
Flutura GJANA, MSc
1-Cilësia e ujërave larës në diskutim
Agjencia Evropiane e Mjedisit ka botuar raportin e cilësisë së ujërave larëse[1] të Shqipërisë për vitin 2015. Në raport vlerësohet se 39.7% apo 31 zona të ujërave larës kanë cilësi shumë të ulët. Ndër të cilat 24 i përkasin bregdetit të Durrësit. Shifra këto që po ti krahasojmë me raportin[2] e vitit 2014 janë 28-fishuar. Në vitin 2014 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit vetëm 1.4% e ujërave larës janë vlerësuar me cilësi shumë të ulët.
Rikujtojmë që një vit më parë u mbajt konferenca për monitorimin dixhital të cilësisë së ujërave larës për vitin 2015. Në të morën pjesë Ministri i Mjedisit zoti Lefter Koka dhe drejtori i Agjencisë së Mjedisit zoti Julian Beqiri. Vetë ministri përgjatë kësaj konference ka cituar[3] se:’’ …nga rezultatet vihet re një rritje e cilësisë së ujërave bregdetare me 20 për qind krahasuar me një vit më parë’’.
Por kjo bie komplet në kundërshtim me të dhënat që janë në raportin e Agjencisë Evropiane të Mjedisit për vitin 2015. Ministri shprehet se cilësia e ujërave për vitin 2015 është përmirësuar me 20% krahasuar me vitin 2014, kurse Agjencia Evropiane e Mjedisit ka vlerësuar se në vitin 2015 numri i zonave të ujërave larës me cilësi të shumë të ulët nga 1 që ka qenë në vitin 2014 ka arritur në 31. Ndryshimi midis rezultateve të dy Agjencive është tejet i lartë. Cilat shifra duhet të merren për bazë nga ne?
Për vitin 2016, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar[4] një analizë të cilësisë së ujërave larës në të cilin thuhet se nga 99 plazhe që janë marrë në studim 90 prej tyre kanë cilësi shumë të mirë. Por se sa të besueshme janë këto rezultate mbetet në diskutim.
Një vit më parë u investua që monitorimi i cilësisë të ishte në mënyrë dixhitale. Çdo individ nëpërmjet një linku që ishte venë në dispozicion nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit mund të kontrollonte online cilësinë e plazheve përpara se të zgjidhte të pushonte në to. Kurse sot nuk ofrohet asnjë informacion.
2- Nga se rrezikohen pyjet?
Pyjet shqiptare çdo vit rriskohen nga faktorë të ndryshëm si prerjet, zjarret, erozioni, lejet për ndërtimin e HEC-eve etj. Imazhet satelitore kanë treguar se në 10 vitet e fundit sipërfaqet e pyjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë janë ulur[5] me 7%, nga 33% që ishin 10 vite më parë sot janë 26%. Edhe pas vendosjes së moratoriumit të pyjeve në shkurt të këtij viti, situata mbetet përsëri problematike. Nuk duhet harruar një hallkë shumë e rëndësishme. Ajo e institucioneve përkatëse që kanë për detyrë të monitorojnë pyjet. Duhen përcaktuar mirë përgjegjësitë dhe detyrat që ka secili punonjës i këtyre institucioneve dhe në rast të mos përmbushjes së tyre të merren masa e duhura ndëshkuese. Në këtë mënyrë rritet dhe cilësia e punës së tyre dhe ulet rreziku që mund t’i kanoset pyjeve.
Por me ardhjen e sezonit të verës, pyjet rrezikohen të përfshihen nga zjarret, të cilat të shumtën e rasteve kanë qenë me dashje. Monitorimi i fondit pyjor nuk realizohet me rigorozitet, duke krijuar kushte të favorshme për prerjet e paligjshme apo abuzime nga subjektet e licencuara për të shfrytëzuar pyjet.
Në qershor të 2015 Ministria e Mjedisit ka deklaruar se zgjidhja e vetme për përmirësimin e kësaj situate dhe shpëtimin e pyjeve është implementimi i sistemit elektronik të monitorimit. Ky sistem do të mundësonte monitorimin e çdo individi që hyn në fondin pyjor, gjithashtu do të ndihmonte lokalizimin e shpejtë të zjarreve në sajë të kamerave termike që ka. Por deri më tani asgjë nga planet e ministrisë nuk është realizuar.
[1] Raport: European bathing water quality in 2015
(http://www.eea.europa.eu/publications/european-bathing-water-quality-in-2015)
[2] Raport: European bathing water quality in 2014
(http://www.eea.europa.eu/publications/european-bathing-water-quality-in-2014)
[3] Artikull: Monitorim dixhital i cilësisë së ujërave larës përgjatë gjithë vijës bregdetare
(http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/monitorim-dixhital-i-cilesise-se-ujerave-lares-pergjate-gjithe-vijes-bregdetare&page=1)
[4]Raport: Cilësia e Ujërave Larës http://www.bregdeti.gov.al/images/Cilesia_e_Ujerave_ne_plazhe.pdf
[5]Artikull: Zvogëlohen pyjet e Shqipërisë, në 10 vjet kemi humbur 7 përqind
(http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=305201)