
Elena Pici, MSc
1-Kryefjala është FMN
Menaxhimi i financave gjatë qeverisjes aktuale është karakterizuar nga bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare, kryesisht Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore. Megjithatë, një bashkëpunim i tillë jo pak herë krijon një ‘marrëdhënie varësie’ dhe ekspertiza e të tilla institucioneve ndërkombëtare bëhet udhërrëfyese. Në muaj kur misioni i FMN pritet të jetë në Tiranë, i tillë siç ka qenë Qershori, kryefjala e të gjithë lajmeve ekonomike bëhen takimet e FMN dhe deklaratat e përfaqësuesve të institucionit.
Ashtu siç paraprimë shkurt muajin paraardhës, në seancën parlamentare të datës 2 Qershor, u miratuan ndryshimet në ligjin 9936, ‘ku imponohet një set mekanizmash të quajtura “rregulla fiskale” si dhe koncepti “veprimtari thuajse fiskale”, të cilat synojnë që Shqipëria të arrijë të reduktojë borxhin publik formal si dhe disa shpenzime të cilat janë në thelb borxh publik por jo të klasifikuara si të tilla’[1]. Ndryshimet në ligjin ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor’ janë iniciuar me nxitjen e FMN-së, me qëllimin që brenda disa viteve, borxhi publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto të reduktohet nga niveli aktual prej 73 për qind e PBB-së në nivelin prej më pak se 45 për qind e PBB-së. Rregulla të tjera synojnë të shmangin fenomenin e zakonshëm të abuzimit me buxhetin e shtetit në vitet me zgjedhje përmes fryrjes së investimeve publike para datës së zgjedhjeve.
Në fjalën e tij në parlament në lidhje me rastin, Ministri Ahmetaj u shpreh entuziast për risitë e këtij ligji[2], për të cilat nga aspekti formal edhe ne dakordësohemi. Megjithatë mungesa e mekanizmave të zbatimit të ligjit mund te sjell dështime në aspektin praktik të implementimit. Të tilla mungesa sollën për shembull dështimin e ligjit aktual, i cili gjithashtu i imponuar nga FMN, promovonte konceptin e “tavanit të borxhit” – pra, teorikisht qeveria nuk lejohej të rriste borxhin publik në mbi 60 për qind të PBB-së. Praktikisht borxhi i ka kaluar 60 për qind dhe kjo u bë fillimisht me manipulime në parashikim apo në llogaritje aritmetike dhe më pas përmes shfuqizimit të këtij neni. ‘Ligji i ri për menaxhimin e buxhetit të shtetit rrezikon të ketë të njëjtin fat’[3].
Deklaratat e FMN ishin kryefjala edhe gjatë konferencës së katërt financiare të organizuar nga FMN dhe Banka e Shqipërisë. Shefja e FMN, Anita Tuladhar, përtej konstatimit të forcimit të rimëkëmbjes ekonomike në përputhje me trendin rritës të rajonit, vuri theksin në përmirësimin e klimës së biznesit dhe trajtimin e pengesave që frenojnë kreditin. Kjo e fundit u mbështet dhe nga guvernatori Sejko, i cili dha mesazhin se kreditimi i ulet po bëhet faktor pengimi për zhvillimin ekonomik dhe se bankat duhet të jenë me elastike[4]. Megjithatë të qenit elastike bankat në kredi-dhënie është më lehtë thënë sesa bërë (shiko për me shumë raportin e Muajin Prill dhe Maj 2016). Prandaj, fokusi duhet të jetë stabiliteti i financave dhe veçanërisht paketës fiskale, duke ju dhënë garanci edhe biznesit edhe bankave.
