![Jona Hoxhaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Jona-235x300.jpg)
Jona Hoxhaj
Ministria pa sens ekzistence
Kaq shumë punë është bërë dhe kaq shumë kanë mësuar punonjësit në MMP, sa tani do e përçojnë këtë njohuri dhe tek praktikantët! Duke qenë konfuz në vazhdimësi për nevojën e të pasurit një ministri për Marrëdhënie me Parlamentin, vjen lajmi se ata kanë hapur dy vende për internshipe, në kuadër të programit të praktikave të studentëve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Gjeja e parë që të vjen në mendje pas këtij lajmi është: a thua çfarë do të mësojnë këta studentë; që në Ministri nuk punohet, se në Shqipëri ekzistojnë Ministri që praktikisht nuk bëjnë asgjë, por ekzistojnë për inercinë e hapjes së disa vendeve të punës për disa njerëz, gjë e mirëmenduar para se të ekzistonte Ministria?!
I gjithë ky dyshim dhe argumentim nga muaji në muaj, që nga Shkurti, për mosnevojën e të pasurit një Ministri për Marrëdhënie me Parlamentin vjen nga fakti se Ministria meqenëse është pa portofol, edhe veprimtarinë e ka të kufizuar, veç rakordimit të procesit legjislativ me atë ekzekutiv. Gjithashtu mosekspozimi në media, mospërmbushja e atyre pak objektivave dhe programeve që janë prezantuar zyrtarisht nga ta i përforcojnë bazat e dyshimeve për “punën” dhe obligimet që ata mund të kenë!
Në shkurt kompetencat e tyre u zgjeruan duke shtuar dhe kontrollin e nismave ligjore që sjellin ministritë përkatëse. Por puna e tyre është shumë specifike dhe ka një shtrirje të ngushtë për të funksionuar si një Ministri e një Shteti. Gjithashtu një handikap madhor i identifikuar është mungesa e transparencës në postimin e projekt-akteve të propozuara për shqyrtim nga Këshilli i Ministrave dhe atyre që votohen nga Kuvendi. Kjo bën që dhe puna që ata bëjnë të vihet në dyshim, pasi nuk e shpallin informacionin e punës që mund të jenë duke bërë!
Referenca:
- Webi Zyrtar i Ministrisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
- Webi zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë.