
Gerion Treska
Kur statusi s’të le të falimentosh
Disi nën zë dhe duke u evidentuar vetëm nga disa media çështja e ARMO-s kthehet në një gangrenë që ka arritur kulmin e saj me një borxh prej 400 milionë dollarësh, nga të cilat 207 milionë kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë në formën e detyrimeve pranë organeve tatimore.
Me një histori të kalimit të aksioneve nga një kompani në një tjetër dhe një shtet aksioner minoritar pothuajse inekzistent në rolin e tij, Shoqëria ARMO sot gjendet në një gropë financiare mjaft të rëndë nga e cila e pengon të dalë statusi i cili jepet sipas ligjit që e klasifikon sektorin ku kjo shoqëri bën pjesë, si sektor strategjik.
Pikërisht kjo e fundit është “kleçka” e cila e pengon ARMOn të japë një zgjidhje për situatën e saj financiare. Bazuar në ligjin e QKR për falimentimin, ARMO duhej tashmë të kishte nisur procedurat e parashikuara për faliment, pra si rregull Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet ti kërkojë gjykatës hapjen e procedurës së falimentit. Ligji për falimentin ndalon hapjen e procedurave të falimentit në sektorët strategjikë. E vetmja zgjidhje që mbetet është deklasifikimi i industrisë së përpunimit të naftës si sektor, por kjo duhet të bëhet me ligj të posaçëm të miratuar në Kuvend. Nëse kjo do të mundësohet për të shmangur një pjesë të mirë të detyrimeve, mundet që shoqëria ARMO të hapë procedurat e falimentit.
Disa skenarë hamendësohen dhe sugjerohen por asnjë sinjal nuk duket të vijë nga ana e qeverisë. Patjetër që kjo është një gropë financiare në të cilën kanë kontribuar të gjitha qeveritë nga pak duke luajtur me elementë të ndryshëm të fazave të zhvillimit të jetës së ARMOs.
Megjithëse pritet që zgjidhjen duhet ta japë shteti, duke krijuar një ligj për deklasifikimin e këtij sektori strategjik, nuk përjashtohet asnjë mundësi tjetër reale e cila mund ta shpëtojë këtë gjigand që lëngon prej vitesh. Objektivi mbikëqyrës mbetet mbi qeverinë mbi mënyrën se si do ta zgjidhë këtë çështje e cila me një menaxhim të mirë mund të kishte qenë një burim i konsiderueshëm të ardhurash për shtetin shqiptar.
Kur borxhi shlyhet me borxh
Nëse kujtojmë përmbytjet në Qarkun e Shkodrës në 2010-2011 pamjet e dëmtimeve të të gjitha llojeve mund të jenë ende disi të freskëta në mendjet e shqiptarëve. Por borxhi që qeveria i ka të dëmtuarve mbetet ende i pashlyer plotësisht megjithëse kanë kaluar 5 vjet.
Patjetër që për procesin e dëmshpërblimeve të kryer gjatë këtyre viteve, nuk kemi shumë informacion pasi pagesa ose mospagesa përzihet me mediat e politizuara të cilat e ndyjnë të vërtetën duke lënë pas vetëm çoroditje dhe dezinformim. Megjithatë ajo çka mësuam nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë është se një pjesë e shumës së dëmshpërblimeve të papaguara ende nga qeveria për Qarkun e Shkodrës për përmbytjet është 222,416,775 lekë.
Por në të njëjtën kohë qeveria është e vendosur të mbledhë në mënyra të ndryshme borxhin e faturave elektrike sidomos në zonat problematike si Qarku i Shkodrës, si një nga zonat me probleme të mëdha në këtë detyrim. Për këtë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer një rakordim të emrave të listës së Emergjencave Civile për banorët e prekur nga përmbytja dhe detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike që këta banorë kanë. Borxhi shlyhet me borxh nga ku sipas Ministrit Gjiknuri, banorët e prekur nga përmbytja, që sipas vendimit të qeverisë janë në cilësinë e kreditorit, kanë dhënë pëlqimin për këtë shuarje nëpërmjet aplikimit të realizuar në zyrat e OSHEE-së, gjatë procesit të rakordimit të të dhënave.
Në rastin kur detyrimi i energjisë elektrike, që banorët e zonave të përmbytura kanë ndaj OSHEE, është më i madh se detyrimi që shteti u ka atyre, palët janë të detyruara që diferencën e detyrimit të energjisë elektrike ta zgjidhin sipas parashikimeve të kushteve të kontratave të furnizimit me energji elektrike. Ajo çka nuk sqaron Ministri Gjiknuri janë rastet kur shteti ende mbetet debitor ndaj atyre që kanë qenë të rregullt në pagesat e energjisë elektrike, duke e përjashtuar kështu krejtësisht këtë skenar. Patjetër që kjo është një zgjidhje inteligjente e cila sipas informacioneve të Ministrit Gjiknuri është mirëpritur nga banorët, të cilët pas 5 vitesh pritje zgjodhën me siguri këtë zgjidhje jo sepse nuk do t’i dëshironin paratë por siguria në të tilla raste për marrjen në zotërim të atyre parave është krejtësisht probabilitare.
Megjithatë ky fakt tregon se inteligjenca kësaj qeverie kur kërkon zgjidhje nuk i mungon, pra nëse ka raste të cilat nuk po zgjidhen kjo nuk është sepse nuk dimë por ndoshta sepse nuk duam ose sepse nuk përbën pjesë në prioritetet e momentit të qeverisë. Në përgëzim të kësaj zgjidhjeje urojmë që kjo qeveri e ndryshme në disa zgjidhje nga të mëparshmet, ta përdorë inteligjencën në shërbim të popullit sepse në fund të fundit kjo është arsyeja përse shkohet në zgjedhje.
Referenca:
- Webi i Agjencisë se Prokurimeve Publike
http://acp.al/news/1012/Zbardhet-falimenti-i-ARMO-s,-piramida-267-mln-dollare-e-borxheve/ - Webi zyrtar i Ministrise se Energjise dhe Industrise
http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/permbytjet-e-shkodres-ne-2010-2011-qeveria-i-jep-zgjidhje-ceshtjes-se-demshperblimeve - Vizion+ TV, Lajme
http://vizionplus.al/armo-drejt-mbylljes-mbi-200-mln-borxhe-ne-tatime/ - Top Channel TV, Lajme
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=301436