
Ergisa BEJKOLLARI, BA
1- Shqiptarët po paguajnë 112 milionë dollarë në këmbim të asgjëje!
112 milionë dollarë në këmbim të asgjëje: Është kjo historia sesi dështoi projekti i termocentralit të Vlorës dhe sesi po vonon kaq shumë gjetja e një zgjidhjeje.
Ideja e ndërtimit të tij lindi në vitin 2002 si pasojë e nevojës për t’i dhënë zgjidhje krizës energjitike në vend.[1] Projekti nisi në vitin 2004 i financuar nga një kredi e Bankës Botërore dhe iu ngarkua kompanisë italiane Tecnimonti (TCM), ku sipas raportit të Bankës Botërore mbi projektin, kostoja e tij rezultonte të ishte 112.66 milionë dollarë.[2] Telashet nisën që në momentin e shpalljes së kompanisë fituese, përzgjedhja e të cilës u bë sipas procedurave të Bankës Botërore. Asokohe, ekspertë të KESH pretenduan se sipas tyre alternative më e mirë ishte SIEMENS, ku sërish sipas raportit të Bankës Botërore, me vendimin e kësaj të fundit u zgjodh kompania italiane.
Që prej atëherë problemet e shfaqura me TEC-in, që kanë shkaktuar mosfunksionimin e tij deri më sot, janë pasuar nga palët tek njëra-tjetra. Problemet lidhen me impiantin e ftohjes, i cili sipas KESH duhet të rregullohet nga vetë kompania, por kjo e fundit u largua nga projekti. Për të detyruar kompaninë të kthehet, KESH përdori rrugën juridike, mirëpo humbi kundër TMC-së në vitin Gjykatën e Arbitrazhit në vitin 2014. Kjo gjë shkruhet dhe në raportin vjetor që vetë kompania i paraqet aksionerëve të saj,[3]ku theksohet se ishte pikërisht qeveria shqiptare fajtore, duke mos përcaktuar qartë afatin e përfundimit të projektit dhe duke mos kërkuar riparime të përhershme , por të përkohshme.
Pas humbjes, drejtori i KESH, z. Agron Hetoja, premtoi në mars të vitit 2015 se do të tenderohej një kompani tjetër e huaj, e cila përveçse do ofrojë përgjigjen e pyetjes se përse nuk po funksionon termocentrali, do mundohet gjithashtu ta rregullojë atë.[4] Ndërkohë do kalojë dhe në një proces tjetër arbitrazhi kundër kompanisë italiane, ku si prova mendohen të përdoren rezultatet e gjetura nga kompania që do kryejë riparimin. Por çfarë po ndodh aktualisht? Tenderi për kontraktimin e kompanisë dështoi. Në këtë mënyrë:
- Termocentrali mbetet pa punë edhe për shumë vite. Kjo vjen si pasojë e faktit që të vetmet kushte, në të cilat ai do vendosej në funksionim, janë në rast se do rregullohej defekti ose kur Shqipëria nuk do të ketë prodhim vendës dhe as mundësi për të importuar energji. Një kombinim faktorësh që duket shumë i pagjasë për momentin.
- Termocentrali i Vlorës konsiderohet si një burim rezervë energjie, që do të përdoret vetëm në raste emergjente. Ai mund të kthehet në produktiv vetëm në kombinim me projektin TAP. Të gjitha këto kushte (dhe ato të lartpërmendura) e kthejnë atë në një burim të ardhurash që ka shumë pak probabilitet të ndodhë.
- Ndërkohë, jo vetëm që nuk është kthyer mbrapsht investimi i bërë, por po shpenzohen ende shifra marramendëse për ta mbajtur në këmbë deri sa të gjendet një zgjidhje.
Qershor 2016: Ka kaluar më shumë se një vit që nga premtimi i bërë nga z. Hetoja dhe ai ende nuk është realizuar!