Kryefjala FMN gjatë këtij muaji kulmoi më 28 Qershorit, datë kur FMN prezantoi konkluzionet në kuadrin e rishikimit të Programit me Shqipërinë. Anita Tuladhar, përfaqësuesja e FMN-së, foli në fakt me nota pozitive dhe nga një situatë gati dezinflacioniste ajo tha se FMN parashikon që inflacioni do të rritet në 1.8% deri në fund të vitit[5]. Megjithatë detaji më i rëndësishëm i këtij parashikimi është varësia dhe si rrjedhojë nevoja për reforma strukturore. Në këtë kuadër përmirësimi i kapaciteteve të administratës tatimore bëhet tejet i rëndësishëm. Sipas të dhënave të FMN mbledhja e taksave vendore është në nivele të ulëta duke lënë kështu dhe një porosi, përshpejtimin e vendosjes së tatimit mbi pronën. FMN gjithashtu parashikon sfidën e rishfaqjes së detyrimeve të prapambetura në investimet publike dhe se për këtë nevojitet përmirësimi zbatimi i investimeve. Së fundmi, ka rëndësi për stabilitetin ekonomik të përmendim fjalën e guvernatorit Sejko, i cili deklaroi se bankat e nivelit të dytë kanë një ekspozim të papërfillshëm nga Brexit dhe se shkëmbimet tregtare me Britaninë janë në nivele të ulëta. Si rrjedhim, ekonomia shqiptare nuk ka rrezik nga efektet e Brexit[6].
2- Pikëpyetjet e partnershipit me biznesin
Ministria e Financave ka qenë vazhdimisht e kujdesshme për të deklaruar një qasje bashkëpunimi me biznesin si partner kryesor në zhvillimin ekonomik. Shembull pozitiv në këtë marrëdhënie ka qenë paketa e re e thjeshtimit të procedurave, e prezantuar nga Ministri Ahmetaj në Mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar. “Autorësi e përbashkët qeveri-sipërmarrje”, paketa përmban mbi 350 propozime që ndërthurin sugjerimet e biznesit me qasjen e qeverisë pro-sipërmarrjes dhe prek mbi 50 procedura të cilat thjeshtohen në favor të biznesit. Sigurisht që kjo favorizon klimën e biznesit, sidomos nëse i shtojmë premtimin se paketa fiskale që po hartohet, nuk ka rritje taksash[7].
Megjithatë, vullneti i mirë për të bashkëpunuar me biznesin nuk është absolut. Në fakt, shumë biznese këtë muaj kanë denoncuar në faqen e nismës Thurje në Facebook, një veprim të cilin ata e konsiderojnë ‘denigrues për të gjithë bizneset’. Një prej kontabilistëve që ka denoncuar situatës, sqaron: ‘ Në sistemin online të tatimeve kane ardhur gjoba kundrejt të gjithë subjekteve me shkrimin: Deklarim i vonuar i ESIG 027. ESIG 027 është deklarata për marrjen ose heqjen nga puna online të punëtorëve nga një subjekt. Ajo që bie në sy është që data e marrjes së këtyre njoftimeve është 22.06.2016, ndërsa data e marrjes së letrave është 23.06.2016. Pra, kur në Tirane pritej kombëtarja për arritjen historike, sistemi tatimor u mbush me gjoba prej 10.000 lekësh, si për të lehtësuar 1 milion eurot që iu dhanë kombëtares ose janë propagandë zgjedhore që më pas të falen për figurë të mirë elektorale. Ky është qartësisht vendim i administratës tatimore, pasi vetë sistemi tatimor në mënyrë automatike gjeneron gjobe me 1 ditë nëse nuk deklarohet TVSH apo Tatimi në Burim, ndërsa në këtë rast gjobat që duhet te kishin dale në Korrik 2015 apo Nëntor 2015 i gjeneron sistemi me 22.06.2016’[8].
