
G. Treska
1- Ekonomia shqiptare, brumi që merr formë sipas dëshirës!
Në mënyrë të veçantë, këtë muaj ekonomia shqiptare ka qenë një nga temat më të lakuara jo vetëm nga qeveria, por edhe nga aktorët dhe institucionet që përfaqësojnë investitorët e huaj. Pas shitjes së Bankers Petroleum dhe blerjes së koncesionit të Aeroportit të Rinasit, duket se investitorët kinezë po stacionohen si fillim në këto dy pika kyçe në Shqipëri. Shpresojmë që këta investitorë të qëndrojnë pavarësisht se ndodhen mes dy “këmbanave”, dhe në fakt jo vetëm kinezët, por të gjithë investitorët e huaj duket se kanë jo vetëm lëkundje por edhe po tërhiqen nga të investuarit, sidomos nëse këta i referohen Indeksit të Klimës së Biznesit publikuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj[1]. Sipas këtij publikimi, indeksi ka vazhduar rënien në të katër 3 mujorët e vitit 2015, k si rezultat kryesisht i katër arsyeve madhore:
- Zbatimi i ligjit dhe efektiviteti i gjyqësorit,
- Ndryshueshmëria e legjislacionit dhe atij tatimor në veçanti; stabiliteti i tij, kompleks dhe i ndryshueshëm, shpesh i pakuptueshëm, si dhe me vështirësi në zbatim,
- Prania e burokracisë dhe e korrupsionit në institucionet publike,
- Prania e konkurrencës së pandershme.
Në mënyrë të veçantë “lupa” ka kaluar edhe mbi të gjitha ligjet e miratuara gjatë vitit 2015 për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Si rezultat, Shoqata e Investitorëve të Huaj shpjegon se nga studimi, disa nga ligjet e kaluara gjatë periudhës në studim, të cilat janë perceptuar me impakt negativ nga biznesi, ishin paketa fiskale e 2015-s, ligji për taksën mbi vlerën e shtuar, ligji mbi të ardhurat dhe ligji i gjobave.
Ministrja Ikonomi gjatë mbledhjes së Këshillit të investimeve ka theksuar shifrën prej 881 milion eurove të ardhura si rrjedhojë e investimeve të huaja, megjithëse rritja ekonomike është e brishtë[2]. Patjetër që ky argumentim bazohet në krahasim me vitin 2014 pasi vetëm në këtë mënyrë kjo shifër mund të perceptohet rritje.
Të referuarit me një vit më parë është pozitiv, por krahasimi brenda vitit nuk del aq i kënaqshëm, si përfundim jemi mirë! Statistikat janë numra, që mund të manipulohen lehtësisht, ashtu sikurse edhe ka ndodhur nga qeveri të mëparshme, por kur investitorët e huaj shprehin mendimin e tyre në lidhje me klimën e biznesit patjetër që ajo çka ata kanë për të thënë është shumë më e vërtetë se sa ato çka mund të thotë qeveria apo edhe vetë ministria, e cila jo pak herë ka vepruar sipas filozofisë “qentë le të lehin, karvani vazhdon përpara”.
Me siguri Këshilli i Investimeve në këtë rast ka harruar se një vend me një treg kaq të vogël, i cili sipas KLSH dhe auditimeve që ky institucion ka ushtruar, ka një dëm ekonomik prej 919.9 milion Eurosh[3], nuk është fort tërheqës për investitorë të huaj e aq më pak ata serioz. Dhe për ta përfunduar sipas këtij raporti, në vitin 2015 në sektorin e tatimeve dhe doganave është konstatuar një dëm i konsiderueshëm në rreth 13% të dëmit total, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013”, thuhet në raportin e KLSH.
2- Pas “fshesës” rikthehen borxhet e këqija!
Shoqata e Bankave në raportin e saj të fundit vlerëson se niveli i kredive me probleme në vend është rritur gjatë dy muajve të parë të vitit, respektivisht nga 18.2% në 18.4% e më pas në 18.9%. Ky është indikatori më se domethënës se gjithçka që po bëhet për hir të borxhit të keq jo vetëm që nuk po funksionon, por po kthehet vetëm në një “fshesë” të herë pas hershme, që ndoshta për koincidencë shfaqet vetëm pak para vizitave të FMN dhe institucioneve të tilla të mëdha.
Kjo shifër është gjithashtu një indikator, i cili në një deduksion të thjeshtë logjik të bën të mendosh mbi arsyet e kredi marrjes me probleme. Në një situatë të tillë, individët dhe bizneset marrin kredi ose për të zgjeruar aktivitetin e tyre ekonomik, ose për të shlyer detyrimet që ata kanë. Duke qenë se rritja ekonomike nuk e justifikon argumentin e parë, kjo na bën të mendojmë fuqimisht se situata ekonomike është aq e rëndë sa që bizneset dhe individët për të paguar detyrimet e tyre, sidomos në një situatë deflacioni, detyrohen të marrin kredi, që nuk shlyhen më.
Si të mos mjaftojë kjo, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një anketim në 364 ndërmarrje, nga ku ka gjetur se 10 për qind e tyre janë financuar me kredi nga tregjet jashtë bankave[4]. Duke përforcuar kështu argumentin e pamjaftueshmërisë së kapitalit për të shlyer detyrimet në kohë, i cili u artikulua më sipër. Tashmë kjo situatë e tregut nuk ndjehet vetëm në arkat e kompanive të të gjitha përmasave, por edhe në xhepat e qytetarëve, për të cilët eksperienca dhe akademia kanë treguar se do të shfaqin gjithnjë e më shumë prirje devijuese ndaj veprimeve dhe ligjeve shtrënguese. Dhe patjetër që me indikatorë të tillë asnjë nuk është i ndikuar pozitivisht apo optimist për të ardhmen e ekonomisë dhe tregtisë së Shqipërisë, e cila nuk i ngjan asnjë modeli të shëndosh, ashtu sikurse edhe shkruan Financial Times[5], por vetëm një arre të vogël krahasuar me një shalqi.
[1] Indeksi i Klimës së Biznesit, publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj – http://acp.al/news/2076/Investitoret-e-huaj:-taksat,-korrupsioni,-konkurrenca-e-pandershme-perkeqesojne-klimen-e-biznesit/
[2] Investimet e Huaja Direkte janë në rritje sipas Këshilli Ekonomik –http://acp.al/news/2096/Investimet-e-huaja,-Ekonomi:-Shenuan-rritje,-881-milion-euro-per-2015/
[3] Raporti i KLSH mbi dëmin ekonomik – http://acp.al/news/2093/KLSH:-Ne-tre-vitet-e-fundit-demi-ekonomik-919.9-milion-euro
[4] 10% e bizneseve marrin kredi jobankare – http://acp.al/news/2097/Anketimi-i-BSH,-10-per-qind-e-bizneseve-kane-siguruar-kredi-jashte-bankave/
[5] Financial Times, cili është modeli i tregëtisë shqiptare – http://acp.al/news/2065/Financial-Times:-Cili-eshte-modeli-tregtar-i-Shqiperise/?