2- Qeveria ndërton, por nuk informon
Prej vitesh, përplasjet e shumta midis qytetarëve dhe qeverisë, përpos të gjitha problemeve, ka qenë mungesa e informimit nga ana e qeverisë. Ndërmerren projekte që prekin drejtpërdrejt interesin publik, por nuk denjohet që të organizohet një fushatë informimi, në mos një dëgjesë publike, për të njoftuar banorët. Një ndër komunitetet më të vendosur kundër ndërtimit të HEC-eve, ai i banorëve të fshatit Polis ka mbajtur qindra protesta paqësore kundër ndërtimi të HEC-eve “Gurshpat 1” dhe “Gurshpat 2,” nën pronësi të kompanisë “Gurshpat Energji” ShPK. Sipas kryetarit dhe ish-kryetarit të fshatit Polis, Faik Bufi dhe Veli Terziu, banorët nuk janë konsultuar kurrë për ndërtimin e këtyre dy hidrocentraleve dhe as iu është dhënë informacion mbi ndikimin e tyre në mjedis.[5]
Ndërkohë i njëjti rast është dhe ai i HEC-it “Katundi i Ri”. Përpos tenderit shumë të diskutuar për ndërtimin e hidrocentralit,[6] kanë munguar dhe konsultimet publike me banorët e prekur nga investimi, të cilët i tremben përmbytjes ose kompensimit qesharak. Ndonëse MEI (Ministria e Energjisë dhe Industrisë) organizoi një dëgjesë publike[7], mungesa e një fushate informuese paraprake, ka bërë që në të marrin pjesë shumë pak banorë, duke na rikthyer në pikën fillestare të mosinformimit. [8] Këtij shqetësimi të ngritur MEI iu përgjigj se nuk ka asnjë detyrim për kryerjen e konsultave me komunitetin lokal në këtë fazë të procesit. Ndërkohë që zëdhënësi i MEI-it, z. Dardan Malaj, tha se këtë detyrim e ka kompania e cila do të rezultojë fituese e garës.[9]
Por, bazuar në “Ligjin për të drejtën e informimit”, neni 7 për “Kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë”, thuhet se midis informacioneve që duhet të bëhen lehtësisht të aksesueshme për publikun, janë edhe ato që u takojnë procedurave të prokurimit apo procedurave konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat, përkatësisht, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.12.2006, “Për prokurimin publik”, dhe të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, që kryhen për llogari të autoritetit publik.[10]
Pra në baza ligjore, por edhe logjike pasi kompania private fituese e koncesionit ka shumë pak interes në informimin e publikut, përgjegjësia i takon shtetit kur bëhet fjalë për informimin e qytetarëve për projekte që prekin drejtpërsëdrejti interesin e tyre!
[1]Reporter.al, “Dështimi i kushtueshëm i termocentralit të financuar nga Banka Botërore në Vlorë”. http://www.reporter.al/deshtimi-i-kushtueshem-i-termocentralit-te-financuar-nga-banka-boterore-ne-vlore/
[2]Detajet financiare të Bankës Botërore mbi projektin për ndërtimin e termoncentralit të Vlorës. http://www.worldbank.org/projects/P077526/poëer-sector-generation-restructuring-project?lang=en&tab=details
[3]Raport vjetor, Mairetecnimont, 2014, faqja 66. http://www.mairetecnimont.com/en/investors/documents-presentations/reports/annual-report-2014
[4] Neësbomb.al, “TEC-i i Vlorës mbërrin në arbitrazh. Si u harxhuan 92 milionë euro pa u vënë asnjëherë në punë”. http://www.newsbomb.al/ekonomi/item/4722-tec-i-vlores-mberrin-ne-arbitrazh-si-u-harxhuan-92-milione-euro-pa-u-vene-asnjehere-ne-pune
[5] Reporter.al, “Ndërtimi i HEC-eve të vegjël hap konflikte të mëdha për kontrollin e ujit”. http://www.reporter.al/ndertimi-i-hec-eve-te-vegjel-hap-konflikte-te-medha-per-kontrollin-e-ujit/
[6] Reporter.al, “Bonusi për turqit vë në dyshim garën për HEC-in, Katund i Ri”. http://www.reporter.al/bonusi-per-turqit-ve-ne-dyshim-garen-per-hec-in-katund-i-ri/
[7] Publikim i MEI-t mbi dëgjesën publike të mbajtur për ndërtimin e HEC-it, Katund i Ri. http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/projekti-per-hec-katund-i-ri-mei-degjese-publike-me-banoret-e-zones&page=1
[8]Reporter.al, “Bonusi për turqit vë në dyshim garën për HEC-in, Katund i Ri”. http://www.reporter.al/bonusi-per-turqit-ve-ne-dyshim-garen-per-hec-in-katund-i-ri/
[9] Reporter.al, “Bonusi për turqit vë në dyshim garën për HEC-in, Katund i Ri”. http://www.reporter.al/bonusi-per-turqit-ve-ne-dyshim-garen-per-hec-in-katund-i-ri/
[10]E drejta e informimit, faqe 4.http://www.akafp.gov.al/wp-content/uploads/2015/04/ligj_nr_119_dt_18_9_2014_19327_1_E-drejta-e-informimit1.pdf