![Flutura Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/1fgh-e1433254384195.jpg)
Flutura Gjana
Pak fushatë partiake
Ministri Koka ka qenë një nga ministrat aktiv në fushatën elektorale gjatë muajit qershor. Kjo ndoshta shpjegon dhe aktivitetin e pakët që është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit. Pra ministri ka lënë pas dore detyrën për të cilën paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për të mbështetur kandidatët e partisë së tij në zgjedhjet vendore.
Ai ka qenë pjesëmarrës në takime të zhvilluara me kandidaten/in e koalicionit “Aleanca për Shqipërisë Europiane” për Bashkinë e Tiranës, Kolonjës dhe Gjirokastrës, ku ka shprehur qartë dhe mbështetjen ndaj kandidatëve.
Toka shqiptare po zhduket
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Shkretëtirëzimit të Tokës ministria nuk raporton asnjë aktivitet. Por ekspertët e mjedisit shprehen për median të shqetësuar për rrezikun që po i kanoset tokës shqiptare. Toka po tkurret nën veprimin e erozionit apo rrëshqitjes së dherave dhe territori shqiptar po ndryshon.
Shumë zona bregdetare, sipërfaqe të tëra toke po zhduken si pasojë e erozionit detar. Zona bregdetare e Semanit është një rast ku dukshëm shihen pasojat e tij. Vite më parë, vija bregdetare e plazhit të Semanit ishte me dhjetëra metra më në brendësi të detit. Sot situata është për të ardhur keq, dallohen gjurmët e bunkerëve, që janë nën ujë. Dikur zona ka qenë e mbushur me pisha, sot ato nuk janë më. Mungesa e tyre lejon veprimin e erozionit dhe erërave të fuqishme, çka sjellin zhdukjen e tokës vit pas viti.
“20 ton për ha në vit, ka raste 100 ton për ha shkojnë në det. Në qoftë se për 100 vjet formohet një shtresë toke prej 1 mm ose për 1000 vjet 1 cm, dëmi është shumë i madh”- shprehet për median Luan Ahmetaj, ekspert i mjedisit.
Këto dëme shkaktohet përmes kushteve klimaterike të disfavorshme, aktivitetit njerëzor, prerjes së pyjeve, shpyllëzimeve, mungesës së sistemimit të tokave, mungesës së sistemit kullues e mbulesës bimore. Pra kuptohet qartë që kjo është një përgjegjësi e banorëve të këtyre zonave, por mbi të gjitha e institucioneve që nuk kanë përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë për të monitoruar aktivitetin njerëzor dhe për të shmangur çdo ndërhyrje të jashtëligjshme. Ekspertët deklarojnë se nevojitet një ndërhyrje emergjente nga Ministria e Mjedisit me projekte të dedikuara për të ulur rrezikun që po i kanoset tokës shqiptare. Por MM nuk është ndjerë.
Ministria e Mjedisit ka publikuar në dhjetor të vitit të shkuar një aktivitet me temë: ”Harmonizimi i planit kombëtar të veprimit kundër shkretëtirëzimit në Shqipëri”, projekt që pritet të mbarojë në nëntor të këtij viti. Një projekt që ngelet në nivel politikash dhe jo në aksione konkrete. Akoma nuk janë marrë nisma konkrete si fillim për të mbajtur nën kontroll situatën, e më pas për ta përmirësuar atë, me qëllimin risjellje në gjendjen e mëparshme.
Lajm i mirë, Monitorim dixhital i cilësisë së ujërave larës të bregdetit shqiptar
Më 9 qershor u prezantua monitorimi dixhital i cilësisë së ujërave larës përgjatë gjithë vijës bregdetare në vend për vitin 2015. Punë kjo e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila kryen çdo vit monitorimin e cilësisë së ujërave bregdetare të larjes. Qëllimi i studimit është vlerësimi dhe njohja e cilësisë mikrobiologjike e ujërave bregdetare të larjes në 12 plazhet kryesore të vendit. Monitorimi është parashikuar të ndahet në dy seri, ku është realizuar seria e parë gjatë periudhës 11-25 Maj 2015. Në 1 qershor ka vazhduar seria e dytë e monitorimit, e cila do të zgjasë deri më 30 Shtator 2015. Për serinë e parë të monitorimit rezultatet kanë qenë pozitive, është ulur numri i plazheve me ndotje të lartë, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky përmirësim është ndjerë për plazhin e Durrësit, kjo pas futjes së shkarkimeve urbane në sistemin e kanalizimeve dhe dërgimi i tyre në Impiantet e Trajtimit të Ujërave urbane të Durrësit.
Rezultatet e monitorimit vendosen në dispozicion të publikut dhe janë lehtësisht të aksesueshme. Çdo individ ka mundësi të kontrollojë online (http://134.0.34.146/bregdete.html ) cilësinë e plazhit që ka zgjedhur të frekuentojë. Kjo punë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit duhet përgëzuar, urojmë që të vazhdojë me të njëjtin seriozitet aktivitetin e saj.
Referenca
- Video: Alarmi për mbrojtjen e tokës
https://www.youtube.com/watch?v=Jvnl44CjvOI - Artikul: Harmonizimi i planit kombëtar të veprimit kundër shkretëtirëzimit në Shqipëri http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/harmonizimi-i-planit-kombetar-te-veprimit-kunder-shkretetirezimit-ne-shqiperi
- Artikull: Monitorim dixhital i cilësisë së ujërave larës përgjatë gjithë vijës bregdetare http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/monitorim-dixhital-i-cilesise-se-ujerave-lares-pergjate-gjithe-vijes-bregdetare&page=1