![Rezarta CAUSHAJ, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/R.-Caushaj-300x300.jpg)
Rezarta CAUSHAJ, MSc
1. Puna e Ministrisë së Integrimit: dhënia e mesazheve të përgjithshme pozitive
Megjithëse do kishim dashur të raportonim mbi punën semestrale të Ministrisë së Integrimit, si pothuajse çdo muaj kemi evidentuar se në fakt ky organ nuk merret me problematika të mirëfillta, por me çështje shumë më “madhore”. Ky konkluzion është arritur mbasi kemi shqyrtuar veprimtaritë e publikuara në seksionin e Lajmeve të Ministrisë ose për të qenë më të saktë të Ministrit Znj. Gjosha, meqë shumica kanë në qendër fjalime apo vizita të kryera prej saj.
Do të ri sjellim më poshtë disa nga pjesët më të rëndësishme të deklaratave “raportuese” të këtij muaji për sa i përket procesit të integrimit të vendit dhe reformave:
- “Të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë që në bazë të meritokracisë t’i bashkohen administratës publike apo të vlerësohen në vazhdimësinë e karrierës së tyre. Kjo reformë po sjell një ndryshim rrënjësor të mentalitetit dhe kulturës së punës.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prioritet edhe në rritjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. Është bërë shumë punë në këto prioritete, por ne jemi të sigurt se Reforma në Drejtësi, që lidhet drejtpërsëdrejti me këto prioritete, do të ketë një ndikim thelbësor në përmbushjen e kërkesave të mëtejshme.
Lidhur me Mbrojtjen e të Drejtave Themelore, janë ndërmarrë një sërë masash për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, menaxhimin e dhunës në familje si dhe barazinë ligjore.
Nga ana tjetër, pavarësisht hapave përpara, kërkohet një punë akoma edhe më e madhe për prioritetin nr. 5 i cili garanton të drejtat themelore të njeriut që forcojnë në mënyrë solide demokracinë në vend. Reforma zgjedhore ndërkohë është në proces. Kanë filluar diskutimet mes ekspertëve të grupeve të ndryshme parlamentare për të arritur një draft primar në kohën e duhur për konsultim dhe miratim përfundimtar.
Zbatimi i ligjit “Për dekriminalizimin” ka nisur me plotësimin e formularëve të vetë-deklarimit nga nëpunësit civilë, drejtorët në administratën publike, forcat e Policisë si dhe anëtarët e zgjedhur të Komisionit. Tashme kemi rezultatet e para nga ky ligj, ku një sërë zyrtarësh të lartë janë përjashtuar nga funksionet publike dhe ndërkohë implementimi i këtij ligji do të vazhdojë duke vendosur një standard të ri në politikë[1]” – nga fjala e mbajtur në Komitetin e Shtatë të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri.
Siç mund të vërehet edhe nga fjalimi i plotë që gjendet në seksionin e referencave, fjalët kyçe të përdorura janë “shumë punë”, “një sërë masash”, “përparim dhe rezultate konkrete”, por në çdo rast Ministri nuk mund të ilustrojë sukseset me shembuj konkret. Rasti më flagrant është ndoshta përmendja e ligjit të Dekriminalizimit, ku Prokuroria ka nis hetimet mbi disa zyrtar të cilët kanë fshehur ndjekjet e mëparshme penale nga Formulari i Deklarimit dhe gjithsesi, qëndrojnë ende në detyrë. Rasti më flagrant është ai i Kryebashkiakut të Kavajës Z. Rroshi[2], i cili megjithëse aktualisht me masën “arrest shtëpie”, ende nuk i është kërkuar të dorëhiqet.
-Duke folur në konferencën “Një e ardhme më e mirë për Rininë në Ballkanin Perëndimor” Znj, Gjosha tentoi të lidhte në një fjali të vetme politikën e nxitjes së arsimit profesional të ndjekur nga qeveria aktuale, pa ndonjë bilanc pozitiv mbi edukimin apo tregun e punës, me procesin e integrimit duke thënë “Nuk ka integrim më të mirë të një shoqërie sesa përmes një edukimi të mirë, formimi profesional. Të gjitha këto për perspektivën dhe më shumë mundësi punësimi në përputhje me tregun e punës.” Natyrisht procesi i integrimit është kompleks dhe nuk është i shkëputur nga edukimi, por kjo duhet të ishte një përpjekje për të reflektuar pikërisht mbi këto politika që janë aplikuar dhe efektin e tyre, në vend të një përpjekje shterp për t’i promovuar reformat si progres, pavarësisht kostos sociale e ekonomike. Po t’i rikthehemi citimit, evidentojmë se procesi i integrimit nuk varet nga arsimi profesional në veçanti dhe nuk ka asnjë tregues se vendet që i japin prioritet edukimit akademik të jenë më pak të përparuara, ndaj implikimi ka vetëm vlerë propagandistike.
