![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
Rizgjimi i Shqipërisë me të cilin fqinjët do të mësohen
Gjatë dhe pas vizitës zyrtare të kryeministrit serb Aleksander Vuçiç më 27 prill në Tiranë, që shënoi padyshim një hap përpara në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, ka vijuar të jetë në rendin e ditës së axhendës së politikës së jashtme shqiptare marrëdhënia delikate ndërmjet vendit tonë dhe dy Shteteve fqinje, Maqedonisë dhe Greqisë.
Ndërkohë që ndaj të parës tonet janë zbutur disi pas luftimeve të armatosura në lagjen shqiptare të “Trimave” në Kumanovë, ku u shënuan viktima të të dy etnive sllave dhe shqiptare, nuk do të thuhej e njëjta gjë për sa i takon tensioneve me helenët.
Ndaj Maqedonisë, nga qëndrimet që tingëlluan si një veto e Shqipërisë për anëtarësimin e Shkupit në NATO në rast se nuk zbaton marrëveshjen e Ohrit dhe kërkesave për një hetim ndërkombëtar për ndodhinë e Kumanovës, ka mbetur vetëm kërkesa e parë ndërkohë që e dyta ka rënë. Në fakt gjatë qëndrimeve që ka mbajtur ministri Bushati gjatë qershorit, ndryshe nga muaji prill, fjala “ndërkombëtar” është hequr nga retorika e diplomacisë shqiptare dhe ka mbetur vetëm kërkesa për “hetim transparent”. Ky çtensionim dhe zbutja e qëndrimit vjen në një moment kur në Maqedoni situata është qetësuar dhe BE-ja po ndërmjetëson gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet palëve politike. Duke qenë se Shqipëria është një faktor i jashtëm dhe palë presioni në çështjen maqedonase, është për t’u përgëzuar qëndrimi pragmatik dhe përshkallëzimi i reagimeve të MPJ-së në varësi të tensionimit apo çtensionimit të situatës.
Ndërsa në rastin e Greqisë tensionet mbeten dhe madje janë shtuar. Në rastin helen vihet re një hierarki në përparësinë që politika jonë e jashtme ka dashur t’i japë dy çështjeve të ndjeshme rajonale. Për shembull, ndërkohë që për çështjen greke, ka qenë vetë kryeministri Rama ai që ka dalë në vetë të parë për të mbajtur qëndrimet zyrtare të Shqipërisë, çështjen e Maqedonisë ka qenë kryesisht ministri Bushati ai që e ka trajtuar. Për nga vetë pozicionet që kanë dy shtetarët, kuptohet edhe se cila çështje është më e rëndësishme për momentin. Sigurisht në rastin e fërkimeve me Greqinë, janë në lojë sovraniteti dhe tërësia territoriale e Shqipërisë, si dhe interesat jetike ekonomike të vendit tonë. Bëhet fjalë për zonën 5 në Detin Jon, ku të dy shtetet kanë pretendime për të kryer kërkime për hidrokarbure. Si duket, Greqia e konsideron të sajën këtë zonë në bazë të marrëveshjes së kufirit detar të nënshkruar me Shqipërinë më 2009, që u miratua nga parlamentet e dy vendeve, por që në bazë të së drejtës ndërkombëtare nuk është në fuqi, sepse shtetet nuk kanë shkëmbyer mes tyre instrumentin e ratifikimit, që është edhe shprehja më e qartë e vullnetit shtetëror që një marrëveshje të konsiderohet e hyrë në fuqi.
Është konstatuar se Greqia ka zgjedhur ta nënçmojë kryeministrin shqiptar, pasi në të gjitha reagimet e saj ndaj qëndrimeve të Shqipërisë, ato kanë ardhur në një rang më të ulët protokollar, pra në nivel zëdhënësish të ministrisë së Punëve të Jashtme greke, apo ministrit të Brendshëm helen. MPJ e Greqisë në një rast arriti ta kërcënojë thuajse në mënyrë eksplicite Shqipërinë se mund t’i bllokojë rrugëtimin drejt BE-së, në rast se vendi ynë nuk i rikthehet logjikës dhe marrëdhënieve të bazuara te e drejta ndërkombëtare, gjë e cila sipas Greqisë nuk po ndodh. Edhe mosardhja e kryeministrit grek Tsipras në Tiranë më 28 Prill me rastin e Forumit Ekonomik të Vjenës qe një shenjë se marrëdhëniet janë në faza delikate.
Këtu nuk ka vend për kritika ndaj Shqipërisë. Të mësuar me një pozicion të plotë inferioriteti dhe mefshtësie nga ana e politikës së jashtme shqiptare gjatë 23 viteve të fundit, sigurisht që aktorë të brendshëm dhe të huaj mund të shfaqin habira apo skepticizma përballë këtij rizgjimi shqiptar. Sidoqoftë parapëlqehet ky rol i ri i Shqipërisë në rajon, rol inekzistent dhe i munguar deri dje dhe që sot nuk është destruktiv, por thjesht shprehës i ekzistencës dhe i peshës reale që vendi ka në rajon dhe më gjerë.
