
Sokol KONDI, MSc
1- Paradoksi/Bushati emëron drejtor ish-ambasadorin që paditi për “faljen” e detit te grekët
Ka edhe paradokse të tilla. Ministri i Punëve të Jashtme Z. Ditmir Bushati, prej disa muajsh ka emëruar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Çështjeve Politike dhe Strategjike, ish-ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Z. Ferit Hoxha, i cili është nën hetim, pas kallëzimit penal që i ka bërë vetë Ministria e Punëve të Jashtme grupit që negocioi paktin detar me Greqinë që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe ku Hoxha ishte pjesë[1].
Pra, edhe pse ish-ambasadori kishte një rol të rëndësishëm në grupin që veproi pa delegimin e plotfuqisë për të negociuar nga Presidenti i Republikës, në shkelje të Kushtetutës, dhe pavarësisht se ky grup i “fali” palës helene rreth 350 km katror nga ujërat territoriale të Shqipërisë, MPJ e ka shtrënguar fort atë, duke i besuar një drejtori të rëndësishme dhe duke shfaqur efektet e shtrirjes së Sindromës së Stokholmës në diplomaci.
Më keq se sa kaq vetëm Edipi Mbret mund të bënte.
Është interesante të kuptohet se si do ta rinegociojë në nivelet më të larta Shqipëria me Greqinë çështjen e shelfit kontinental, kur në gjirin e saj ka zyrtarë të lartë që domosdo do të kenë një rol aktiv në bisedime, për nga vetë profili i detyrës, të cilët kanë një precedent bujarie dhe lëshimi të pazakontë karshi kundërpalës.
2- Injorimi i rolit të MPJ/ Kryeministri shkel ligjin për Shërbimin e Jashtëm
Që kryeministri Edi Rama e ka pasion të shkruarin dhe që i pëlqen të përdorë fantazinë, metaforat dhe historinë kjo është gjë e njohur. Por ndoshta jo edhe aq i njohur është fakti se kur flet për çështje të politikës së jashtme, duke përdorur ekskluzivisht vetëm pendën e tij, Z. Rama bën një shkelje ligjore. Në fakt, sipas ligjit të shërbimit të jashtëm të propozuar dhe miratuar nga shumica që qeveris që prej 2013-s, të gjithë zyrtarët shqiptarë, që në nivel lokal, e deri në atë qendror, duhet të koordinohen dhe të marrin pëlqimin e MPJ përpara se të bëjnë deklarata që hyjnë në sferën e politikës së jashtme.
Zor se Z. Rama e ka bërë një gjë të tillë, kur gjatë Kongresit të një partie politike[2] shqiptare, lëshoi ironi dhe metafora pafund ndaj Greqisë, që shkaktuan edhe reagimin zyrtar të kësaj të fundit.
Tensioni i panevojshëm që krijojnë situata të tilla, nuk ndihmon në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe me fqinjët dhe në radhë të parë është injorim ndaj rolit ligjor që MPJ ka në këtë mes dhe që vetë qeveria ia dha përmes nismës së saj ligjore.
3- Mali i Zi/ Si vepron një ambasadë kur fyhen qytetarët shqiptarë?
Një fjalor zyrtar që shkaktoi mjaft polemika në Malin e Zi[3], pasi në të shqiptarët fyhen rëndë, nuk solli ndonjë reagim zyrtar nga ana e MPJ-së së Tiranës, apo nga ambasada jonë në Podgoricë, ndryshe nga çfarë bën Greqia për shembull, sa herë që ndihet e fyer nga Shqipëria.
Por më shumë se sa rëndësia e çështjes, që duket se malazezët do ta zgjidhin vetë, duke e tërhequr tekstin, bie më tepër në sy një apati e theksuar në transparencë dhe llogaridhënie për publikun nga shërbimi i jashtëm shqiptar.
Në fakt, në sajtet përkatëse zyrtare të ambasadës tonë në Malin e Zi apo të Ministrisë së Jashtme, nuk ka asnjë të dhënë se si është vepruar në këtë rast[4]. Një qytetar që dëshiron të informohet, nuk ka përse t’i dërgojë domosdoshmërisht një shkresë institucioneve përkatëse, kur fare lehtë ato mund ta pasqyronin aktivitetin e tyre në mënyrë transparente, duke i kursyer kohë shtetasve dhe duke qenë më të hapura, kur jemi në epokën e rrjeteve sociale.
4- Çudia/MPJ kërkon bashkëpunim me grupet e interesit
Në një e-mail të pazakontë që më ka mbërritur nga Ministria e Punëve të Jashtme, kjo e fundit më njoftonte se “Me qëllim realizimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin dhe konsultimin e të gjithë aktorëve, përfshirë shoqatat e pakicave, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare…. Ministria e Punëve të Jashtme ka kënaqësinë t’ju ftojë të merrni pjesë në Takimin me përfaqësues të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, të shoqatave të pakicave dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, që do të zhvillohet në datën 30 qershor 2016, ora 11:00-1:.00, në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
Ministria e Punëve të Jashtme ka filluar punën për hartimin e projektligjit “Për mbrojtjen e të drejtave të pakicave” dhe në këtë kuadër me sa duket po kërkon një bashkëpunim sa më të gjerë me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.
