![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
Institucion turizmi apo riedukimi?
Jemi të detyruar të trajtojmë një tjetër rast skandaloz, sikurse kemi bërë çdo muaj në raportet tona për institucionin e skandaleve, Agjencinë Kombëtare të Turizmit.
Bëhet fjalë për një punonjës të saj, i cili është rekrutuar pa konkurs dhe në shkelje të çdo ligji në AKT, pasi është i dënuar për veprën penale të falsifikimit të dokumentav dhe me vendimin penal Nr. 190, datë 01.03.2004 dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kërkojmë publikisht nga ministri Arben Ahmetaj të japë sqarime nëse ka patur dijeni për rekrutimin e këtij personi dhe përse nuk e ushtron autoritetin e tij si ministër për ta larguar dhe për të marrë masa ndaj atyre që kanë punësuar dhe vazhdojnë të mbajnë në punë një person me precedentë penalë.
Kërkojmë gjithashtu që ministri Ahmetaj të informojë publikun nëse ka dijeni që ndaj këtij personi ka nisur në AKT përpara disa muajsh procedura e shkarkimit, por befas komisioni disiplinor që u mblodh për rastin në fjalë i pezulloi mbledhjet, kushedi për cilën arsye të brendshme apo të jashtme. Personi në fjalë po procedohej nga institucioni i tij për mosparaqitje pa arsye në vendin e punës prej rreth dy javësh, e verifikueshme kjo në dokumentin e list-prezencave apo dokumenteve zyrtare ku gjatë asaj periudhe punonjësi nuk ka nënshkruar asnjë dokument edhe pse pozicioni që ka ja kërkon detyrimisht një gjë të tillë, për përpilimin e saktë ligjor të dokumenteve. Për më tepër ai po gjykohej për shkelje të rëndë dhe të përsëritur të etikës dhe disiplinës, për fyerje të rënda ndaj kolegëve.
Arsyet përse ky komision i ka pezulluar mbledhjet mund t’i japë vetë institucioni dhe punonjësi i DAP me emër Shtjefën, gjithashtu pjesë e komisionit të mbledhur për trajtimin e rastit të personit në fjalë. Të gjitha këto janë të verifikueshme në forma shkresore dhe procesverbalesh të mbajtura, gjithnjë nëse institucioni nuk i ka zhdukur, pranë protokollit të AKT. Ftojmë Ministrinë e linjës, Prokurorinë, DAP, dhe KLSH të hetojë për këtë rast dhe të mëposhtmit që do të trajtojmë.
Biznes privat me AKT
Gjatë qershorit është zhvilluar Rally Albania, një aktivitet privat garash me makina, i cili është promovuar fort në faqen e saj personale në Facebook nga Drejtoresha e AKT-së, e cila në sajtin zyrtar të Rally Albania rezulton si administratore e këtij biznesi privat.
Pyetja që lind është: Drejtoresha paguhet që të promovojë turizmin shqiptar, apo biznesin e saj privat? Për më tepër në aktivitetin e vjetshëm të Rally Albania, disa punonjës të AKT kanë braktisur vendin e punës në ditë dhe orar zyrtar dhe për disa ditë me rradhë kanë marrë pjesë në aktivitetin privat të kompanisë së drejtoreshës. Jemi të gatshëm t’i ofrojmë çdo institucioni hetimor, dokumentet që provojnë këtë rast dhe çdo akuzë tjetër që ngrëmë lidhur me shpërdorimin e detyrës nga ana e disa personave të stafit të AKT. Sikur të mos mjaftonin dëmet që i ka shkaktuar Shtetit për një vit, të vlerës së 92 mln lekëve, pushteti trajtohet me këtë babëzi dhe paturpësi, si të ishte një pronë private e trashëguar dhe jo institucion shtetëror që duhet t’i shërbejë të gjithëve dhe jo vetëm disa individëve.
Ekonomia në stanjacion
Për sa i takon situatës ekonomike, që nga janari kur kemi nisur raportet e APPA, eksportet, importet dhe deficiti tregtar çdo muaj kanë qenë negative (të paktën deri në Maj, muaji i fundit që mundëm të marrim si referencë nga ISTAT).
Sipas INSTAT në Prill, eksportet e mallrave u ulën 10,0 % në krahasim me Prill 2014 dhe 7,8 % në krahasim me Mars 2015. Edhe importet u ulën me 2,0 % në krahasim me Prill 2014 dhe 2,2 % në krahasim me Mars 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 mld lekë, duke u rritur me 6,5 % krahasuar me Prill 2014 dhe 3,3 % në krahasim me Mars 2015.
Sa për sipërmarrjen, ka një rritje të kompanive që figurojnë aktive në treg për 2014-n, ashtu sikurse edhe punësimi muajin e fundit u rrit me 0,9%. Por ky është një realitet krejt ndryshe nga ai që paraqet shpesh ministri Ahmetaj, i cili i kthen mbrapsht këto shifra, kushedi mbi bazën e cilave të dhëna dhe flet për punësim në rritje 9 % për 2014-n. Herën e fundit ministri tha se janë punësuar mbi 100 mijë persona të rinj. Me shifrat e INSTAT-it në dorë, që jep të dhëna se në Shqipëri janë shtuar rreth 1000 ndërmarrje të reja në 2014, i bie që secila prej tyre të ketë punësuar nga 100 persona për të përmbushur profecitë e ministrit.
Qeveria aktuale e cila shquhet për një PR të jashtëzakonshëm edhe atëherë kur nuk ka lajme, imagjinoni se çfarë trumbetimi do t’iu kishte bërë këtyre 1000 kompanive që na paskan punësuar nga 100 persona secila. Por Ku janë? Me siguri vetëm nëpër fantazi! Ministri mund të argumentonte se janë punësuar në bujqësi apo blegtori, por as rritja e këtyre sektorëve që vërtitet duku te rreth 1% për muajt e fundit nuk do ta justifikonte dot këtë pretendim.
Referenca:
- Ministria e Zhvillimit Ekonomik, 11 Qershor 2015,
http://www.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/mbi-106-mije-vende-te-reja-pune-suksesi-i-reformave-ne-ekonomi&page=1 - Gazeta Mapo, 23 Qershor 2015,
http://www.mapo.al/2015/06/blegtoria-rritje-modeste-me-2014-kreret-shtohen-vetem-me-03 - Rally Albania,
http://rallyalbania.org/ra_15/o_team_14.html - Instituti i Statistikave,
http://www.instat.gov.al/al/home.aspx - APPA, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Raporti i Muajit Maj 2015, https://appa.brentonkotorri.com/raport-maj-2015-ministria-e-zhvillimit-ekonomik-turizmit-tregtise-dhe-sipermarrjes/
- Gazeta Mapo, 30 Qershor 2015,
http://www.mapo.al/2015/06/rritja-spektakolare-e-eksporteve-e-ahmetajt-bien-4-1