![Jona Hoxhaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Jona-235x300.jpg)
Jona Hoxhaj
Zgjimi i MMSR
Kur të gjithë po punonin për “drejtimin e duhur” të Tiranës, Klosi po mundohej të kthente MMS-në që la Veliaj në “drejtimin e duhur”! Në datën 29 Maj Blendi Klosi zyrtarisht u betua si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në ambientet e Presidencës. Kuvendi miratoi 4 ditë më parë me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim zgjedhjen e Blendi Klosit për Ministër të MMSR-së, për të vazhduar punën në krye të programeve që Veliaj la në gjysëm.
Muaji qershor filloi me prezantimin e parë publik të Klosit. Si fillim u prezantuan rezultatet e Veliajt për punën e tij 18 mujore në MMSR, që ai vetë i konsideron të majme si kundër varfërisë, papunësisë dhe pakënaqësisë së popullit për mirëqenien në vend. Ky i fundit prezanton historinë e suksesit të tij 18 mujor dhe gjithashtu shprehu besimin se vijimësia e punës do jetë e sigurt nën lidershipin e Klosit.
Shpresojmë se Klosi do të arrijë të balancoje daljet në media dhe në rrjetet sociale me rezultatet e arrira të programeve më shumë se Ministri i larguar! Në këtë prezantim hapësirë iu dha dhe Ministrit në ardhje, i cili premtoi se në fokusin e tij do të jetë punësimi i të rinjve të cilëve do të iu krijohen më shumë hapësira, pasi punësimi i tyre konsiderohet i domosdoshëm, theksoi Klosi në fjalën e tij.
Prova nr.1 për Klosin
Problematikat e KEMP-it të krijuara në Fier kërkojnë zgjidhje ndaj neglizhencës së muajit të kaluar kur MMRS “de facto” nuk kishte Ministër, sepse fushata ishte primare! Një numër i madh i personave me aftësi të kufizuara në Fier kanë hasur probleme me marrjen e përfitimeve ekonomike dhe shërbimeve shoqërore që i’u takon në bazë të ligjit, pasi nuk janë diagonostifikuar dhe rikomisionuar. Pas evidentimit të problemit madhor në Fier, qeveria bëri ndërhyrje duke ngritur tre grupe pune për të zgjidhur këtë problem në mënyrë emergjente për një afat të shkurtër. Z. Klosi pas inspektimit të punës nga afër me datën 9 qershor, u shpreh se përveç problemeve administrative të cilat do të zgjidhen jo vetëm në Qarkun e Fierit por në të gjitha zonat që personat me aftësi të kufizuara kanë probleme në përfitimin e asaj që ju takon sipas ligjit, do të merret dhe me rishikimin e të gjitha kritereve të njerëzve që përfitojnë ndihmë nga shteti shqiptar, ai premtoi se brenda muajit do të mbyllet rivlerësimi i të gjitha kritereve që përcaktojnë KEMP-in si dhe rishikimi i skemave dhe mënyrës së vlerësimit. Nën urdhërin e Kryeministrit lidhur me problemin e Fierit, numri i mjekëve u shtua në 12, si dhe 3 punonjës të shërbimit special u dërguan për të punuar atje deri me 15 qershor. Po ashtu KM ka marrë një vendim për zgjidhje afatgjatë të situatës së personave me aftësi të kufizuara në shkallë vendi, ku do të krijohen dhe 3 KEMP-e Eprore shtesë për të anashkaluar afatet e tejzgjatura të pritjes për t’u ankimuar e rivlerësuar.
Gjithashtu Ministri i MMSR-së paralajmëroi se të gjithë strukturat përkatëse që veprojnë konform me rregullat dhe legjislacionin gjatë shqyrtimit të ankesave, do të përballen me ligjin. Duket sikur Z. Klosi e ka marrë punën me MMSR-në më seriozisht, përtej ekspozimit. Në Gjenevë flitet për ulje varfërie dhe rritje punësimi në Shqipëri, e në Shqipëri shkurtohet fondi buxhetor në kurriz të të varfërve! Me 11 qershor Z. Klosi në Konferëncën e 104-të Ndërkombëtare të Punës, shprehu me bindje që qeveria po punon për zbutjen e varfërisë e cila mund të arrihet përmes rritjes ekonomike dhe punësimit. Nëse bëhet një kërkim amatoresk në të dhënat e INSTAT shihet qartë që as rritje ekonomike e as punësim në rritje nuk ka në tremujorin e fundit, për t’i shtuar kësaj fatkeqësie që po i ndodh shtresës së varfër të popullsisë, pa punë dhe pa ndihma të mjaftueshme, qeveria i futi gërshërët edhe fondit të buxhetit që i takonte atyre!
Shqipërisë vazhdimisht i kërkohet nga FMN që të ulë deficitin buxhetor, por mënyra më e lehtë që qeveria ka zgjedhur është të punojë në kurriz të të varfërve, që janë më të pafuqishëm që t’i kundërvihen! Qeveria po shkurton fondet e shpenzimeve për ndihmën ekonomike, për pagesën e papunësisë, pensionet e invalidëve, kompensimet e shtresave në nevojë dhe çdo lloj shpenzimi tjetër me natyrë sociale. Me justifikimin e pastrimit të listave pasi paska patur abuzime nga qeveria e kaluar me këto lista.
Mungesa e theksit që ra mbi zbutjen e varfërisë në fjalën e Z. Klosit në Gjenevë kishte të bënte me këtë “zbutje” mbi kurrizin e të varfërve?! Qeveria me në krye Partinë Socialiste ka humbur rrugën gjatë rrugëtimit, pasi këto çdo gjë tjetër mund të jenë, por vetëm pikëpamje sociale nuk janë.
Referenca
- Gazeta Tema. Qershor 2015. Blendi Klosi betohet si Ministër i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. http://www.gazetatema.net/web/2015/05/29/blendi-klosi-betohet-si-minister-i-mireqenies-sociale-dhe-rinise/
- Faqja Zyrtare e MMSR-së. Qershor 2015. Ministri Klosi Inspekton gjendjen e KEMP-it në Fier http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/lajme/ministri-klosi-inspekton-gjendjen-e-kemp-it-ne-fier&page=1
- Gazeta Tema. Qershor 2015. Klosi Brenda Javës zgjidhet problemi për 1200 pak në Fier http://www.gazetatema.net/web/2015/06/06/klosi-brenda-javes-zgjidhet-problemi-per-1200-pak-ne-fier/
- Portali Monitor. Qershor 2015. Shkelen të varfërit për deficitin buxhetor. http://www.monitor.al/shkelen-te-varfrit-per-deficitin-buxhetor/
- Portali Mapo. Qershor 2015. Turp Buxhetor qeveria u heq lekët të varfërve. http://www.mapo.al/2015/06/turp-buxhetor-qeveria-u-heq-leket-te-varferve
- Faqja zyrtare e MMSR-së. Qershor 2015. Klosi në Gjenevë po punojmë për zbutjen e varfërisë përmes rritjes ekonomike dhe punësimit.
http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/lajme/klosi-ne-gjeneve-po-punojme-per-zbutjen-e-varferise-permes-rritjes-ekonomike-dhe-punesimit&page=1