Deri këtu duket çdo gjë një rregull. Vetëm se, kur qe fjala për të propozuar, konsultuar, apo debatuar lidhur me ligjin për shërbimin e jashtëm, asnjë e-mail nuk mbërriti, asnjë konferencë me ekspertë nuk u bë dhe asnjë dëgjesë me grupet e interesit nuk u transmetua.
Nga kjo del se, kur bëhet fjalë për të bërë ligje që i shtrijnë efektet ndaj të tretëve, MPJ është shumë e hapur, dashamirëse dhe bashkëpunuese, kurse kur bëhet fjalë për propozim, apo miratim ligjesh që kanë të bëjnë direkt me funksionimin e saj, ish-ndërtesa e ambasadës kineze në Tiranë befas bëhet e ngurtë, jo bashkëpunuese dhe mbyllet si një bunker.
5- Konsullata në Milano vuan inercinë e ish-Kryekonsulles; dhe një detyrë e munguar
Kemi trajtuar gjatë dy muajve të fundit mjaft çështje që lidhen me konsullatën shqiptare në Milano. E përfshirë nga një seri skandalesh në të kaluarën, që sollën shkarkimin e të gjithë stafit nga detyra, duket se edhe stafi i ri nuk po tregohet në lartësinë e duhur.
Pesha e ish-Kryekonsulles ndihet ende. Në fakt, në sajtin zyrtar të Konsullatës[5], figuron një shkrim-reklamë, ku ish-Kryekonsullja e shkarkuar tashmë, Znj. Luljeta Cobanaj i bën një pasqyrim arritjeve të “mëdha” të vetes dhe se si e “ndriti” konsullatën.
Si duket administrata e re ka qenë e zënë me gjëra shumë më serioze për t’u marrë me vogëlsira të tilla.
Ndërkaq, më 31 maj, nga në ngjarje e pazakontë u mësua se falë një telefonate të policisë së Milanos për homologët e tyre britanikë, 18 emigrantë ilegalë shqiptarë që po mbyteshin në një gomone pranë brigjeve të Anglisë u shpëtuan shëndosh e mirë[6].
Ndërmjet takimeve të shumta ceremoniale, kulturore, ku trokitën gotat e shampanjës dhe këmbehen batuta, selitë diplomatike dhe konsullore shërbejnë edhe për këtë, për të falënderuar fqinjët dhe për të rritur bashkëpunimin me ta, sidomos kur këta të fundit ndihmojnë shqiptarët. Kështu që ndonjë falenderim publik dhe ndonjë pritje ceremoniale për policinë e Milanos apo për shpëtimtarët britanikë në Londër nuk do të na kishte bërë keq, në respekt të vëllezërve dhe motrave që vendet përkatëse na shpëtuan.
Por fakti që shqiptarët që po mbyteshin patën më tepër besim të telefononin policinë e Milanos se sa institucionet diplomatike shqiptare, flet vetë për problematikat e sektorit që kemi rreth një vit e gjysmë që i trajtojmë.
[1] Kallzimi penal i bërë nga MPJ ndaj personave të grupit negociator për paktin detar me Greqinë http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=231146
[2]Deklaratta e Ramës për Greqinë dhe Zeusin dhe Kongresin e PDIU http://www.mapo.al/2016/06/batutat-e-rames-per-mesila-doden-e-idrizin-ne-kongresin-e-pdiu-se/1
[3] Mal i Zi, fjalor fyes ndaj shqiptarëve http://www.zeriamerikes.com/a/fjalori-mal-i-zi-terheqja/3382803.html
[4] Sajti i ambasades shqiptare ne Malin e Zi, ku nuk ka ansje informacion mbi çështjen http://www.ambasadat.gov.al/montenegro/sq/artikuj
[5] Konsullata e Milanos, reklama që ish-Kryekonsullja e shkakruar për korrupsion i bën vetes http://www.ambasadat.gov.al/milan-consulate/sq/si-e-ktheu-diplomatja-%C3%A7obanaj-konsullat%C3%ABn-e-milanos-n%C3%AB-%E2%80%9Csht%C3%ABpi%E2%80%9D-t%C3%AB-shqiptar%C3%ABve
[6] Historia e shpëtimit të gomones me emigrantë të paligjshëm shqiptarë http://www.syri.net/2016/05/31/po-vdesin-zbardhet-telefonata-e-adoleshentit-nga-shkodra-qe-shpetoi-shqiptaret-qe-po-mbyteshin-ne-angli-alarmi-edhe-tek-intepol/