-Në të njëjtën konferencë Znj. Gjosha shpalli krijimin e RYCO ose Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, për të cilën u shpreh “Qëllimi i saj është të rrisë kapacitetet e të rinjve, të cilët bazuar në eksperiencën e fituar nëpërmjet pjesëmarrjes në projekte rajonale, të kontribuojnë në promovimin e vlerave demokratike, tolerancës, të drejtave të njeriut dhe luftën kundër racizmit, ksenofobisë, nxitjes së urrejtjes dhe diskriminimit (bazuar në etnicitetin, besimin, gjininë dhe gjuhën mëmë), të cilat janë ende prezentë në shoqërinë tonë.”
Në Faqen e Ministrisë nuk gjenden të tjera informacione mbi mënyrën se si do të funksionojë Zyra, skema e bashkëpunimit apo mënyrën e financimit, megjithëse nga një deklaratë e Z. Klosi[3] në shkurt, supozohej se plani i punës do të finalizohej në datën 1 mars 2016. Të gjitha këto janë detaje që çdo i ri që ka dëgjuar direkt apo përmes medias deklaratën e mësipërme, do ishte i interesuar t’i dinte meqenëse vendi jonë është veçanërisht i izoluar nga ndërveprimi me vendet e rajonit, ku deri më sot kufizohet ndërmjet organizatave të shoqërisë civile.
-Kur bie fjala për të sqaruar publikun mbi sukseset e reformës në administratë, ministria mjaftohet të thotë: “Ministrja, ndau me të ftuarit disa nga arritjet që janë bërë dy vitet e fundit për plotësimin e reformës në administratën publike me masa konkrete.” . Ndërkohë që Ministri thotë se ajo e administratës ka qenë reforma më e suksesshme, duke vendosur ligjin e meritokracisë, burime mediatike si BIRN[4] japin alarmin se punësimet partiake kanë marr një hov të ri dhe kjo e gërshetuar me ndryshimet në qeveri e në struktura, po e bëjnë të pamundur formimin e një Shërbimi Civil profesional, të pavarur dhe korrekt. Përkundrazi, shihen më të rëndësishme vlerësimet të tilla pa asnjë përmbajtje konkrete si: “Ndaj dhe dua të përsëris dhe një herë se ne besojmë në Projektin europian pavarësisht sfidave, sepse për ne ai është projekti i modernizimit të transformimit. Perspektiva e besueshme dhe e parashikueshme europiane mbetet mbështetje e pazëvendësueshme për konsolidimin e shtetit tonë demokratik”. Me pak fjalë, sipas vlerësimit të vetë Ministrit, pavarësisht se si vend që mbështetemi prej BE që prej daljes nga sistemi komunist dhe nga vetë plani i integrimit, duhet të kemi bërë progres në qasjen tonë të zhvillimit dhe demokratizimit, sipas Ministrit, kemi mbetur në vend: nëse BE nuk na mbështet, nuk ka as modernizim, as demokratizim.
-Për aq shumë sa Ministria e Integrimit i është referuar gjatë vitit Reformës në Drejtësi, do kishim pritur që ajo, si palë në angazhimin për hapjen e negociatave, të bënte një përpjekje për të informuar qytetarët në një mënyrë të qartë, të kuptueshme, larg deklaratave me ngjyrime politike mbi reformën në drejtësi, çfarë është arritur, ku ka ngecur dhe cilat janë zgjidhjet e mundshme. Kjo është e vetmja mënyrë se si qytetari mund të bëhet palë në proces, duke kuptuar në radhë të parë, duke bërë të ditur vullnetin e tij e pse jo duke ushtruar presion që të adoptohet reforma më efikase. Ministri vazhdimisht mjaftohet të ri përsëris frazën e zakonshme: “Reforma në drejtësi është e domosdoshme për Shqipërinë. Me miratimin e saj vendit i hapet drita jeshile për negociatat, ndaj ne duhet që këtë reformë ta finalizojmë sa më shpejt me përfshirjen dhe mbështetjen e të gjitha palëve politike”, tha Ministrja Gjosha.”[5] Pavarësisht se media të caktuara[6] e kanë marr përsipër të informojnë publikun në mënyrë të balancuar mbi reformën, përfshirja e institucioneve si Ministria në informim na duket mjaftë e nevojshme, për shkak se sistemi aktual nuk i garanton publikut mjete të pavarura informimi e rrjedhimisht, ai gjendet shpeshherë në dyshim mbi informacionet konflituale e të paqarta që merr, ku thelbi humbet në konfliktin e vazhdueshëm pozitë-opozitë[7].