Me këtë realitet të ri do të nisin të mësohen dhe të bashkëjetojnë edhe fqinjët (të cilët fillimisht mund të kenë ndonjë përpëlitje, të mësuar mbase me ndonjë “dhuratë” komode), në momentin që do ta kuptojnë se koha e inferioritetit të Shqipërisë ka shkuar për t’ia lënë vendin marrëdhënieve reciproke korrekte, të bazuara te e drejta ndërkombëtare.
Vizita e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë që pritet të ndodhë në mesin e korrikut, do të jetë një mundësi e mëtejshme e Shqipërisë për ta ritheksuar vendosjen e marrëdhënieve me Graqinë bazuar te parimet e reciprocitetit dhe të fqinjësisë së mirë dhe jo më tek inferioriteti në dëm të shtetit më të vogël, apo në këmbim të mosvendosjes së bllokadës greke në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Sovraniteti dhe interesat kombëtare nuk mund të këmbehen me heqjen e ligjit të luftës, njohjen e Kosovës, apo çdo premtim tjetër të palës greke.
Ministri në fushatë
Këtë muaj, ndryshe nga muajt e mëparshëm, do të na ishte dashur të thurnim thuajse vetëm lavde, në rast se një ditë të bukur ministri Ditmir Bushati nuk do ta braktiste zyrën e tij gjatë orarit të punës dhe në një ditë zyrtare pune për të dalë dhe për të bërë fushatë politike në favor të shumicës qeverisëse dhe kandidatit të saj për kryetar bashkie në Tiranë. Në fakt, ministri postoi në profilin e tij në Facebook më 4 qershor, në orën 12:25 një album fotografik në të cilin shkruante: “…Vota në 21 qershor për #ErionVeliaj nr 6 dhe për #PartiaSocialiste nr 23 është vendimtare për të zgjidhur problemet e së shkuarës dhe për të ndërtuar Tiranën evropiane.”
Ora kur është postuar albumi në faqen e ministrit në Facebook bën të mendohet se ai duhet të ketë qenë në këtë takim elktoral pak më herët gjatë ditës zyrtare të punës. I mbetet atij të dëshmojë të kundërtën, nëse ka dëshirë ta bëjë një gjë të tillë, sigurisht.
Përndryshe, i bie që në këtë mënyrë ministri të ketë braktisur zyrën, në të cilën paguhet me taksat e të gjithë shqiptarëve, për të mbështetur vetëm një pjesë të tyre në një shfaqje elektorale.
Strategji joeficente lobimi në BE
Është për të ardhur keq, sepse vetëm dy ditë më parë ministri e kishte bërë më së miri detyrën e tij gjatë vizitës zyrtare në Suedi, ku i kërkoi vendit anëtar të BE-së, që Shqipërisë t’i caktohet një agjendë e qartë prioritetesh që duhen përmbushur në mënyrë që t’i çelen negociatat për anëtarësim me të drejta të plota në BE.
Në fakt, një kërkesë të tillë ministri e ka bërë në të gjitha kryeqytetet europiane ku ka qenë këtë vit, vetëm se është e vështirë të thuhet se kërkesa e tij të ketë marrë ndonjë feed-back pozitiv. Nuk dimë ndonjë rast që ky lobim i vazhdueshëm i ministrit të ketë prodhuar rezultate, apo të ketë marrë në këmbim ndonjë premtim se kërkesa e tij do të shqyrtohet nga institucionet e BE-së. Në këtë pikë duhet shtruar pyetja, a ja vlen që të vijohet me këtë strategji, e cila nuk ka prodhuar rezultate deri më tash, apo duhet përdorur një e re? Një ide mund të ishte për shembull që MPJ të paraqiste një kërkesë formale gjatë vizitave zyrtare të ministrit ndaj vendeve anëtare dhe vetë institucioneve të BE-së, që të hartonin një listë prioritetesh konkrete që duhen përmbushur për hapjen e negociatave.
Referime:
- Gazeta Mapo, 27 Prill 2015,
http://www.mapo.al/2015/05/rama-kulacin-maqedonise-kerbacin-greqise - Gazeta Shqip, 02 Qershor 2015,
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/06/02/pakti-detar-greqia-kercenon-me-veto-ne-be/ - Ministria e Punëve të Jashtme, 26 Prill 2015,
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/ministri-bushati-pret-sekretarin-e-pergjithshem-te-osbe-se-lamberto-zannier&page=1 - Ministria e Punëve të Jashtme, 2 Qershor 2015,
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/ministri-bushati-zhvillon-vizite-pune-ne-mbreterine-e-suedise&page=1 - Gazeta Mapo, 4 Qershor 2015,
http://www.mapo.al/2015/06/ministri-braktis-zyren-per-te-bere-fushate - Gazeta Tema, 31 Gusht 2013,
http://www.gazetatema.net/web/2013/08/31/nje-pakt-i-ri-historik-per-marredheniet-shqiperi-greqi/ - Televizioni Ora News, 11 Qershor 2015
http://www.oranews.tv/vendi/greqia-do-propozoje-pakete-zgjidhjesh-per-shqiperine/