në to nuk do të ketë një të zgjedhur nga banorët e zonës, por një të emëruar nga kryetari i Bashkisë. Ligji nuk e ka përcaktuar nëse ky administrator do të jetë një nëpunës civil, apo një i emëruar i thjeshtë, që mund të shkarkohet gjithashtu lehtësisht nga kryetari i Bashkisë. Nga vëzhgimet e gazetarëve të ndryshëm dhe të ekspertëve të fushës, reforma e re territoriale vë në diskutim demokracinë, ose më saktë e sakrifikon këtë të fundit në emër të efiçencës. Por edhe kjo e fundit nuk është e sigurt. E thënë ndryshe, me reformën territoriale të vitit 2000, ishte konsoliduar sistemi demokratik i të zgjedhurve vendorë direkt nga populli, së bashku me këshillat përkatës, ose më saktë, parlamentet vendore. Edhe pse ligjërisht kjo e afronte popullin me komunitetin, nga praktika ka rezultuar se në shumicën dërrmuese të rasteve, të zgjedhurit kanë qenë shpeshherë njerëz pa kualifikimet e duhura dhe pa formimin e nevojshëm arsimor, si dhe të pamotivuar për të zgjidhur problemet e popullsisë lokale.
Një problem i mprehtë ka qenë edhe çështja e financimeve. Shteti shpeshherë ka dhënë grante të pakushtëzuara për njësitë vendore, pjesa më të madhe e të cilave është konstatuar se ka shkuar për shpenzime operative dhe jo për investime në zonë. Përveç kësaj, këshilltarët kanë qenë më shumë disa rrogëtarë pasivë, se sa njerëz që kanë pasur një rol apo ndikim pozitiv në zhvillimin e zonave ku kanë qenë të zgjedhur. Pra financimi i pakushtëzuar i shtetit (në pjesën më të madhe të granteve), ka krijuar njëfarë parazitizmi, duke prodhuar individë të pamotivuar, të cilët e kanë parë kandidimin nëpër komuna apo këshilla komunalë, si një mundësi punësimi fiktive, për të përfituar një pagë pa punuar në të vërtetë.
Një tjetër problem ka qenë ai i vjeljes së taksave nga ana e komunave. Mangësitë në këtë drejtim kanë ardhur ose për shkak të të ardhurave të pakta, për shkak të mungesës së larmisë së aktiviteteve ekonomike, pra të varfërisë, ose si vendim politik në mënyrë që një mosgrumbillimi i taksave të shndërrohej në kapital politik për rizgjedhjen e kryetarëve apo të këshilltarëve komunalë.
Për arsyet e sipërpërmendura dhe shumë të tjera qeveria ka vendosur që të ndërhyjë duke e ri formatuar të gjithë sistemin administrativo-territorial. Mbetet për t’u parë nëse kryetarët e rinj më të fuqishëm dhe me më shumë kompetenca vendore, do të jenë apo jo një e mirë apo e keqe për demokratizimin në nivel lokal. Mënyra jo fort demokratike e përzgjedhjes së kandidatëve partiakë (me lista të mbyllura) nuk është një garanci e madhe në këtë drejtim. Edhe nëpunësit komunalë si një zgjatim i thjeshtë i kryetarëve të bashkive, që mund të emërohen apo shkarkohen nga këta të fundit, nuk japin shumë shpresa demokratizimi. Më tej edhe ndarja e fondeve për arsye elektorale, mund të bëjë që zonat më pak të populluara të vazhdojnë të lëngojnë ekonomikisht si gjer më sot. Paratë që do të dalin nga shkurtimet e të punësuarve komunale, jo domosdoshmërisht mund të kthehen në investime për ish-komunat apo fshatrat. Por për t’i shuar gjithë këto dyshime, duhen pritur zgjedhjet lokale. Megjithatë, duke qenë se Ministria e Çështjeve Vendore po përgatit një draft të rëndësishme dhe për decentralizimin, mbetet për t’u parë se çfarë do të propozojë ajo konkretisht për të forcuar mungesën e mundshme të demokracive lokale si pasojë e reformës territoriale, pra se si do ta plotësojë vakumin e mundshëm të përfaqësimit që mund të krijohet në zona të vogla, si pasojë e krijimit të zonave të reja të mëdha. Një formë zgjidhjeje e çfarëdollojshme nën parimin e subsidaritetit (të bërjes në nivel lokal të asaj që nuk mund të bëhet më mirë nga niveli qendror), do të ishte e mirëpritur, së bashku me përforcimin e mekanizmave të kontrollit, përfaqësimit të interesave dhe llogaridhënies në nivel periferik, karshi rrezikut të përqendrimit të pushtetit dhe investimeve në nivel qendror.
Korrupsioni
Një tjetër ndër prioritetet e Ministrit të Shtetit është edhe lufta ndaj korrupsionit. Sipas TIA Shqipëria shënon 33 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014, nga rezultati 31 për vitin 2013. Këtë vit Shqipëria renditet në vendin e 110 nga 175 shtete të përfshira në indeks. Në vend të parë është Danimarka me 92 pikë nga 100. Vihet re një përmirësim i lehtë. Në këtë kuadër, Ministria për Çështjet Vendore ka promovuar së fundmi një faqe interneti www.stopkorrupsionit.al, ku është e mundur të kryhen denoncime të shumta. Megjithatë, vetëm në disa raste ka informacione për denoncimet që janë marrë dhe për efektet apo zgjidhjet që kanë pasur. Nuk ka një të dhënë konkrete se sa është numri i denoncimeve, ai i verifikimit edhe efektshmëria në zbulimin dhe goditjen e rasteve korruptive. Ministria këtë muaj është mjaftuar me një takim me financues të huaj, për të diskutuar lidhur me nisma të mundshme për të forcuar privatësinë e denoncueseve të korrupsionit në institucionet publike.