Debate mbi vullnetin e mirë të qeverisë karshi bizneseve ka pasur edhe gjatë periudhave të operacionit anti-informalitet. Kryesisht bizneset e vogla u ndjenë të sulmuara, megjithatë në këtë fazë të dytë, situata duket të jetë përmirësuar ndjeshëm. Zhvendosja e aksionit antinformalitet nga bizneset e vogla tek kontrolli i subjekteve të mëdha është pozitive, jo vetëm për të treguar qasjen pro-biznesit, por kryesisht sepse aplikimi i modulit të riskut duket se po rezulton më efikasitet në rendimentin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Zyra e taksave regjistroi të ardhura 1.1 miliardë lekë e barasvlershme me 8 milionë euro në vetëm 8 raste nga 15 kontrolle të ushtruara – sipas FMN në analizën e fundit që i ka bërë ecurisë së marrëveshjes me Shqipërinë[9].
Megjithatë situata e biznesit nuk duket të jetë plotësisht pozitive për aq sa numri i bizneseve në borxh me shtetin është rritur, duke dhënë indicie për një situatë jo të mirë ekonomike. Në këtë skenar, vetë Administrata Tatimore ka marr vendim për falje të borxhit. Një vendim i tillë nga ana e Administratës Tatimore nuk dihet nëse vjen si pasojë e lobimit të biznesit të madh (duke qenë se kryesisht është borxh i biznesit të madh) apo si pasojë e rritjes së borxhit në atë pikë (siç duket të jetë rasti i dy viteve të fundit) që Administrata Tatimore për të përmirësuar në dukje performancën e saj me borxhin, vendos ta fal atë. Në cilindo skenar kjo nuk është pozitive dhe tregon se rritja e taksave nuk mjafton. Përkundrazi, mbledhja e tyre duhet bërë me eficiente. Edhe në raste kur nuk është, do të ishte më mire shpallja e këtij borxhi të pa mbledhshëm sesa falja e përvitshme e tij.
Në tërësi të katër paragrafëve të mësipërm, marrëdhënia me biznesin dhe efektet e saj në ekonomi duken të paqëndrueshme, pra herë pozitive, në partneritet dhe herë negative.
[1] Erebara, Gj. Qershor 2016. Ligji i ri i buxhetit. http://ëëë.reporter.al/ligji-i-ri-buxhetit-jo-me-koncesione-rritje-te-borxhit-publik-apo-asfalt-elektoral/
[2] Ahmetaj, A. Qershor 2016. Fjala në parlament. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/ligji-organik-i-buxhetit-filozofi-e-re-ne-menaxhimin-e-financave-publike&page=1
[3] Erebara, Gj. Qershor 2016. Ligji i ri i buxhetit. http://ëëë.reporter.al/ligji-i-ri-buxhetit-jo-me-koncesione-rritje-te-borxhit-publik-apo-asfalt-elektoral/
[4] Azo, D. Qershor 2016. FMN: Përmirësoni mjedisin e biznesit. http://time.ikub.al/16-06-26-FMN-pergatit-kryqezimin-e-Arben-Ahmetajt-ne-konferencen-e-28-qershorit-raport-i-ashper-per-situaten-skandaloze-te-ekonomise-dhe-financave/Rimekembja-ekonomike-po-forcohet-FMN-Permiresoni-mjedisin-e-biznesit.aspx
[5] InTv.al. Qershor 2016. FMN mbyll misionin dhe jep porosite. http://ëëë.intv.al/in-neës/item/9202-fmn-ne-mbyllje-te-misionit-jep-porosi-per-shqiperine
[6] TemaTv. Qershor 2016. Efektet e Brexit. http://www.tematv.al/2016/06/28/brexit-fmn-ekonomia-shqiptare-nuk-rrezikohet
[7] Ministria e Financave. Qershor 2016. Prezantohet paketa e re e proçedurave. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/prezantohet-paketa-e-re-thjeshtohen-mbi-50-procedura-ne-favor-te-sipermarrjes&page=1
[8] Nisma Thurrje. Qershor 2016. https://ëëë.facebook.com/thurje/?fref=ts
[9] Monitor.al. Qershor 2016. Antiformaliteti me baze risku. http://ëëë.monitor.al/antiinformaliteti-baze-risku-si-u-grumbulluan-8-mln-euro-ne-8-biznese/