![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
Prokurime publike për interesa private
Ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme ekzaltohet me suksesin ‘’marramendës’’ të aplikacionit Policia Dixhitale, në vendosjen e ca gjobave më tepër për shoferët shqiptarë, paratë e taksapaguesve të këtij vendi shkonin në xhepat e punonjësve të kësaj ministrie.
Ironikisht, në datë 1 qershor, buletini numër 21 i Agjencisë së Prokurimeve Publike përmban në faqen e parë një njoftim ku i bën thirrje të gjithë qytetarëve të raportojnë rastet abuzive që lidhen me prokurimet publike. Në të vihen në dispozicion një numër telefoni dhe një adresë elektronike për raportimin e këtyre rasteve. A thua se kjo ka sjellë ndonjë rezultat deri më tani.
Abuzimi me fondet publike nuk është fenomen as i ri, as i pazakonte e as i kufizuar në një institucion në Shqipëri. Megjithatë, këtë muaj një skandal i madh përfshiu këtë të fundit. Në datë 26 qershor Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer për periudhën shtator 2013 – dhjetor 2014, njofton se buxhetit të shtetit në këtë kohë i është shkaktuar një dëm prej 607 500 euro, për shkak të përdorimit të standardit të dyfishtë në vlerësimin e ofertave. Megjithëse kjo i është njoftuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që në javën e parë të muajit, nuk ka asnjë reagim publik të kësaj të fundit dhe titullarit të saj për akuzat e ngritura.
Është bërë tashmë praktikë e kësaj ministrie të publikojë lajmërime për masa disiplinore të marra ndaj punonjësve të saj që shkelin ligjin. Por në një rast kaq të rëndë përgjigja është heshtja. Si pasojë e auditimit të KLSH-së 12 punonjës të Ministrisë së Brendshme janë kallëzuar në prokurori. Në dokumentin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se dokumentacioni do t’i bëhet me dijeni edhe kryeministrit të vendit, Z. Edi Rama. Ndërkohë nga ky i fundit nuk ka ende asnjë reagim mbi këtë skandal që i rëndon edhe më tej jo vetëm buxhetit të shtetit por shkon edhe në vazhdën e humbjeve që ky i fundit pëson për shkak të abuzimit me detyrën dhe korrupsionin endemik që karakterizon administratën publike në Shqipëri.
Përtej fakteve, kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë ndodhi? Vetëm personat e përfshirë drejtpërdrejt në drejtorinë e prokurimeve publike pranë kësaj ministrie, apo edhe drejtuesit e saj të lartë që duhet të kenë si detyre kryesore garantimin e profesionalizmit dhe etikës në institucionin që ata përfaqësojnë para elektoratit që i ka zgjedhur në atë pozicion? Është bërë tashmë modus operandi në Shqipëri, që përgjegjësia dhe faji ose mbeten jetime ose janë diku gjetkë, diçka që ka promovuar mungesën e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në drejtimin e institucioneve shtetërore.
Një tjetër çudi e këtij institucioni në lidhje me prokurimet publike është fakti se Ministria e Punëve të Brendshme mund të procedojë prokurime për institucione të tjera që nuk kanë lidhje me të. Për shembull, në fillim të muajit qershor, në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike gjendet një lajmërim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme për sistemet e printimit të përqendruar për Ministrinë e Mbrojtjes; prodhim materialesh promovuese për Avokatin e Popullit; blerje kancelarie për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; blerje automjetesh për Agjencinë Kombëtare të Bregdetit; blerje karburanti për Drejtorinë e Shërbimit Spitalor në Skrapar; blerje materialesh pastrimi për spitale të ndryshme etj.
Më në detaje, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 28 datë 14.01.2015 Ministria e Punëve të Brendshme ngarkohet si organ qendror blerës për kategoritë e mëposhtme (me përjashtimet përkatëse):
- a) Blerje automjetesh;
- b) Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1 dhe karburantit për nevojat e bordeve të kullimit
- c) Blerje materialesh kancelarie;
ç) Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash; d) Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
- dh) Blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera, përbërëse të tyre;
- e) Blerje këpucësh;
ë) Blerje pjesësh ndërrimi për automjete, për shërbimet profilaktike, përveç filtrave të automjeteve;
- f) Blerje tonerësh;
- ag) Blerje pajisjesh elektronike dhe telekomunikacioni;
- gj) Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;
- h) Sigurim automjetesh;
- i) Shërbim pastrimi;
- j) Shërbim lyerje ndërtesash.
