![Adela Danaj, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/01/Adela_Danaj-207x300.jpg)
Adela Danaj, MSc
1-A jemi në duar të mjekëve mediokër?
Një tjetër ngjarje tronditëse ka ndodhur brenda dyerëve të qendrës spitalore Nënë Tereza në Tiranë. Pas denoncimit të nënës së një fëmije shtatë vjeçar, ky i fundit është infektuar me virusin HIV/AIDS gjashtë vite më parë në ambjentet e pediatrisë pranë QSUT-ës. Fëmija ishte vetëm një vjeç kur u shtrua në spital për t’ju nënshtruar mjekimit ndaj të ftohit. Sipas asaj që raportohet, menjëherë sapo foshnja një vjeçare është kthyer në shtëpi, ka filluar të shfaq komplikacione të tjera shëndetësore. Janë dashur plot tre vite që mjekët të cilët ndiqnin shëndetin e fëmijës të kuptonin se ai ishte infektuar me HIV/AIDS. Megjithatë, nëna e fëmijës në fjalë ka denoncuar rastin duke qenë se prej disa muajsh ajo nuk po arrin të sigurojë Nevirapinë-n, ilaç i domosdoshëm për vazhdimësinë e kurimit të vogëlushit[1].
Kjo ngjarje na ka sjellë përballë disa fakteve ndaj të cilave nuk mund të heshtësh. Sigurisht pretendimi i nënës se fëmija është infektuar në ambjentet e pediatrisë mbetet për tu vërtetuar, por e vërteta e hidhur qëndron diku tjetër. Ky fëmijë për tre vite nuk është kuruar me mjekimin e duhur dhe në tre vite asnjë mjek që është marrë me rastin e tij nuk ka arritur të diagnostikojë problemin e tij. Janë dashur tre vite nëpër dyer spitalesh që mjekësia shqiptare të kuptojë që ky pacinet është infektuar me HIV/AIDS. Pra, në tre vite, ky fëmijë është kuruar për diçka që nuk e ka patur, ndërkohë që virusi vazhdonte të sulmonte imunitetin dhe trupin e tij. Është e qartë se shëndeti i qytetarëve shqiptar sot, nuk është në duar të sigurta. Nuk është rasti të drejtojmë gishtin te çdo mjek, por pa asnjë të voglin dyshim që është rasti të ngremë pikëpyetje mbi stafin mjekësor që punon nëpër ambjentet spitalore shqiptare. Ky staf supozohet të përmbush të gjitha kriteret profesionale dhe nëse nuk ndodh kështu, çfarë vazhdon të bëjë me përparësen e bardhë veshur?
Problemi i dytë në gjithë këtë histori qëndron në faktin se askush nuk po merr asnjë përgjegjësi. Të gjithë mjekët që kanë ndjekur fëmijën gjatë tre viteve të para janë duke heshtur. Në rast se nuk ka qenë faji i tyre për diagnostikimin në kohën e duhur të pacientit, por kushtet apo rrethanat kanë penguar, përse vazhdojnë të qëndrojnë në hije? Së treti, ashtu sikurse dhe në mjaft raste të tjera, vazhdon të mbetet problem i pashmangshëm mungesa e ilaçeve. Pra, jo vetëm që fëmija në tre vite nuk ka marrë mjekimin e duhur, por dhe kur u diagnostikua nuk është në gjendje të marrë mjekimin që siguron jetëgjatësinë e tij. A ka më keq se kaq? Duhet theksuar, se në të gjithë këtë analizë po përjashtohet mundësia që fëmija është infektuar në pediatri, të paktën deri në momentin që kjo e fundit do të vërtetohet, pasi nëse do të futej në “lojë” dhe ky variabël, atëherë….do të ishte e vështirë që logjika të funksionojë….
2-Fludarabinë, e dashur fludarabinë…Ku ishe për katër muaj?
Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në një tjetër skandal aferash. HashtagAl disponon një MEMO shqetësuese e cila dëshmon se si jeta e pacientëve nuk është asgjë më shumë se sa burim të ardhurash për disa kompani. Përmbajtja e MEMO-s në fjalë dëshmon se një prej ilaçeve të domosdoshme për kurimin e leuçemisë është bllokuar për 4 muaj. Sipas kësaj dëshmie krerët më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Fondit të Kujdesit Shëndetësor janë përgjegjësit kryesor të këtij skandali. Sipas asaj që raportohet, kompania e cila ka patur ekskluzivitetin e shpërndarjes së ilaçit, është bllokuar nga Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që një tjetër kompani ka fituar të drejtën e importit të tij. Sigurisht, nuk mund të përjashtohet mundësia që një kompani tjetër, të përfshihet dhe të menaxhojë qarkullimin e ilaçit jetik, aq më tepër në një treg të lirë dhe të hapur, ku supozohet se dominon konkurrenca e pastër. Por, duket se këtu kemi të bëjmë me një problem. Sipas asaj që raportohet në MEMO
“Ende pa patur nje çmim zyrtar te barit Fludarabine oral 10mg, Drejtori i Agjencise Znj. Alma Skenderaj, ne shkelje te flagrante me ligjin e barnave, autorizon importin e barit Fludara oral 10mg, sipas autorizimit te importit nr. 16529, date 14.07.2015, me nje çmim CIF 430.2 Euro/paketim. Miratimi i cmimit CIF nga Komisoni i Çmimit te Barnave, eshte kusht thelbesor qe paraprin importin e nje bari te autorizuar ne vendin tone. Nese ky cmim nuk eshte i miratuar, nuk mundet kurrsesi te leshohet autorizimi i importit, element perberes i formatit te tij.” (Mapo, 2016)[2]
Pra, në këtë raport flitet për një seri parregullësish, të cilat jo vetëm që ri-implikojnë sërish Ministrinë e Shëndetësisë për afera korruptive apo shkelje flagrante të ligjt, por ri-theksojnë për të disatën herë paaftësinë e saj për tu kujdesur për shëndetin e qytetarëve shqiptar. Fatkeqësia më e madhe lidhet me faktin se nuk ka asnjë përgjegjës për gjithçka ndodh dhe më keq akoma…pacinetët duhet të luftojnë më fatkeqësinë e tyre shëndetësore si dhe me “urinë” e burokratëve për tu pasuruar çdo ditë e më shumë në kurriz të tyre.
[1]NOA.al Denoncimi, fëmija infektohet në spital me HIV/AIDS http://www.noa.al/artikull/denoncimi-femija-infektohet-ne-spital-me-hivaids-video/589645.html aksesuar për herë të fundit 30 Qershor 2016
[2] Gazeta Mapo. Konfidenciale/ Beqaj e Bello bllokuan 4 muaj ilaçin për leuçeminë http://www.mapo.al/2016/06/konfidenciale-beqaj-e-bello-bllokuan-4-muaj-ilacin-per-leucemine/1 aksesuar për herë të fundit 30 Qershor 2016