![Rigels XHEMOLLARI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/R.-Xhemollari-300x300.jpg)
Rigels XHEMOLLARI, MSc
1- Dhuna e pa licencuar dhe Ministrja e pa informuar
Sipas raportit të inspektimit tematik të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në Tiranë në vitin 2015, nga 96 vetëm 19 kopshte i plotësonin kriteret e ligjshmërisë së funksionimit, ndërkohë që 77 të tjera e ofronin këtë shërbim pa licencë. [1] Nga 77 kopshte të pa licencuar, vetëm 21 administratorë u gjobitën, por nuk ka asnjë dokumentacion që verifikon se pas gjobës këto kopshte vazhduan funksionimin apo jo. Përgjatë një viti pas këtij konstatimi nuk ka pasur asnjë reagim publik, asnjë tryezë apo konferencë me fokus standardizimin e kopshteve private apo plotësimin e nevojave të rreth 3000 fëmijëve në kryeqytet të cilët ishin regjistruar në këto kopshte të pa licencuara. Madje ministrja u kujtua të reagojë vetëm pas videos së emisionit STOP, titullarët e tjerë larguan përgjegjësitë, askush nuk dha dorëheqje, të gjithë fajësuan prindërit!
Kur qeveria i akordoi 1 milion euro kombëtares së futbollit, si nuk mendoi që këto para mund të ishin më të dobishme për bashkinë e kryeqytetit e cila ka parashikuar të ndërtojë vetëm 5 kopshte publike të reja në 3 vitet e ardhshme.[2] Mungesa e kopshteve publike për ët plotësuar kapacitetet ka prodhuar “Anjezat” e pa licencuara në tregun e arsimit parauniversitar. Nuk kishin si ta mendonin kur ende nuk kishin lexuar rezultatet e inspektimit të ISHA megjithëse kishte kaluar një vit, kur ministrja bën deklarata të pa konsultuara me institucionet e varësisë dhe kur informaliteti luftohet vetëm aty ku ka interes qeveria, luftohet me dy standarde duke mbyllur vetëm universitetet e pa licencuara dhe jo kopshtet fantazmë.
2 – Mesatarja 6, penalizuese për nxënësit e shkollave më të mira. Kriteret e Universitetit të Mjekësisë favorizuese për privatët
Ministria e Arsimit ka përcaktuar notën mesatare 6 si kriter hyrës për të gjitha universitetet publike dhe private. Asnjë nxënës nën këtë mesatare nuk do të ketë mundësi të ndjekë studime universitare në Republikën e Shqipërisë. Ne pamje të parë duket një situatë normale, por duke u bazuar në rankimin e shkollave të mesme që ka realizuar vetë ministria nëpërmjet raportit të maturës shtetërore na rezulton se cilësia e mësimdhënies dhe mësim nxënies ka diferenca të mëdha mes shkollave.[3] Kjo diferencë bën që nota 6 e shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, nuk është e njëjtë si nota 6 e një shkolle në periferitë apo zonat e thella. Sikur edhe gjysmë note diferencë të ketë vlerësimi, ky kriter penalizon nxënësit e shkollave më të mira dhe favorizon ata të shkollave të rankaura në fund të renditjes. Ky penalitet shfaqet edhe tek kriteret që vetë universitetet kanë përcaktuar për pranimin në to, ku përgjithësisht vërehet nota 7 si mesatare pranuese, të paktën në Tiranë.[4] Kjo situatë pritet të prodhojë çudinë e radhës ku nxënësit e Tiranës do të shkojnë të studiojnë në universitetet e Durrësit, Vlorës apo Shkodrës. Po ashtu kriteret që kanë vendosur universitetet pavarësisht pavarësisë së tyre lenë për të dëshiruar në disa raste siç është ai i universitetit të mjekësisë ku mesatarja e publikut është 8 – 8.5 ndërsa e privatit 6. Kjo dot ë thotë se të gjithë ata që kanë dëshirë për të studiuar për mjekësi, por për shkak se kanë dalë nga shkolla cilësore nuk kanë mundur të nxjerrin mesataren 8.5, përjashtohen nga universiteti publik dhe do ti drejtohen rrjedhimisht atij privat.
3- Nxjerrja e tezës së maturës dhe pamaturia e administrimit të procesit
Fakti që prej vitit 2010 e deri sot janë dokumentuar publikime online të tezave të provimeve përpara mbarimit ose gjatë zhvillimit të tyre vërteton mungesën e përgjegjshmërisë dhe seriozitetit gjatë administrimit të provimeve të maturës shtetërore. Këtë vit teza B e matematikës u publikua në rrjetet sociale 40 minuta para provimit.[5] Këtë e vërtetuan intervistat e nxënësve pas provimit dhe deklarata e zv. ministres e cila kërcënoi rrjetet sociale. Nuk ka të bëjë as me maturantët dhe as me policat që u caktuan për ti vëzhguar. Ky fenomen ashtu si edhe fenomene të tjera negative në sistemin arsimor vjen për shkak të mungesës së përgjegjshmërisë, maturisë dhe vizionit të administrimit të tij, mungesës së ekspertizës dhe refuzimit të raporteve kritike ndër vite që kanë pasur qëllim përmirësimin e procesit të maturës shtetërore. Kur testi del online, duhet të imagjinojmë se çfarë ndodh nëpër klasa. Megjithatë MAS ka vendosur që këtë radhë të marrë masa ndaj administratorëve të provimeve për tezat e dyshuara për kopje. Të shpresojmë që kjo gjë të ndodhë dhe të mos jetë vetëm për efekt deklaratë zyrtare.[6]
[1] Inspektorati Shtetëror i Arsimit http://www.isha.gov.al/index.php?option=com_content&view=article&id=34&Itemid=149
[2] Balkanweb http://www.balkanweb.com/site/bashkia-tirane-investimet-ne-arsim-shkollat-e-kopshtet-qe-do-te-rikonstruktohen/
[3] Raport për rankimin e shkollave të mesme file:///C:/Users/user/Downloads/m-euml-sues-p-euml-r-shqip-euml-rin-euml-vler-euml-simi-i-shkollave-t-euml-mesme.pdf
[4] Faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/njoftime/kriteret-e-pranimit-ne-universitete-2016-2017&page=1
[5] Balkanweb http://time.ikub.al/Publikohet-teza-e-matematikes-para-perfundimit-te-provimit/Testi-i-Matematikes-ne-rrjete-sociale-maturantet-Varianti-B-publik-40-min-para-se-te-perfundonte-provimi-Malaj-Genjeshter-.aspx
[6] Faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/matura-shteterore-te-dhena-mbi-procesin-e-vleresimit-te-provimit-te-gjuhes-shqipe-dhe-letersise&page=7