Siç duket kësaj ministrie i kalohet një barrë e madhe prokurimesh për mjete dhe shërbime të shpeshta në të gjitha institucionet shtetërore. Megjithëse ekziston një bazë ligjore që justifikon kalimin e këtyre përgjegjësive tek Ministria e Punëve të Brendshme, kjo ka krijuar gjithashtu mundësinë për më tepër përqendrim pushteti dhe/ose korrupsioni në këtë institucion.
Ngjarja e publikuar këtë fillim muaji, me kërkesën për procedim penal të 12 punonjësve të kësaj ministrie, që merren pikërisht më çfarë është përshkruar më sipër e përkeqëson edhe më tej situatën dhe rrit përgjegjësitë e titullarit të këtij institucioni ndaj abuzimeve të hapura të punonjësve të tij me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në vijimësi të ironive të fatit për institucionet shtetërore shqiptare, në datë 5 qershor, Z. Bledi Çuçi, njëherësh koordinator kombëtar kundër korrupsionit shprehet se: ‘’Gjithashtu inkurajojmë prokurorinë të veprojë në të njëjtën mënyrë me të gjitha denoncimet e bëra nga Qeveria, qoftë për zyrtarë të 18 muajve të fundit qeverisje, qoftë për zyrtarë të qeverive të kaluara çfarëdo pozicioni dhe niveli qeverisës që ato kanë qenë. Kultura e pandëshkueshmërisë nuk do të ketë vend në qeverinë tonë dhe ky fenomen do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.’’ Në një pikë ka të drejtë Z. Çuçi, kur i referohet kulturës së pandëshkueshmërisë që është në nivele problematike në Shqipëri. Përtej rasteve të ndryshme që kanë shkuar deri në gjykatë, asnjë zyrtar i lartë në Shqipëri nuk është dënuar ndonjëherë për korrupsion, edhe kur provat kanë qenë të pakundërshtueshme dhe pothuajse në fillim të gjysmës së dytë të mandatit qeverisës kjo thënie është ende e vlefshme. Më tepër ka ‘’shumë zhurmë për asgjë’’ se sa vepra konkrete. Sikurse thuhet edhe në raportin e Freedom House, dënimi i zyrtarëve të lartë dhe gjykatësve për korrupsion dhe abuzim me detyrën mbetet i rrallë’’. Ndërkohë buxheti i shtetit vijon të ‘’shpohet’’ nga njerëz të papërgjegjshëm në kurriz të pjesës tjetër të shoqërisë.
Referenca:
- Kontrolli i Lartë i Shtetit. Qerhsor 2015. KLSH kallzon në prokurori drejtoreshën e Drejtorisë së Prokurimeve Publike të përqëndruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Online: http://www.klsh.org.al/web/KLSH_KALL_ZON_N_PROKURORI_DREJTORESH_N_E_DREJTORIS_S_PROKURIMEVE_PUBLIKE_T_P_RQ_NDRUARA_N_MINISTRIN_E_PUN_VE_T_BRENDSHMEDHE_11_PUNO_1456_1.php?kc=0,3,3,0,0 - BalkanWeb. Qershor 2015. Abuzuan me tenderat: KLSH kallëzon në prokurori 12 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
Online: http://www.balkanweb.com/site/abuzuan-me-tenderat-klsh-kallezon-ne-prokurori-12-zyrtare-te-ministrise-se-brendshme/ - Vendim i Këshillit të Ministrave. Janar 2015. Vendim nr. 28 ‘’Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik në emër dhe për llogari të kryeministrit, ministrave dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime.
Online:file:///Users/atom/Downloads/19%20VENDIM%20NR.%2028%20DAT%C3%8B%2014.01.2015_NDRYSHUAR_VKM176_date_25.2.2015.pdf - Agjencia e Prokurimeve Publike. Qershor 2015. Buletini 21.
Online: file:///Users/atom/Downloads/Buletini_Nr_%2021_date_01.06.15_perfundimtar.pdf - Freedom House. 2015. Freedom in the world 2015.
Online: https://freedomhouse.org/report/freedom-world/2014/albania#.VZBsJe2qqko