
Adela Danaj
Endrra me eksporte bujqësore në Kinë…
Gjatë muajit Qershor Ministria e Bujqësisë ka publikuar disa lajme sporadike në lidhje me aktivitetin e saj ministror. Duke qenë se jemi në muajin e saj të gjashtë të raportimeve, kemi konstatuar se kjo ministri zakonisht është e varfër në aktivitetin e saj. Kështu gjatë këtij muaji, në faqen zyrtare të ministrisë janë publikuar lajme të cilat lidhen me pjesëmarrjen e ministrit Panariti në evente të rëndësishme ndërkombëtare të cilat në fakt, nuk sjellin asnjë lajm pozitiv në termat e përfitimeve apo sukseseve që mund të ketë arritur kjo ministri. Madje dhe ato pak njoftime që janë publikuar më shumë ngjasojnë me lajme të karakterit humoristik se sa me lajmërime formale dhe zyrtare.
Më datë 26 qershor, në Sofje të Bullgarisë, u zhvillua takimi i ministrave të bujqësisë të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në këtë takim mori pjesë dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi zyrtar i Shoqatës për Promovimin e Bashkëpunimit në Bujqësi midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Sigurisht, kjo iniciativë tingëllon pozitive për Kinën e cila është një nga tregjet më të mëdha botërore dhe domosdoshmërisht duhet të hapë bashkëpunimet me sa më shumë vende të Evropës në mënyrë që të eksportojë mallrat e shumtë që prodhon apo importojë mallrat dhe shërbimet që nuk mund t’i sigurojë vetë .
Kështu, si një ndër partnerët në këtë bashkëpunim, ministri Panariti pohoi se ky takim është shumë i rëndësishëm duke qenë se Shqipëria së fundmi ka rritur ndjeshëm prodhimin e perimeve dhe vajit të ullirit dhe tregu kinez është një mundësi shumë e mirë për të eksportuar prodhimet shqiptare.
Vërtet e mendon kështu vallë ministri, apo ishte rasti për të thënë diçka në takim dhe u gjend i papërgatitur dhe kështu vendosi aty për aty se çfarë i erdhi për mbarë? Shqipëria ka rritur prodhimet bujqësore dhe do t’i eksportojë në tregun kinez?!
Sipas studiuesit Rupert Hoogewerf, themeluesi i Hurun Report me bazë në Shanghai, i pari hartues i “listës së të pasurve” të Kinë, rritja e pasurisë private në Kinë ka tejkaluar Evropën duke u bërë rajoni i dytë më i pasur në botë, dhe është në rrugë për të dalë në krye, pasi në 2016 planifikohet të kalojë edhe SHBA-në.
Kjo do të thotë se tregu kinez është i dyti në botë për nga madhësia e tij dhe sigurisht importet që realizon janë të përmasave në nivel global, ndaj nuk mund të hamendësosh në asnjë moment të vetëm se Shqipëria mund të jetë një vend me potencial për të furnizuar tregun Kinez më perime apo vaj ulliri.
Jo vetëm kaq, por tregu bujqësor shqiptar vazhdon të ballafaqohet dhe me incidente që kanë të bëjnë me garancinë e cilësisë së ushqimeve që eksporton. Mjafton të kujtojmë se më 6 Qershor aleati ynë, Maqedonia, bllokoi eksportet e perimeve të freskëta, perime që Z. Ministër ka menduar se mund t’i “bëjnë punë ” Kinës. Ky bllokim erdhi si rezultat i dyshimeve që ka pala maqedonase në lidhje me standardet që përdorin fermerët shqiptarë për prodhimin e tyre.
Madje, dhe pas zgjidhjes së ngërçit, i cili u realizua 3 ditë pas bllokimit, ministri Panariti, nuk i bëri thirrje palës maqedonase duke i dhënë garanci për cilësinë, por duke e vënë theksin tek fqinjësia e mirë: “Fqinjësia e mirë duhet dëshmuar përmes heqjes së barrierave tregtare”- ka shkruar ai.
Ndaj në këto kushte, secili prej nesh ka dyshime serioze në lidhje me deklaratat publike që lëshon kjo ministri kur flet për bashkëpunime apo bashkëpunëtorë, sidomos kur bëhet fjalë për bashkëpunime me tregje si ai kinez. Është lehtësisht e kuptueshme që Z. ministër është ndjerë mirë mes parterësh të rëndësishëm globalë dhe është po aq e vërtetë që ëndrrat janë bërë për t’u jetuar, por kjo nuk do të thotë që mund të raportohen në site zyrtare siç është faqja zyrtare e ministrisë në fjalë. Megjithatë, në raste të tilla vlen urimi që ëndrrat të të bëhen realitet!
Referenca:
- Ministra e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Qershor 2015.
- Ministri Panariti merr pjesë në “Meeting of the Ministers of Agriculture of China and the 16 CEE countries”, në Sofje.
http://www.bujqesia.gov.al/al/lajme/njoftime-per-shtyp/ministri-panariti-merr-pjese-ne-meeting-of-the-ministers-of-agriculture-of-china-and-the-16-cee-countries-ne-sofje&page=1 - Bota.al. Qershor 2015. E dyta ne bote per numrin e milionereve eshte…Kina.
http://www.bota.al/2015/06/kina-e-dyta-ne-bote-per-numrin-e-milionereve/ - Gazeta Mapo. Qershor 2015. Maqedonia bllokon eksportet e Shqipërisë!
http://www.mapo.al/2015/06/maqedonia-bllokon-eksportet-e-shqiperise - Gazeta Panorama. Qershor 2015.
- Maqedonia “zhbllokon” eksportin e perimeve shqiptare. Te parrezikshme per shendetin.
http://www.panorama.com.al/maqedonia-zhbllokon-eksportin-e-perimeve-shqiptare-te-parrezikshme-per-shendetin/