![Mimi BARUSHI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/01/Mimi-Barushi-1-220x300.jpg)
Mimi BARUSHI, MSc
1- Administrim pa administrator…
Veprimtaria e administrimit të ndërtesave për banim do të kryhej vetëm nga personat e regjistruar në librin e administruesve, të mbajtur nga njësia e qeverisjes vendore në juridiksionin e së cilës ushtrohet kjo veprimtari. [1]Po ashtu, administratorët e pallateve do të regjistrohen, do të pajisen me licenca, do trajnohen, do të mbikëqyren rregullisht, madje edhe do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet gjatë aktivitetit. Rregullat u përcaktuan nga Këshilli i Ministrave përmes një Udhëzimi të posaçëm mbi licencimin në datë 1.10.2014, mbikëqyrjen dhe procedimet disiplinore që do aplikohen ndaj administratorëve të ndërtesave.
“Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë kërkesat që duhet të përmbushë administratori i ndërtesave të banimit, për listimin në listën e administratorëve të mbajtur nga njësia e qeverisjes vendore, procedurat për listimin dhe heqjen nga lista, penalitetet, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre” përcakton dokumenti qeveritar.
Për administratorët e pallateve u diskutua shkarazi në maj 2015 dhe më pas në shkurt 2016 kur Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi me qytetarët funksionimin e strukturës. Në çdo pallat do të vendoset një administrator që do të ketë detyra të përcaktuara për t’u marrë me problemet që kanë banorët, për sa i përket mirëmbajtjes së pallatit, problemet me ujin, dritat etj. Ligji detyron krijimin e asamblesë së bashkëpronarëve dhe administratorëve, ndërsa njësitë vendore ngarkohen për thirrjen e tyre dhe diskutimin e situatave. Ato duhet të krijojnë regjistrin e bashkëpronësisë, që duhet të përmbajë emrat e anëtarëve të kryesisë dhe adresën e ndërtesës së banimit. Ligji gjithashtu, ngarkon bashkitë dhe njësitë vendore të hartojnë programe nxitëse për rikonstruksionin e ndërtesave të dëmtuara duke kontribuar me financime pjesore. Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik do të kenë rolin e tyre në mbikëqyrjen e administrimit të banesave nga administratorët. Në raste shkeljesh janë parashikuar gjobitje për mënyrën e administrimit të bashkëpronësisë. Pas miratimit të këtij ligji, tani pritet që të plotësohet kuadri ligjor për zbatimin e tij, me akte të tjera nënligjore. Në ligj përcaktohet që asambletë në fillim të çdo viti do të përgatisin një paketë administrative ku përcaktohet tërësia e shërbimeve për mirëmbajtjen dhe administrimin e pronës së përbashkët si dhe kostoja e tyre. Por nga kërkesat për transparencë të shoqërisë civile rezulton se Bashkia Tiranë nuk ka asnjë administrator sipas ligjit, pra pallatet e Tiranës administrohen nga administratorë informalë.
2- Planet rregulluese pas miratimit, në kërkim të mendimit kritik.
Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në mes të muajit qershor tre planet kombëtare: Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin e Integruar Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë – Durrës. Ministrja Eglantina Gjermeni ka ftuar shoqërinë civile që të kontribuojë përmes monitorimit, por ende nuk ka asgjë të publikuar mbi mënyrat e aksesimit të informacionit dhe teknikaltitet përkatëse.
Përgjatë gjithë vitit të shkuar dhe gjysmë së parë të këtij viti është përmendur vazhdimisht që planet që 31 planet vendore do të përfundonin dhe do të miratohen në muajin korrik. Ndërsa në daljen e fundit të ministres ky afat nuk është përmendur më, por si afat është dhënë fundi i vitit.
[1] Administratoret e pallateve – http://www.oranews.tv/vendi/administratoret-e-pallateve-bashkia-do-te-nise-certifikimin-dhe-licensimin/