![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/07/Marcela-TRINGAJ-LLM-210x300.jpg)
Marcela TRINGAJ, LLM
1. Fermerët e vegjël ende kontribues të brishtë të bujqësisë shqiptare
Puna e fermerëve të vegjël, jo pa të drejtë, ka lënë imazhin e një angazhimi sfilitës që rrallëherë merr frytet e merituara të mundnit. Më e pakta që mund të bëhet nga komuniteti është përzgjedhja dhe konsumimi i produkteve të prodhuara nga këta fermerë. Jo vetëm përcillet shija e vërtetë e produkteve të sezonit duke mundësuar dhe njohjen e prejardhjen së tyre por ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejte familjet fermerë për të rritur potencialin e tyre për të qenë konkurrues në treg përkrahë agrobizneseve dominuese qofshin vendase ose jo. Jemi mësuar të dëgjojmë në mënyrë të përsëritur për kapacitetin e lartë që zotëron vendi për shkak të motit, pozitës së saj gjeografike dhe traditës që zotëron në bujqësi. Por këto resurse nuk munden assesi të mjaftojnë për të zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në sektorin e bujqësisë.
Fermerët e vegjël vuajnë gjithashtu nga mungesa reformave reale dhe konkrete për të qenë pjesëmarrës potencial në veprimtarinë ekonomike në sektorin bujqësor. Konkretisht, detyra e qeverisë është të mos lejojë spekulimet me çmimet e produkteve bujqësore në sezon kur prodhimet janë të bollshme për fermerët familjarë. Të mendosh që i gjithë mundi i muajve të tërë dedikimi dhe përkushtimi shkon dëm për shkak të çmimeve nën koston e prodhimit që ofron tregu. Në tetor 2015 Ministri i Bujqësisë u shpreh se në ndihmë të fermerëve të vegjël do të vijnë pikat e grumbullimit, ku si fillim do te hapej ajo e Maliqit[1].
Por ekzistenca sot e disa pikave të tilla në vend nuk mund ta zgjidh problemin e grumbullimit të produkteve bujqësore. Kjo për shkak të infrastrukturës së rrënuar, kostot shtesë së largësisë së fshatrave dhe zonave të thella rurale nga këto pika si dhe spekulimeve me çmimet sjellin mungesën e interesit të fermerëve. U premtua për një ankand të përjavshëm për përcaktimin e çmimit në këto pika grumbullimi i cili më pas do të publikohej në televizione por edhe sot nuk ka një procedurë të tillë e cila do të mbrojë fermerin nga çmimet nën kosto. Por dhe në qoftë se realisht do të kryhej kjo procedurë sa e sigurt është që fermerët e vegjël të jenë të përfaqësuar denjësisht në këtë proces dhe të lobojnë për të interesat e tyre. Natyrisht që gjithë kjo procedurë nuk duhet të shmang mbrojtjen e konsumatorit i cili dashur-pa-dashur preket nga spekulimet me çmimet.
Por përveçse nga tregtarët vendas fermerët e vegjël e ndjejnë veten të pambrojtur edhe ndaj kompanive të huaja. Konkretisht, 1610 fermerë të bashkisë Belsh kanë 6 muaj pa marrë paratë e shitjes së produktit në kompaninë greke të grumbullimit të duhanit[2]. Ky rast vijon dhe me abuzimet me çmimet e shitjes nën kosto si edhe sjellja në Shqipëri e farërave të këqija nga ku shënohet rënie e kultivimit të duhanit në 50 % të totalit. Në pritje dhe me shpresë për të marrë çka ju takon këta fermerë që frymën e mbajnë vetëm nga kjo punë, ndihen të pafuqishëm dhe të pambrojtur nga instancat shtetërore.
Ndërkohë të dëmtuar këtë muaj kanë qenë edhe fermerët e Divjakës, prodhuesit kryesor të kultivimit të patates. Tre kamionë që priteshin të eksportoheshin drejt Hungarisë nga tregtarë kosovarë janë kthyer mbrapsht. Përveçse pikëllimit se kostot e prodhimit nuk justifikohen me çmimet e shitjes, tanimë këta fermerë duhet të përballojnë edhe mbetjen stok të mallit në magazinë. Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Lushnje shpjegon se rasti në fjalë është pasojë e mungesës se certifikatës fito-sanitare dhe se kjo drejtori është ende në proces e sipër të certifikimit të kritereve karantinore. Mungesa e një laboratori kimiko-teknologjik dhe një stafi të kualifikuar vërteton paaftësinë dhe ngërçin për t’iu përgjigjur kërkesave të prodhuesve dhe eksportuesve të prodhimeve bujqësore me analiza standarde bashkëkohore të unifikuara me vendet e tjera, në kohën e duhur. Për të paraprirë situatave të tilla kërkohet një angazhim më serioz të autoriteteve shtetërore ashtu sikundër nuk kursejnë forcën shtrënguese të ligjit kur fermerët e vegjël shesin produktet e tyre pa kupon tatimor.