2- Raportim në Komisionin e Integrimit Europian
Ministri i Ekonomisë, Znj. Milva Ekonomi ka raportuar në 20 qershor pranë Komisionit të Integrimit Europian[8] dhe gjatë gjithë fjalës së saj, ku i është referuar të dhënave të INSTAT për periudhën 2014 -2015 mbi zhvillimin ekonomik, ka paraqitur me tone mjaftë pozitive punën e Ministrisë dhe arritjeve sipas saj në investime, në shkëmbime tregtare, ku është futur në analiza të gjata të importeve dhe eksporteve, ku bilancin negativ ia faturon ndryshimeve në tregjet botërore e jo sasisë së tyre. Analiza është jo e qartë duke qenë se periudha kohore së cilës Ministri i referohet po të jesh i vëmendshëm nuk është e mirë përcaktuar, ku në një moment flitet për zhvillimet në 5 vjeçarin e fundit siç e tregon edhe ky paragraf:” Ndërkaq, vumë re se në pesë vjetët e fundit, në fakt, shkëmbimet tregtare me Bashkimin Europian janë rritur. Ne kemi një rritje mesatare për periudhën pesëvjeçare të eksporteve, që shkon në 8,9%. Ndërkohë, po të vëmë re rritjen mesatare të importeve për këtë periudhë ajo ka qenë një rritje mesatare më e ulët, ka qenë në luhatje, sidomos për periudhën 2012-2013, dhe rritja mesatare e importeve është rreth 2,9%. Gjatë kësaj periudhe edhe deficiti tregtar është përmirësuar me këto vende, duke shënuar një ulje mesatare vjetore me 0,5%.”
Ministri nuk i është përgjigjur dot pyetjeve të Kryetarit të Komisionit, Znj. Majlinda Bregu e cila ka theksuar mungesën e investimeve të huaja, për politikat fiskale të aplikuara si taksimi mbi të ardhurat personale, mungesën e Zonave të Lira ekonomike në krahasim më fqinjët që janë pjesë e disa të tillave apo edhe vlerësimet negative të Dhomës së Tregtisë Gjermane e asaj Amerikane. Mbi këtë të fundit, Znj. Ekonomi theksoi se po punojnë më një grup ekspertësh mbi një strategji komunikimi dhe diplomacinë ekonomike, por kurrsesi nuk u prek se cilat do të jenë masat konkrete që do të merren për të tërhequr investitorët, si paketa fiskale apo lehtësimi i procedurave të regjistrimit dhe likuidimit, të cilat janë faktorët që realisht kanë peshë. Kjo vjen në kuadër të akuzave që po i bëhen qeverisë në përqendrimin e vëmendjes kryesisht në propagandë në tentativën për tërheqjen e investitorëve të huaj, ndërkohë që shifrat reale tregojnë rënie me 40%[9] të investimeve gjatë tremujorit të parë të 2016 dhe rënie me 10% të remitancave, që përkthehet në ulje të konsumit vendas. Megjithatë, duke qenë se qëllimi i raportimit është nxjerrja e gjendjes aktuale nëpërmjet përplasjeve të qëndrimeve opozitare në komision, mendojmë se ky raportim ishte pozitiv për faktin se jep një tablo të qartë të ekonomisë sonë, e reflektuar edhe në faktin se Ministri ka deklaruar një ndryshim në qasje që pritet t’i shohim në të ardhmen.
[1] Faqja Zyrtare e Ministrisw sw Integrimit
[2]Faqja Zyrwtare e Medias Online Exit.al http://exit.al/2016/06/28/14249/
[3] Faqja Zyrwtare e Gazetws Shqip http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/04/klosi-zyra-rajonale-per-bashkepunim-rinor-do-ngrihet-ne-tirane/
[4] Faqja Zyrwtare e Medias Online Reporter.al http://www.reporter.al/punesimet-politike-heqin-shpresen-per-administrate-profesionale/
[5] Faqja Zyrwtare e Ministrisw sw Integrimit http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/vjene-ministrja-gjosha-takon-z-michael-linhart-sekretar-i-pergjithshem-prane-ministrise-se-jashtme-austriake&page=1
[6] Faqja Zyrwtare e Medias Online Exit.al http://exit.al/2016/06/19/permbajtja-e-reformes-ne-drejtesi/
[7] Faqja Zyrwtare e Medias Online Exit.al http://exit.al/2016/06/23/perplasja-mbi-proceduren-e-miratimit-ne-kuvend-te-refomres-ndryshimit-kushtetuese-ne-kuvend-exit-shpjegon/
[8]Faqja Zyrwtare e Kuvendit tw Shqipwrise, seksioni i Komisionit tw Integrimit Europian https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/06/Komisioni-i-Integrimit-Europian-dat—20-06-2016.pdf
[9]Faqja Zyrwtare e Medias Online Exit.al
http://exit.al/2016/06/21/investimet-e-huaja-nuk-do-te-vine-dhe-ja-pse-exit-komenton/