
M. Barushi
1-Paqartësitë faktike të kompetencave të ministrisë.
Ministria e Zhvillimit Urban e nisi muajin prill me prezantimin e Planeve të Përgjithshme Vendore të 5 qyteteve të para, me takime me donatorë të mundshëm për të mbuluar kostot e 30 bashkive që nuk kanë burime financiare për PPV. Në ditët në vijim u vizitua Gjirokastra, u inauguruan qendrat e disa qyteteve, u aktivizua platforma për aplikimin e lejeve të ndërtimit online si dhe u hap ekspozita “Ditar i një hapësirë”. Ministrja Gjermeni deklaroi se deri ne fund të muajit, 3 Planet Kombëtare do të finalizoheshin[1], por nuk ka asnjë të dhënë ende për fazën në të cilën ato janë. Nisur nga ky fakt, do të duhet të sillet në vëmendje që plani i punës mungon nga website zyrtar i MZHU, përditësimi i fundit është ai i “Plani i punës së Qeverisë për 300 ditët e dyta”[2].
Përtej angazhimeve të kthyera në rutinë, përgjatë gjithë muajit u vu re mungesa e përfshirjes së ministrisë në temat më të debatueshme të momentit, duke nisur nga parku i betonizuar i lojërave, tek qendra e Tiranës e duke përfunduar me projektin epik të stadiumit Qemal Stafa. Në çfarë pozicioni është ministria, kur, ndërkohë që po hartohen planet kombëtare dhe vendore, ka prezantime të tilla, të cilat hedhin poshtë studimet e analizat e mëparshme dhe ato që po bëhen paralelisht tani? Projektet në vazhdimësi nuk u nënshtrohen konkurseve të hapura e të ndershme, por porositen dhe krijohen në bazë të kërkesave të porositësit. Nuk ka dëgjesa publike dhe thirrje për tendera të mundshëm. Prezantimi i projektit nga kryeministri nuk është tjetër gjë veçse një përpjekje për të tërhequr vëmendjen me çdo kusht. U rekomandohet institucioneve përkatëse, që pasi të vendosin kush do e mbajë përgjegjësinë të prezantohet studimi i kontekstit si dhe koncepti, projekti, programi, funksionet, planimetritë, dhe përgjigjet e pyetjeve që shtrohen më së shumti tani: Përse stadiumi i ri duhet të jetë mbi stadiumin ekzistues që është monument kulture? Perse nuk vendoset ne zgjatimin e bulevardit të ri? I përballon dot qendra e qytetit flukset e njerëzve gjatë ndeshje? Mungesa e informacionit është në nivel alarmant dhe qetësimi i shoqërisë civile po bëhet nëpërmjet dhunës dhe ofendimeve.
2- Lejet e ndërtimit online.
Aplikimi online për leje ndërtimi, i cili u lajmërua se do të niste me 1 prill[3], arriti të nisë në datën 20 prill. Nga 20 prilli deri më 31 gusht 2016 qytetarët mund të vijojnë të aplikojnë në të dy mënyrat: Në rrugë elektronike dhe në formë shkresore. Ndërsa, duke filluar nga data 1 shtator 2016, aplikimi, shqyrtimi dhe miratimi i lejeve do të kryhet ekskluzivisht përmes sistemit elektronik[4]. Paçka se aplikimi online ka nisur më 20 prill, ministria nën asistencën e ZELS, shoqatës së njësive vendore të Maqedonisë, është në mes të trajnimit të nëpunësve të bashkive dhe institucioneve publike. Faza e parë e trajnimit ka përfunduar në 19 prill, dhe e dyta zgjat nga data 25 deri më 16 maj.[5] Sistemi online për aplikimin e lejeve të ndërtimit është një iniciativë për t’u përgëzuar, pasi në parim thjeshtëzon të gjithë procesin e aplikimit si dhe eliminon korrupsionin.
Hapi pasardhës, që do t’i sugjeronim ministrisë, do të ishte pasqyrimi online i të gjithë informacionit mbi procedurat dhe kohëzgjatjen e aplikimit. Në një studim të bërë nga Banka Botërore për Doing Business Project, një projekt qe siguron të dhëna mbi masat objektive të rregullave të biznesit në 189 ekonomi përzgjedhura në nivel nën-kombëtar, Shqipëria nuk ofron asnjë të dhënë mbi lejet e ndërtimit, procedurat, kohën e nevojshme dhe kostot përkatëse[6].
[1]Gjermeni: brenda prillit finalizojme tre planet kombetare.
https://www.youtube.com/watch?v=93G4CkMCNP4
[2]Plane pune dhe Strategjitë. http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/dokumente/plane-pune-dhe-strategjite
[3]Gjermeni: Nga 1 Prilli lejet endërtimit online, stop korrupsionit http://shqiptarja.com/sociale/2750/gjermeni–nga-1-prilli-lejet-e-nd-rtimit-online-stop-korrupsionit-343636.html#sthash.9Rk1kZtH.dpuf
[4] Lejet e ndërtimit online, eksperienca vjen nga Maqedonia http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/04/28/lejet-e-ndertimit-online-eksperienca-vjen-nga-maqedonia/
[5]Nisin trajnimet për sistemin online të platformës e-leje
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/neësroom/lajme/nisin-trajnimet-per-sistemin-online-te-platformes-e-leje&page=1
[6]Dealing with Construction Permits inAlbania http://www.doingbusiness.org/data/exploreeconomies/albania/dealing-ëith-construction-permits/