2. Më tepër dhe asistencë financiare dhe profesionale
Në një prononcim këtë muaj Ministri i bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh se sektori që i është besuar ka nevojë për financim dhe fondet duhet të jenë prezentë në të gjithë vendin.[3] Për aq kohë sa fermerët e vegjël do të punojnë për mbijetesë dhe në mungesë të reformave reale në mbështetje të aktivitetit te tyre dhe mbi të gjitha të pa përkrahur financiarisht, është e vështirë të mendohet seriozisht për fuqizimin e ekonomive lokale. Lajmi i mirë këtë muaj është se falë financimit të BE-së, 22 milionë euro kredi me norma të ulëta interesi do t’u ofrohen sipërmarrësve të rinj dhe mikrobizneseve në sektorin e agrobiznesit në Shqipëri.[4] Ky fond do të shërbej si garanci për riskun e kredive për huamarrësit e vegjël. Në këtë fazë është e rëndësishme të studiohet dhe mungesa e shtrirjes së shërbimit bankar në fshat, për t`i shërbyer veprimtarisë ekonomike të familjeve që jetojnë aty me më tepër efikasitet.
Një problem thelbësor mbetet ende formalizimi i veprimtarisë bujqësisë i cili nuk ka arritur ende në një pikë të kënaqshme. Ky proces nuk mund as të mjaftohet vetëm me nismën për pajisjen me NIPT të subjekteve të veprimtarisë bujqësore. Informaliteti i lartë, çështja e problematikës lidhur me pronësinë mbi tokën, korrupsionit dhe mungesës së dokumentacioneve gjatë aplikimeve bëjnë që fermerët dhe agrobizneset të kenë vështirësi në përthithjen e fondeve dhe grandeve të ndryshme. Nëse supozojmë se çështje të formalizimit të veprimtarisë bujqësore përfundon, sërish bankat nuk janë ende të gatshme për ta pranuar tokën bujqësore si garanci për një kredi për fermerët e vegjël dhe agrobizneset. E ndaj urojmë që fondi i BE-së të zbus disi problemin e huadhënies i cili shihet si pjesë e rëndësishme e procesit të ripërtëritjes dhe zhvillimit të bujqësisë në aspektin ekonomik.
Lajmi se vendi mund të humbasë 71 milionë Euro që Bashkimi Evropian ka akorduar për sektorin bujqësor, përmes fondeve IPARD, nëse nuk parandalon parregullsi dhe mashtrime të mundshme në financimin e BE për zhvillimin rural[5] sigurisht mbetet një ogur i keq për bujqësisë shqiptare. E gjithë kjo deklaratë
e ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin duhet të shërbejë si një kambanë e fort për qeverinë dhe institucionet vartëse për të arritur objektivin e përthithjes totale të fondeve dhe financimeve deri në vitin 2020. Por nga ana tjetër është tejet e rëndësishme mbikëqyrja e institucioneve te BE-së për të shmangur mashtrimet me fondet. Më tepër shpresë mbetet tek performanca e këtyre të fundit për implementimin e fondeve.
Por përveç asistencës financiare është e nevojshme dhe asistenca tekniko-profesionale e institucioneve të specializuara. Promovimi i produkteve shqiptare nëpër bote në pjesën më të madhe të rasteve nuk është meritë e Ministrisë së Bujqësisë e as më pak instancave vartëse së saj. I tillë është rasti i fermerit të suksesshëm të vajit ekstra të virgjër në Vlorë Vesaf Musai i cili ia ka dalë mbanë pa kurrëfarë mbështetjeje të eksportoj në Nju Jork dhe Hong Kong dhe të jetë fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Për ironi të fatit shumë pak ky produkt tejet cilësor njihet në Shqipëri. Ky rast duhet të shërbej si reflektim për mbështetjen dhe promovim të vazhdueshëm e këtyre sipërmarrësve familjarë jashtë vendit dhe brenda tij nëse ende pretendohet në fuqizimin e bujqësisë shqiptare.
[1] Formalizimi i fermerëve, Panariti: Do indeksojmë çmimet për pikat e grumbullimit, masa për spekulantët
[2] Fermerët mbi 6 muaj në borxhe, kompania nuk u jep lekët e duhanit
http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=448492
[3] Dëmtohen fermerët, ja pse i bllokoi Hungaria patatet e Divjakës
http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=436151
[4] BE, 22 milionë euro për sipërmarrësit e vegjël në sektorin e agrobiznesit
http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=449662
[5] Mashtrimet me fondet mund t’i kushtojnë bujqësisë 71 milion Euro http://agroëeb.org/?id=10&l=1388&ln=sq&url=mashtrimet-me-fondet-mund-ti-kushtojne-bujqesise-71-milion-euro#sthash.FSbmdRti.dpuf