
Adela Danaj
1- Ilaçe s’ka, por dhe kur ka, nuk i blen dot!
Gjatë muajit prill, në ambientet e universitetit katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, u organizua konferenca me temë “Cilësia e barnave dhe e drejta e shëndetit”. Krahas akademikëve të shquar, në konferencë ishte i pranishëm dhe ministri i shëndetësisë. Z. Beqaj, si përfaqësuesi më i lartë i sektorit të shëndetësisë, pohoi se gjatë kohës së qeverisjes së vendit nga PS-ja, janë regjistruar rreth 162 barna patentë si dhe janë ulur ndjeshëm çmimet e barnave mjekësore. Në fjalën e tij, e publikuar e plotë në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, Z. Beqaj pohoi se së shpejti do të ndërmerret një tjetër hap i rëndësishëm për kontrollin e cilësisë së barnave që qarkullojnë në Shqipëri. Sipas komenteve të tij, Recetat Elektronike dhe kontrolli i barnave nëpërmjet sistemit të gjurmimit “track-and-trace”, janë dy projektet e reja që do të luajnë një rol të rëndësishëm në cilësinë e barnave në Shqipëri [1]. Se çfarë janë këto dy nisma dhe se si do të funksionojnë ato, nuk ka ende asnjë sqarim; ndoshta është ende herët për të kuptuar funksionin e tyre, mënyrën se si do të aplikohen dhe më pak akoma se çfarë duhet të presim prej tyre. Megjithatë, gjatë kohës që përfaqësuesi i qeverisë flet për nisma dhe modernizim të sistemit të shëndetësisë në Shqipëri, një tjetër realitet shfaqet për pacientët të cilët rendin dyerve të spitaleve në kërkim të medikamentit “fatsjellës” për shëndetin e tyre.
Sipas një deklarate për shtyp të datës 19 prill, përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se pacientët jo vetëm që nuk i përballojnë dot çmimet e kripura të ilaçeve, por dhe kur munden, nuk mund t’i gjejnë ato[2]. Fatkeqësisht, kjo histori është kthyer gati në një fenomen ciklik. Kur kthehemi pas në kohë dhe kërkojmë nëpër arkiva, rezulton se i njëjti fenomen shfaqet vazhdimisht. Gjatë viti 2013, gazeta Shëndeti on-line[3] shkruante për mungesë të theksuar të barnave mjekësore në qendrën spitalore më të madhe në vend “Nënë Tereza”, si dhe për çmime të larta të barnave që gjenden në treg, duke rënduar në këtë mënyrë shëndetin dhe ekonominë e pacientëve. Kjo do të thotë, se dhe pas tre viteve nuk ka asnjë përmirësim në çështjen në fjalë dhe se “135 javët në detyrë” siç shprehet Z. Beqaj, nuk janë aspak ato që ai pretendon. Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, në fjalën e tij, ministri ka thënë:
“Ne kemi një ligj të ri të barnave të korrikut të vitit 2014, i cili sigurisht si çdo ligj i ri, edhe pse është i mirë në vlerësimin tim, në letër përpiqet të përafrojë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Europian në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, probleme të cilat çdo ligj i ndesh në rrugën e tij të zbatimit, dhe ne, ende, sigurisht nuk kemi bërë dy vjet, megjithatë, ne ende vazhdojmë përpiqemi. Sigurisht që unë do të ndaj me ju dhe publikun dy – tre të dhëna që në gjykimin tim e rrëzojnë atë që u përpoq të krijohet si mjegull, që çmimi i barnave u ul në kurriz të cilësisë së tyre.”
Sipas z. Beqaj, çmimet e barnave mjekësore janë ulur, por gjithkush paska menduar për abuzim të cilësisë së tyre. Në këtë mënyrë përfaqësuesi i qeverisë, përgjegjësi për sektorin mjekësor në vend, vendosi ta kalojë këtë shqetësim me një batutë të rastit duke harruar se është pikërisht ai përgjegjësi kryesor për të garantuar cilësinë absolute të barnave mjekësore që tregtohen në Shqipëri. Sipas Ligjit Nr. 7815, datë 20.4.1994 PËR BARNAT, në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991, “Kontrolli i barnave lidhet drejtpërdrejtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit[4]. Sipas Nenit 49/c, Autoritetet e kontrollit janë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit, QKKB dhe Instituti i Higjienës dhe i Epidemiologjisë. Neni 50, parashikon më tej: “QKKB është institucion i specializuar për analizën, kontrollin dhe regjistrimin e barnave dhe ushtron veprimtarinë e saj sipas rregullores së miratuar nga Ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit”.
Pra, dhe atëherë kur flitet për modernizim sistemi dhe për prosperitet në mjekësi, gjasat për plotësimin e kushteve bazike në sistemin mjekësor, duken të jenë të pakta. Deri në momentin që drejtues të sistemit nuk përdorin ligjin si busull për orientimin e punës dhe përmbushjen e detyrës, probabiliteti që sistemi të funksionojë dhe aq më pak të modernizohet duket se është i vogël.
[1] Ministria e Shëndetësisëhttp://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme/beqaj-pas-135-javeve-ne-detyre-kemi-regjistruar-162-barna-patente&page=1aksesuar për herë të fundit më 26 Prill 2016
[2] Top Channel http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=324578aksesuar për herë të fundit më 26 Prill 2016
[3] Shendeti online http://shendeti.com.al/mungesa-e-ilaceve-dukuri-normale-ne-qsut/ aksesuar për herë të fundit më 27 Prill 2016
[4]Ligji Nr.7815, Kreu 11, Kontrolli i barnave http://www.shendetesia.gov.al/files/userfiles/Baza_Ligjore/Ligje/3.pdf aksesuar për herë të fundit më 27 Prill 2016